Sekret bukurie: pse Chanel N°5 mbetet parfumi më ikonik në botë

3 Min Read

Edhe në vitin 2026, Chanel N°5 vazhdon të jetë një nga parfumet më të njohura dhe më të dëshiruara në botë. Nuk është vetëm fragranca që ka bërë historinë, por mënyra si ajo ka arritur të mbijetojë mbi kohën dhe të ruajë elegancën e saj klasike. Shtëpia Chanel ka zgjedhur këtë vit të rikthejë vëmendjen te origjina e parfumit, duke prezantuar një flakon të ridizajnuar që pasqyron linjat e pastra dhe minimalistike të viteve ’20, një rikujtim i qartë se identiteti i këtij parfumi mbetet i pandryshuar edhe pas më shumë se një shekulli. Versioni Eau de Toilette i rilançuar është frymëzuar nga shishja origjinale, me formë dhe prezantim që lidh trashëgiminë historike me estetikën bashkëkohore, duke e bërë N°5 më të dukshëm tek brezat e rinj pa humbur identitetin ikonë.

Për të kuptuar këtë sukses, duhet të kthehemi në Parisin e viteve 1920. Ndërsa klientet mbushnin rrugën ‘Cambon’ për krijimet e fundit të Gabrielle Chanel, ajo vendosi të bënte një hap të pazakontë: të hynte në botën e parfumerisë. Në një udhëtim në Grasse, fshat piktoresk në jug të Francës, Chanel takoi parfumerin Ernest Beaux dhe i dha një udhëzim të qartë: ajo nuk donte një aromë që të nuhatej si trëndafil apo jasemin i vetëm, siç ishte zakon në atë kohë. Ajo kërkonte një parfum të ndërtuar nga disa nota të përziera, ku çdo element të bashkohej për të krijuar një identitet të ri, një aromë që të mos ngjante me asnjë tjetër.

Beaux i paraqiti disa mostra të numëruara, dhe Chanel zgjodhi numrin 5. Aroma, e ndërtuar mbi aldehide, përbërje që japin ndjesi pastërtie dhe freskie, u kombinua si një buqetë florale me jasemin dhe trëndafil, duke krijuar një aromë të rafinuar dhe ndryshe nga çdo parfum tjetër i kohës.

Edhe flakoni ishte po aq revolucionar. Asaj kohe, shumica e parfumeve vinin në shishe të zbukuruara dhe të ndërlikuara, ndaj Chanel zgjodhi një shishe transparente, me linja të drejta dhe etiketë minimaliste, që tërhiqte vëmendjen vetë parfumi dhe jo ambalazhi. Frymëzimi vinte nga objektet e përditshme dhe nga linjat e shisheve laboratorike, ndërsa tapa e prerë gjeometrikisht lidhej me formën e Place Vendôme në Paris. Një dizajn modern që, pothuajse një shekull më vonë, nuk e ka humbur elegancën.

Sipas shtëpisë Chanel, N°5 është ‘esenca e feminilitetit’, një përzierje e thellë dhe e veçantë që shpreh karakterin dhe elegancën e një gruaje. Sot, ndërsa tregu mbushet me aroma të reja, parfumi nuk ndjek kohën, por e tejkalon atë. Parfumi është prezantuar te brezat e rinj, por mbetet i pandryshuar në esencën e tij. Chanel N°5 është jo vetëm një fragrancë, por simbol i luksit të rafinuar: i pastër, elegant dhe i përjetshëm.

— THELB,

Share This Article