Fustani i Marilyn Monroe rikthehet në qendër të vëmendjes në prag të 100-vjetorit

2 Min Read

Ka disa imazhe që nuk i përkasin më vetëm kinemasë, por historisë së kulturës pop. Marilyn Monroe e veshur me një fustan rozë material saten, doreza të gjata dhe diamante në skenën e ‘Diamonds Are a Girl’s Best Friend’ është një prej tyre.

Tani, ndërsa i afrohemi 100-vjetorit të lindjes së Marilyn Monroe në vitin 2026, Academy Museum po rikthen në fokus një nga veshjet më ikonike të Hollywood-it përmes ekspozitës së re kushtuar aktores. Dhe bashkë me të, rikthehet edhe diskutimi mbi mënyrën se si moda ndihmoi në ndërtimin e mitit të Marilyn.

Fustani u krijua nga stilisti William Travilla për filmin ‘Gentlemen Prefer Blondes’ të vitit 1953. Pak njerëz e dinë se dizajni origjinal i menduar për skenën u refuzua nga studioja, duke bërë që Travilla të krijonte versionin rozë që sot konsiderohet një nga kostumet më të famshme në historinë e kinemasë. Ironikisht, alternativa ‘më e sigurt’ u kthye në simbolin absolut të glamour-it hollywoodian.

Në dekadat që pasuan, kjo pamje u shndërrua në referencë të përhershme për modën dhe kulturën pop. Nga Madonna te Lady Gaga dhe pasarelat moderne, ndikimi i atij momenti vazhdon të rikrijohet vazhdimisht, duke e bërë fustanin më shumë sesa një kostum filmi, një ikonë vizuale që mbetet po aq magnetike edhe sot.

Por, ekspozita e fundit dedikuar yllit të kinemasë nuk flet vetëm për estetikën. Ajo rikthen vëmendjen te Marilyn Monroe si figurë kulturore, një grua që kuptoi fuqinë e imazhit në një epokë kur Hollywood-i ndërtonte yje për ekranin dhe mite për publikun.

 

— THELB,

Share This Article