Elegante, e sofistikuar dhe më e gjithanshme nga sa mendoni: rikthehet dantella

3 Min Read

Pranvera nuk vjen kurrë papritur, ajo vjen ngadalë. Lehtëson palltot, shkurton mëngët, zbut linjat. Për vitin 2026, ky proces kalon përmes fustaneve me dantellë, protagoniste të një ideje të re të feminitetit që nuk ka nevojë për teprime për t’u imponuar. Këto veshje bëhen gjuha e re e elegancës pranverore, duke u lëkundur mes romantizmit dhe rigorozitetit bashkëkohor.

Ka diçka tek dantella që nuk ndryshon kurrë, edhe kur moda e transformon, ajo mbetet gjithmonë mes dy botëve: delikatesës dhe provokimit. Nga pajat e nusërisë te fustanet joshëse të skenës burleskë, dantella ka ecur gjithmonë në një vijë të hollë mes shenjtërisë dhe tundimit. Ajo ka shoqëruar në shekuj forma të ndryshme të feminitetit dhe ndoshta për këtë arsye rikthehet vazhdimisht.

Nga figurat historike te mishërimet kinematografike, dantella ka qenë gjithmonë një kod vizual që tregon më shumë sesa duket në sipërfaqe. Një material që mund të jetë romantik, por njëkohësisht edhe joshës dhe intrigues. E aftë të banojë në botë të kundërta, ajo lëkundet mes dritës dhe errësirës, sakrales dhe mëkatit. Dhe pikërisht këtë ambivalencë stilistët e kanë rikthyer në vëmendje për vitin 2026.

Por këtë herë, ajo nuk vjen për të qenë e bukur në mënyrën klasike. Vjen për të qenë e dukshme dhe pjesë e veshjes së përditshme.

Në pasarela, dantella shfaqet transparente dhe e shtresuar, shpesh e kombinuar me mëndafshin si mbështetje natyrore e saj, por edhe me elementë që në pamje të parë duket sikur nuk përputhen: xhaketa të strukturuara, lëkurë, kadife dhe forma të forta. Një përzierje që e largon nga ideja e saj tradicionale dhe e vendos në një kontekst më modern.

Është pikërisht ky kontrast që e bën më interesante. Sepse nuk ka të bëjë më me një version të vetëm të feminitetit. Nuk është më heroina romantike ajo që e vesh, por një figurë më e lirë, më e paqëndrueshme, më reale.

Në përditshmëri, kjo përkthehet thjesht: dantella nuk ruhet më vetëm për raste të veçanta. Vishet me xhaketa të mëdha, me çizme, me aksesorë minimalë. Bëhet pjesë e garderobës në mënyrë natyrshme, por me shumë efekt.

– THELB

Share This Article