Sot moda konsumohet me ritmin e rrjeteve sociale dhe trendet ndryshojnë brenda pak kohe, por Silvana Armani propozon të rikthejë vëmendjen te momenti më intim i të veshurit.
Koleksioni Haute Couture Vjeshtë/Dimër 2026-27 për Armani Privé mban titullin ‘Boudoir’, një term që historikisht i referohej dhomës private të gruas, vendit ku ajo vishej, përgatitej dhe kalonte kohë me veten. Në interpretimin e Silvana Armani, ky është jo vetëm një simbol nostalgjik, por një hapësirë ku lind vetëdija për mënyrën se si zgjedhim të paraqitemi.
Në koleksionin e prezantuar në Paris, stilistja ka folur për një modë që lidhet edhe me filozofinë e Giorgio Armani, sipas të cilit eleganca nuk matet me atë që bie menjëherë në sy, por me atë që mbetet në mendjen e kujtdo që e sheh.
Kjo filozofi reflektohet edhe në vetë koleksionin. Sfilata nis me kostume me pantallona, xhaketa klasike dhe forma të ndërtuara me kujdes, përpara se t’u lërë vendin fustaneve të mbrëmjes. Mëndafshi, kadifeja, kristalet dhe qëndisjet mbeten pjesë e gjuhës së Armani Privé, Përveç materialeve të çmuara dhe punimeve artizanale që karakterizojnë shtëpinë e modës, koleksioni përfshin edhe elemente të pazakonta për Haute Couture. Një prej tyre është bomber-i, një xhaketë me frymë sportive që, në duart e Silvana Armani-t, fiton elegancën dhe finesën e modës së lartë


Edhe paleta e ngjyrave largohet nga tonet klasike të shtëpisë. Përveç së zezës, koleksioni eksploron nuanca të gjelbra të thella, gri të frymëzuara nga hija, kafe të ngrohta dhe të kuqe të errëta, që i referohet ngjyrave të natës.
Megjithatë, risia më e madhe nuk qëndron te ngjyrat apo materialet. Ajo që propozon Silvana Armani është një mënyrë tjetër për ta parë veshjen. ‘Boudoir’ nuk është më një vend intim, por një moment reflektimi. Një hapësirë ku stili lind nga mënyra se si një grua zgjedh ta ndërtojë identitetin e saj.
– THELB,

