London Fashion Week Pranverë–Verë 2027 u mbyll më 21 shtator me Burberry, por ajo që ra në sy këtë sezon ishte mënyra se si moda britanike u kthye vazhdimisht te historia e saj, por jo në të njëjtën mënyrë. Marks & Spencer e solli historinë e garderobës së përditshme në pasarelë për herë të parë, Alexander McQueen u kthye fizikisht në Londër pas 25 vitesh, ndërsa Burberry e mbylli javën duke bashkuar kodet e veta me gjuhën e artistes britanike Celia Birtwell.
Një nga momentet më të pazakonta të London Fashion Week këtë sezon erdhi nga Marks & Spencer. Në vitin kur marka feston 100 vjet nga hyrja në tregun e veshjeve, M&S u shfaq për herë të parë me një koleksion të vetin në pasarelën e London Fashion Week, me një shfaqje të zhvilluar në Design Museum.
Koleksioni u nis nga arkivi i markës në Leeds dhe mori prej tij disa prej veshjeve dhe siluetave që kanë qenë pjesë e garderobës britanike ndër dekada. Por qëllimi nuk ishte një rikthim nostalgjik. Dizajnerët e M&S i rishikuan këto elemente për një garderobë të sotme, duke kaluar nga kostumet dhe trikotazhet te këmishat, xhinset, veshjet e mbrëmjes dhe aksesorët.

Në pasarelë u shfaqën edhe disa prej emrave të njohur të modelingut britanik, mes tyre Lara Stone, Erin O’Connor dhe Jodie Kidd, duke i dhënë shfaqjes një dimension të qartë fashion-show, pavarësisht se M&S mbetet një markë e lidhur mbi të gjitha me veshjet e përditshme.
Por ajo që e bëri debutimin veçanërisht interesant ishte mënyra se si M&S e trajtoi marrëdhënien mes pasarelës dhe konsumatorit. Koleksioni ishte ‘see now, buy now’: pjesët e prezantuara mund të bliheshin menjëherë pas shfaqjes, ndërsa rreth gjysma e tyre kushtonin më pak se 50 paund.
Në një Fashion Week ku koleksionet shpesh shihen shumë kohë përpara se të mbërrijnë në dyqane, M&S zgjodhi një qasje shumë më të drejtpërdrejtë. Pasarela nuk ishte vetëm një prezantim i modës, por edhe një mënyrë për ta çuar menjëherë atë te garderoba reale.
Nga një markë që e solli garderobën e përditshme në pasarelë, London Fashion Week kaloi te një prej emrave më të lidhur me historinë e modës së qytetit. Alexander McQueen u rikthye në kalendarin zyrtar të London Fashion Week pas 25 vitesh, me Seán McGirr që prezantoi koleksionin Pranverë–Verë 2027 në qytetin ku nisi historia e shtëpisë.

Për McGirr, rikthimi në Londër nuk ishte thjesht një ndryshim vendndodhjeje. Koleksioni bashkon disa prej ndikimeve që lidhen me vetë qytetin: tailoring-un britanik, kulturën e rave-it, artin dhe historinë e McQueen. Kostumet e ndërtuara në bashkëpunim me shtëpinë e Savile Row, Huntsman, sjellin disiplinën e rrobaqepësisë klasike, ndërsa lëkura, elementet metalike, transparencat dhe siluetat më të ashpra e çojnë koleksionin në një drejtim më të lirë dhe më të papërmbajtur.
Një tjetër referencë e rëndësishme vjen nga Piero della Francesca, piktori italian i Rilindjes, veprat e të cilit McGirr i ka parë prej vitesh në National Gallery në Londër. Kjo përzierje mes disiplinës së kostumit, historisë së artit dhe energjisë së klubeve të Londrës krijon një koleksion që nuk përpiqet të kopjojë McQueen-in e Lee McQueen, por të gjejë se çfarë mund të nënkuptojë kjo trashëgimi për një stilist që po ndërton gjuhën e tij.
Këtu qëndron edhe rëndësia e këtij rikthimi sepse McQueen nuk u kthye në Londër vetëm për të rikujtuar të kaluarën e shtëpisë, por për ta vendosur atë histori në një qytet që vazhdon të ndikojë mënyrën se si Seán McGirr e sheh modën.

Nëse Alexander McQueen u kthye në Londër për t’u përballur me historinë e vet, Burberry e mbylli London Fashion Week duke e parë trashëgiminë britanike nga një kënd tjetër. Për koleksionin Pranverë–Verë 2027, Daniel Lee bashkëpunoi me Celia Birtwell, një nga emrat më të rëndësishëm të dizajnit tekstil britanik të viteve ’60 dhe ’70. Shfaqja u zhvillua në Chelsea College of Arts, ku Birtwell ka dhënë mësim dikur.
Lee mori disa prej elementeve më të njohura të Burberry-t dhe i bëri më pak të kontrolluara. Katrorët karakteristikë të shtëpisë u kombinuan me lulet, degët dhe figurat e vizatuara të Birtwell, të cilat u shfaqën në pallto, fustane, kostume, këpucë dhe aksesorë. Edhe materialet dukeshin më të prekshme: xhinsi i larë, pëlhurat e rrudhura, detajet e papërsosura dhe teksturat që të japin ndjesinë e një veshjeje të përdorur, jo të sapodalë nga një kuti.
Kjo lidhet me një nga idetë kryesore të koleksionit: veshja nuk duhet të duket perfekte për të qenë e bukur. Lee e përshkroi këtë qasje si një lloj “papërsosmërie të jetuar”, ku rrobat duken sikur janë veshur, përdorur dhe janë bërë pjesë e jetës së dikujt. Është një ndryshim i dukshëm për një shtëpi që shpesh lidhet me pallton e përsosur, tartanin e kontrolluar dhe një pamje shumë të rregullt.

Celia Birtwell i dha kësaj ideje edhe një dimension tjetër. Printet e saj, të lidhura ngushtë me kulturën vizuale britanike të viteve ’60 dhe ’70, sollën ngjyra, humor dhe një lloj lehtësie në kodet tradicionale të Burberry-t. Në vend që historia të mbetet e ngrirë në arkiv, ajo u përdor si material për ta bërë markën më të lirshme, më të re dhe më njerëzore.
Burberry mbylli javën me një ide që, në mënyra të ndryshme, ishte shfaqur edhe te dy emrat e tjerë që kemi ndjekur: historia britanike nuk është diçka që duhet vetëm të ruhet; mund të rishikohet, të ndryshohet dhe të vishet përsëri në një mënyrë tjetër.
-THELB,

