Naomi Osaka dhe ideja për ta kthyer sportin në stil

6 Min Read

‘Nike kërkoi basketboll, kështu që unë iu përgjigja: në rregull, doni basketboll? Do t’ju jap basketboll.’

Kjo ishte përgjigjja e Naomi Osaka-s pasi gazetarët e pyetën për veshjen me të cilën sapo kishte hyrë në Arthur Ashe Stadium, përpara ndeshjes së parë të saj në US Open kundër Anastasia Zakharova. E thënë pas fitores, batuta dukej fillimisht si një përgjigje lozonjare ndaj një pyetjeje për modën. Në të vërtetë, pas saj qëndron një histori që bashkon strategjinë e Nike për këtë US Open, marrëdhënien e hershme të basketbollit me modën, New York-un dhe, mbi të gjitha, Allen Iverson-in.

Por çfarë donte të thoshte Osaka dhe çfarë lidhje ka basketbolli me tenisin?

Për të kuptuar më shumë, mjafton të kthehemi te NBA i viteve ’90. Basketbolli amerikan po afrohej gjithnjë e më shumë me hip-hop-in dhe ‘street style’. Veshja e basketbollistit jashtë fushës nisi të merrte të njëjtën rëndësi si uniforma brenda saj, atletet, bluzat e gjera, aksesorët, flokët dhe mënyra e paraqitjes u bënë pjesë e imazhit me të cilin lojtari njihej.

Allen Iverson ishte një nga figurat që e bëri këtë ndryshim veçanërisht të dukshëm. Te Philadelphia 76ers, ai u shfaq me gërsheta të holla të punuara përgjatë kokës, tatuazhe, headband dhe veshje të gjera të lidhura me estetikën e hip-hop-it. Pamja e tij kapërceu kufijtë e basketbollit dhe u kthye në një nga imazhet më të njohura të kulturës sportive të asaj kohe. Ishte një ndikim që u përhap shumë përtej Shteteve të Bashkuara, edhe përmes muzikës dhe videoklipeve me personazhe të veshur me të njëjtin stil, deri te breza të rinjsh në vende të tjera, përfshirë Shqipërinë.

Osaka e njeh mirë këtë histori. Përpara US Open-it, ajo kishte folur për Iverson si një figurë që e admironte pikërisht për mënyrën se si e ndryshoi marrëdhënien e sportistit me veshjen dhe shprehjen personale. Prandaj kur Nike e lidhi këtë edicion të turneut me kulturën e basketbollit, Osaka e mori referencën dhe e bëri të sajën.

Përpara fillimit të US Open-it, ajo kishte folur për Iverson-in si një figurë që e admironte për ndikimin që pati në mënyrën se si visheshin lojtarët e NBA-së dhe në idenë e shprehjes së vetvetes përmes stilit. Këtë vit, kur Nike vendosi ta lidhë praninë e saj në US Open me kulturën e basketbollit, Osaka e mori referencën dhe e personalizoi. Prandaj ajo tha: ‘Doni basketboll? Do t’ju jap basketboll.’

Për paraqitjen e saj të parë në Arthur Ashe Stadium, Osaka veshi një krijim të personalizuar të markës amerikane Who Decides War, ndërsa look-u u konceptua së bashku me stilistin Law Roach. Shtresa e parë ishte një veshje e gjatë me kapuç, në ngjyrë gri, e ndërtuar mbi një sipërfaqe ku ishin qepur fragmente gazetash dhe fotografi që i referoheshin historisë së tenistes. Nën të, një look i zi me referenca të qarta nga basketbolli.

Detajet e bënin lidhjen me Iverson-in edhe më të lexueshme: flokët e saj, të punuar në gërsheta të holla përgjatë kokës, dhe shiriti i vendosur mbi ballë e bënin referencën ndaj Allen Iverson-it të menjëhershme .

Kjo mënyrë për ta trajtuar sportin përmes stilit nuk është e re për Osaka-n. Në Grand Slam-et e këtij viti, ajo ka ndërtuar vazhdimisht dalje të menduara si pjesë e identitetit të saj në turne. Gjithashtu kësaj here, veshja erdhi bashkë me një fitore. Osaka mposhti Zakharovan në një ndeshje që zgjati më shumë se dy orë dhe kërkoi prej saj të fitonte të dy setet përmes tie-break-ut, loja vendimtare që luhet kur një set arrin rezultatin e barazimit 6–6. Pas fitores, Osaka pranoi se raundi i parë i këtij turneu e bën veçanërisht nervoze. Me të njëjtin ton lehtësie dhe humori me të cilin kishte folur për veshjen e saj, shtoi se shpresonte të vazhdonte në turne edhe për t’u treguar spektatorëve ‘edhe disa veshje të tjera’

Pas paraqitjes së saj në US Open, Iverson reagoi në Instagram me entuziazëm, duke e quajtur homazhin një nder dhe duke shprehur dëshirën për ta takuar.

Një sportist që, në fundin e viteve ’90 dhe fillimin e viteve 2000, ndihmoi që stili të bëhej pjesë e identitetit të basketbollistit, u bë kështu referenca e një tenisteje në një nga skenat më të mëdha të sportit.

Sporti nuk është më vetëm ajo që ndodh gjatë lojës. Ndonjëherë, historia fillon para se topi të hidhet në ajër.

-THELB,

Share This Article