Në Haute Couture, frymëzimi nuk vjen vetëm nga moda. Për koleksionin Vjeshtë/Dimër 2026-27 të Dior, Jonathan Anderson zgjodhi të nisej nga arti, natyra dhe skulptura, duke krijuar një dimension ku veshjet shihen si pjesë e një rrëfimi artistik.
Për ata që e kanë ndjekur stilistin ndër vite, kjo nuk është një kthesë e papritur. Gjatë drejtimit të tij krijues, Anderson është rikthyer vazhdimisht te natyra si burim frymëzimi. Kopshtet, peizazhet, lulet dhe format organike kanë qenë pjesë e gjuhës së tij vizuale, jo vetëm si elemente dekorative, por si një mënyrë për të eksploruar teksturën, lëvizjen dhe mënyrën se si një veshje ndërvepron me trupin dhe hapësirën.


Në debutimin e tij Haute Couture për Dior, kjo ide mori një dimension edhe më artistik. Pasarela u ndërtua si një ‘black box’, brenda së cilës të ftuarit u gjendën përballë një kopshti imagjinar që bashkonte referenca nga peizazhe të largëta, nga New Mexico në Indi. Atmosfera ishte më pranë një instalacioni artistik sesa një prezantimi tradicional mode.


Në qendër të këtij vizioni qëndron artistja amerikane Lynda Benglis, një nga figurat më të rëndësishme të artit bashkëkohor. Benglis njihet për skulpturat e saj organike, format e rrjedhshme dhe mënyrën se si sfidon kufirin mes materialit dhe hapësirës. Pikërisht kjo ndjeshmëri duket se ka frymëzuar edhe koleksionin e Anderson, ku pëlhurat krijojnë volume të buta, palosje spontane dhe silueta që ngjajnë më shumë me forma të modeluara sesa me rroba të qepura në mënyrë tradicionale.



Kjo qasje tregon edhe drejtimin që Anderson po i jep Dior-it. Në vend që ta përdorë Haute Couture vetëm si një demonstrim mjeshtërie teknike, ai e trajton atë si një dialog mes modës, artit dhe kulturës. Veshjet nuk ekzistojnë të ndara nga konteksti; ato bëhen pjesë e një konteksti më të gjerë estetik, ku skenografia, referencat artistike dhe historia kanë po aq rëndësi sa prerja apo materiali.
Kjo është edhe arsyeja pse koleksioni të jep më shumë ndjesinë e një ekspozite sesa të një sfilate. Moda nuk kërkon vetëm të admirohet. Ajo fton të lexohet, të interpretohet dhe të përjetohet.

Në një moment kur shumë sfilata synojnë të krijojnë efekt të menjëhershëm në rrjetet sociale, Jonathan Anderson zgjedh një ritëm tjetër. Ai rikthehet te arti, te natyra dhe te idetë që zgjasin më shumë se një sezon. Kjo e bën debutimin e tij Haute Couture për Dior një nga prezantimet më interesante të sezonit.
– THELB,

