Kujdesi për lëkurën pas plazhit, rutina që nuk duhet neglizhuar gjatë verës

3 Min Read

Shpesh rutina e kujdesit për lëkurën lidhet kryesisht me mbrojtjen gjatë ekspozimit në diell, por dermatologët kujtojnë se një pjesë po aq e rëndësishme nis pikërisht pasi largohemi nga plazhi.

Pas disa orësh nën diell, lëkura përballet me një kombinim faktorësh që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ekuilibrin e saj natyral. Rrezet UV, era, kripa e detit, djersa dhe ekspozimi i zgjatur mund të dobësojnë barrierën mbrojtëse të epidermës, duke shkaktuar dehidratim, skuqje apo atë ndjesinë e tharjes që lëkura krijon shpesh pas ekspozimit të gjatë në diell..

Pikërisht për këtë arsye, hapi i parë pas kthimit nga plazhi duhet të jetë pastrimi i kujdesshëm i fytyrës dhe trupit. Qëllimi nuk është vetëm largimi i mbetjeve të kripës, rërës apo kremit mbrojtës, por edhe shmangia e irritimit të mëtejshëm të lëkurës. Specialistët rekomandojnë produkte pastruese të buta, me formulë qetësuese dhe pa përbërës agresivë që mund të dëmtojnë më tej epidermën.

Pas pastrimit, vëmendja duhet të kalojë tek hidratimi.

Ekspozimi i gjatë në diell bën që lëkura të humbasë ujë më shpejt se zakonisht, ndaj serumet dhe kremrat me përbërës si acidi hialuronik, aloe vera, glicerina apo panthenol konsiderohen ndër zgjedhjet më të përshtatshme për të rikthyer ndjesinë e komfortit dhe elasticitetin natyral të saj.

Në rastet kur fytyra shfaq skuqje ose ndjesi nxehtësie, ekspertët sugjerojnë përdorimin e maskave qetësuese apo produkteve të ruajtura paraprakisht në frigorifer, të cilat mund të ofrojnë një efekt të menjëhershëm freskues. Edhe spray-t me ujë termal mund të ndihmojnë në uljen e irritimit dhe qetësimin e lëkurës pas ekspozimit.

Një tjetër aspekt që shpesh neglizhohet gjatë verës lidhet me produktet aktive që përdoren zakonisht në rutinën e skincare-it.

Pas një dite të gjatë në diell, rekomandohet të shmanget përkohësisht përdorimi i acideve eksfoliuese si AHA dhe BHA, ashtu si edhe produktet me retinol, pasi këta përbërës mund ta bëjnë lëkurën më të ndjeshme dhe të rrisin irritimin.

Kujdesi nuk duhet të ndalet vetëm tek fytyra.

Përdorimi i një produkti after-sun për trupin ndihmon në ruajtjen e hidratimit, ushqen lëkurën dhe mund të ndihmojë gjithashtu në mbajtjen më të gjatë të nxirjes. Po aq e rëndësishme mbetet edhe hidratimi nga brenda, pasi konsumi i mjaftueshëm i ujit ndihmon organizmin të rikuperojë ekuilibrin e humbur pas orëve të gjata në diell.

Rutina e kujdesit pas plazhit nuk ka të bëjë vetëm me estetikën apo ruajtjen e nxirjes. Ajo është pjesë e kujdesit bazë që i nevojitet lëkurës për të rikuperuar gradualisht ekspozimin ndaj faktorëve të jashtëm dhe për të ruajtur një pamje të shëndetshme gjatë gjithë sezonit veror.

Share This Article