Nga akademitë e modës te krijimi i markave të pavarura, Gentiana Dervishi, presidente e Albanian International Fashion Federation (AIFF), flet për potencialin e stilistëve shqiptarë dhe sfidat që i presin përtej formimit profesional.
Në Shqipëri dhe në rajon po zhvillohet një brez stilistësh që kërkon të ndërtojë identitetin e vet krijues. Disa e gjejnë frymëzimin te trashëgimia kulturore dhe mjeshtëria artizanale, të tjerë eksperimentojnë me materiale, teknologji dhe forma bashkëkohore. Por talenti, sado i rëndësishëm, është vetëm një nga kushtet për të ndërtuar një karrierë në modë.
Gjatë Albania Fashion Week në Tiranë dhe prezantimeve të GX Fashion Week në Milano e Paris, THELB ka ndjekur nga afër edhe punën e stilistëve të rinj, përfshirë studentë të akademive të modës nga Shqipëria dhe rajoni.
Për Gentiana Dervishin, presidente e Albanian International Fashion Federation (AIFF), ky brez ka potencial, por përballet me një sfidë të rëndësishme: kalimin nga formimi akademik në industrinë profesionale.

‘Sot një dizajner nuk mund të jetë vetëm kreativ, duhet të kuptojë pozicionimin e markës, prodhimin, komunikimin, shpërndarjen, tregun dhe mënyrën se si funksionojnë marrëdhëniet profesionale ndërkombëtare’, shpjegon ajo në intervistën për THELB.
Në këtë drejtim, Gentiana vlerëson kontributin e akademive si Fashion Textile UArt, International Fashion Institute Izet Curi, La Griffe Academy dhe Albanian Design Academy, të cilat përgatisin talente të reja për profesionin.
Megjithatë, sipas saj, formimi duhet të shoqërohet me mundësi konkrete për zhvillimin e markave, lidhje me prodhuesit dhe njohuri për funksionimin e tregut.
Një tjetër element që Gentiana e konsideron të rëndësishëm është larmia e identiteteve krijuese. Stilistët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht të njëjtën estetikë. Përkundrazi, secili mund të zhvillojë një gjuhë personale, duke u mbështetur te kultura e vet ose duke eksploruar tema të tjera.
‘Për mua, identiteti shqiptar nuk duhet të kthehet në kufizim. Duhet të jetë një pikë force.’

Por çfarë mund të bëhet që kjo krijimtari të ketë edhe një të ardhme ekonomike?
Përvoja e THELB gjatë ndjekjes së këtyre aktiviteteve ka nxjerrë në pah edhe një çështje që meriton vëmendje si iniciativa që krijojnë mundësi prezantimi ndërkombëtar për stilistët shqiptarë po realizohen me burime private, pa mbështetje financiare nga institucionet shqiptare.
Ky është një konstatim editorial i THELB, i ndarë nga deklaratat e Gentianës në intervistë.
Shqipëria ka traditë në prodhimin e veshjeve, profesionistë të zanatit dhe një brez krijuesish që po përpiqet të ndërtojë marka të pavarura. Megjithatë, zhvillimi i një industrie mode kërkon bashkëpunim më të qëndrueshëm mes arsimit, prodhimit, sipërmarrjes dhe institucioneve.
‘Do të doja që moda në Shqipëri të trajtohej si një sektor strategjik dhe jo vetëm si imazh apo spektakël’, shprehet Gentiana.
Për të, moda është njëkohësisht kulturë, ekonomi, punësim dhe formim profesional.
Nëse talenti shqiptar do të arrijë të krijojë një prani të qëndrueshme në tregun ndërkombëtar, sfida nuk është vetëm të prodhojë koleksione interesante. Është të krijojë kushtet që këto koleksione të bëhen pjesë e markave dhe bizneseve që mund të zhvillohen në kohë.
Nga Jerina Luka / THELB

