Christy Turlington, rikthimi tek Armani pas më shumë se 30 vitesh

3 Min Read

Ka disa rikthime që nuk kanë nevojë për shumë shpjegime. Kur Christy Turlington shfaqet sërish në një fushatë të Giorgio Armani-t, pas më shumë se 30 vitesh, nuk është thjesht një modele e njohur që rikthehet në një markë me të cilën ka punuar dikur. Është një takim i ri me një pjesë të historisë së modës.

Në vitet ’90, Turlington ishte një prej fytyrave që u shfaqën në pasarelat e Armani-t, në një periudhë kur supermodelet kishin filluar të bëheshin personazhe më vete. Sot, ajo rikthehet për fushatën Vjeshtë/Dimër 2026–27, të parën për koleksionin Giorgio Armani të firmosur nga Silvana Armani dhe Leo Dell’Orco. Është një rikthim që duket i menduar për të mos u dukur nostalgjik.

Fotografitë e Oliver Hadlee Pearch janë të pastra, me sfonda neutrale dhe një atmosferë që nuk i përket qartësisht një kohe të caktuar. Christy është aty, por nuk është vendosur përballë së shkuarës. Përkundrazi, duket sikur ajo e sjell atë me vete në të tashmen.

Në modë, rikthimi i modeleve ikonike shpesh lidhet me nostalgjinë. Por këtu nuk duket se qëllimi është të rikrijohet Armani i viteve ’90. Fushata përdor disa elemente që lidhen drejtpërdrejt me universin e Giorgio Armani-t dhe i vendos përkrah Christy-t: macja, Logo Lamp, numri 11 i Palazzo Orsini, si edhe detaje të tjera të lidhura me botën e stilistit. Në mes të tyre është edhe vetë Christy Turlington.

Modelja nuk është thjesht pjesë e një historie të kaluar të Armani-t. Prania e saj krijon një lidhje mes dy momenteve të ndryshme të shtëpisë: asaj që njohëm në vitet ’90 dhe asaj që po shohim sot. Fushata është gjithashtu e para për koleksionin Giorgio Armani pas largimit të stilistit nga drejtimi i përditshëm i shtëpisë dhe vjen në një moment të ri për markën. Silvana Armani dhe Leo Dell’Orco kanë marrë përsipër të vazhdojnë drejtimin krijues dhe stilistik të koleksionit.

Në këtë kontekst, gjedhja e Christy-t merr një tjetër kuptim. Ajo nuk ka nevojë ta shpjegojë Armani-n, mjafton të jetë përpara aparatit fotografik.

Pas më shumë se 30 vitesh, Christy Turlington nuk rikthehet për të përsëritur një moment të vjetër. Rikthimi i saj na tregon se disa marrëdhënie në modë mund të kalojnë kohën pa humbur kuptimin. Ndonjëherë, një prej mënyrave më elegante për të parë përpara është të dish çfarë ia vlen të marrësh me vete nga e kaluara.

-THELB, 

Share This Article