Një fustan i mbuluar me kristale, me shpinën e hapur dhe një siluetë që ndjek trupin, e solli këtë javë emrin e Agnesa Vuthajt në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Venecia. I veshur nga Sara Luna Canola, krijimi i realizuar posaçërisht për të nga Agnesa Vuthaj Brand u shfaq në Venezia 83, gjatë premierës së filmit Nessun Dolore.


Për publikun shqiptar, Agnesa Vuthaj sigurisht nuk është një emër që zbulohet sot. Por ky moment në Venecia është një arsye e mirë për ta parë nga një kënd që prej vitesh bashkëjeton me figurën e saj publike, atë të stilistes dhe sipërmarrëses që ka ndërtuar gradualisht një markë me emrin e vet, sepse rruga deri te ky fustan nuk ka nisur me veshjet.

Vajza që u bë e njohur në fillim të viteve 2000 përmes konkurseve të bukurisë, Miss Kosova, Miss Albania dhe më pas përfaqësimeve në Miss World dhe Miss Universe, mbetet edhe sot një prej figurave shqiptare më të lidhura në kujtesën publike me bukurinë dhe imazhin. Por, në historinë e saj me modën ekziston edhe një kapitull i dytë, ndoshta më pak i njohur në të gjithë shtrirjen e tij. Prej më shumë se një dekade, Agnesa nuk është më vetëm gruaja që e vesh modën dhe shfaqet përpara objektivit. Ajo ka kaluar në anën tjetër të sistemit, duke krijuar produktin e saj, duke ndërtuar një markë dhe duke kërkuar gradualisht një hapësirë për të edhe jashtë tregut shqiptar.
Kalimi nga imazhi te biznesi i modës erdhi gradualisht. Në Prishtinë, Agnesa hapi fillimisht një butik ku përzgjidhte veshje dhe aksesorë për gra. Kontakti i përditshëm me produktin dhe me klientet do ta çonte shpejt përtej rolit të përzgjedhjes, te ideja për të krijuar atë që nuk po e gjente në treg.
Në një intervistë të asaj kohe, ajo tregonte se kishte vështirësi të gjente këpucë që të kishin edhe modelin, cilësinë dhe rehatinë që kërkonte, jo vetëm për veten, por edhe për klientet e saj. Në vend që të vazhdonte t’i kërkonte, nisi t’i skiconte. Në vitin 2014, prej kësaj nevoje filloi të merrte formë Agnesa Vuthaj Brand.

Marka që sot e shohim kryesisht përmes fustaneve nisi, në fakt, diku tjetër, me këpucë, çanta dhe aksesorë. Një rrugë aspak e pazakontë në historinë e modës. Céline nisi me këpucë, Salvatore Ferragamo ndërtoi emrin e tij pikërisht mbi to, ndërsa Gucci e kishte pikënisjen te artikujt prej lëkure. Veshja erdhi më vonë, ndërsa këto shtëpi zgjeronin dimensionin e tyre.
Edhe në rastin e Agnesa Vuthaj Brand, produktet e para ishin këpucë, çanta dhe aksesorë, të realizuar në Itali me lëkurë natyrale dhe punim artizanal dhe disa prej tyre mbanin edhe detaje të pikturuara me dorë.
Sot, megjithatë, imazhi i Agnesa Vuthaj Brand ndërtohet në një masë të madhe rreth fustanit. Veçanërisht atij të mbrëmjes, silueta të gjata, linja që ndjekin trupin, transparenca, qëndisje, kristale dhe punime që kërkojnë dritën dhe lëvizjen. Është një zgjedhje estetike që e afron natyrshëm markën me eventet, ceremonitë dhe tapetin e kuq.
Kjo qasje ndaj veshjes e ka ka orientuar emrin e Agnesa Vuthaj Brand edhe te figura të tjera jashtë hapësirës shqiptare. Aktorja indiane Huma Qureshi ka veshur një prej fustaneve të saj në prezantimin e Delhi Crime Season 3, ndërsa gazetarja amerikane e FOX Sports, Jen Hale, zgjodhi Agnesa Vuthaj për American Heart Association Red Dress Collection Concert 2026. Edhe skena e konkurseve ndërkombëtare të bukurisë, një botë që Agnesa e njeh nga përvoja e saj e hershme, është rikthyer tashmë nga ana tjetër: Rumina Ivezaj veshi një krijim të saj në Miss Universe 2024.
Që në vitet e para, Vuthaj fliste hapur për një ambicie që shkonte përtej tregut shqiptar. Emri që kishte krijuar më parë si figurë publike, siç ka pranuar edhe vetë, e ndihmoi markën të gjente klientët e parë. Por synimi ishte që produkti të udhëtonte më larg se emri.
Koleksionet e aksesorëve nisën të prezantoheshin jashtë vendit dhe, tre vjet pas themelimit të markës, Agnesa Vuthaj mbërriti edhe në New York Fashion Week. Në vitin 2017, koleksioni i çantave Pranverë/Verë 2018 u prezantua në New York përmes Flying Solo.Edhe Dua Lipa do të shfaqej në këtë kapitull të historisë së markës. Vuthaj ia prezantoi asaj koleksionin e çantave në New York dhe më vonë tregoi se këngëtarja kishte një çantë Agnesa Vuthaj.
Paralelisht, krijimet e Vuthaj Brand kanë gjetur hapësirë edhe në editoriale të huaja mode. Veshjet e saj janë publikuar në edicione të L’Officiel dhe ELLE, si edhe në revista të tjera ndërkombëtare, ndërsa Collectible DRY përfshiu krijime të markës në editorialin ‘Love Rituals’, përkrah veshjeve dhe aksesorëve të shtëpive të tjera të modës.


Më interesante se një listë emrash, megjithatë, është ajo që ndodhi me vetë biznesin. Në një moment, Agnesa mbylli butikun ku, krahas produkteve të veta, tregtonte edhe marka të tjera. Vendimi ishte që energjia të përqendrohej te emri i saj. Në një intervistë të vitit 2018 ajo e përshkruante këtë si një zgjedhje jo të lehtë, por që koha, sipas saj, kishte treguar se ishte e duhura.
Agnesa Vuthaj kaloi nga një figurë publike që kishte hyrë në biznesin e modës, te ajo e një sipërmarrëse që duhej të vendoste se çfarë lloj marke donte të ndërtonte.
Sot, kur sheh koleksionet e stilistes, këpuca apo çanta nuk janë më pika e vetme e referimit. Marka është zgjeruar në ready-to-wear dhe fustaneve të mbrëmjes, me një identitet vizual gjithnjë e më të lidhur me veshjen dhe me një feminitet të vendosur qartësisht në qendër. Krahas këtyre të fundit shfaqen edhe kostume, këmisha të qëndisura dhe forma më të strukturuara.
Brenda kësaj gjuhe lexohet edhe fustani i Sara Luna Canola-s në Venecia. Kristalet, silueta pranë trupit dhe shpina e hapur e lidhin atë me estetikën që marka ka zhvilluar në koleksionet e saj të fundit. Megjithatë, ajo që i jep peshë këtij momenti është rruga që ekziston pas tij: një butik në Prishtinë, aksesorët e parë të prodhuar në Itali, prezantimi në New York, zgjerimi drejt veshjes dhe dymbëdhjetë vjet më vonë, Venecia.


Një dalje në tapetin e kuq nuk përcakton suksesin ndërkombëtar të një marke. As nuk mjafton për ta shpallur atë të arritur. Por pas një fustani që shkëlqen nën reflektorët e Venecias mund të përmblidhen shumë më tepër sesa ato pak minuta përpara kamerave. Pas tij janë dymbëdhjetë vjet punë, këmbëngulje dhe përkushtim. Nga skicat e para të këpucëve, te çantat, koleksionet, veshjet dhe deri te një fustan i krijuar posaçërisht për një tapet të kuq ndërkombëtar.
Mënyra më e bukur për ta parë atë imazh nga Venecia është jo vetëm si një fustan që kap dritën e reflektorëve në Lido, por si një moment i shkurtër dhe i ndritshëm i një pune që ka kërkuar dymbëdhjetë vjet për të mbërritur deri aty.
-THELB,

