Pas elegancës së baletit ekziston një zanat që sot rrezikon të zhduket

4 Min Read

Kur shohim një balerinë klasike të ngrihet mbi majat e gishtave, zakonisht vëmendja përqendrohet te lëvizja, kostumi apo ndjesia e lehtësisë që krijon performanca në skenë. Rrallëherë mendojmë se pas asaj elegance që baleti ka ndërtuar prej më shumë se dy shekujsh fshihet një objekt i vogël, por vendimtar: këpuca pointe.

Së fundmi, një reportazh i publikuar nga Condé Nast Traveller ka rikthyer vëmendjen te një prej emrave më të rëndësishëm të kësaj historie, Freed of London, kompania britanike që prej vitit 1929 prodhon me dorë disa nga këpucët pointe më të njohura në botën e baletit klasik.

Për publikun e gjerë, këto këpucë mund të duken thjesht pjesë e garderobës së balerinave. Në realitet, ato janë objekte teknikisht shumë komplekse, të krijuara për t’i lejuar trupit të balerinës të mbështetet mbi majat e gishtave, duke i dhënë mundësi të realizojë një nga elementët më karakteristikë të baletit klasik.

Historia e tyre fillon shumë më herët.

Këpucët pointe u shfaqën për herë të parë në fillim të shekullit XIX dhe fillimisht përdoreshin për të krijuar në skenë figurat “jo tokësore” të baletit romantik: zanat, shpirtrat apo personazhet që duhej të dukeshin sikur sfidonin gravitetin. Me kalimin e kohës, zhvillimi i teknikës së baletit kërkoi edhe transformimin e vetë këpucës.

Një nga figurat që ndryshoi përgjithmonë këtë histori ishte balerina ruse Anna Pavlova. Struktura e veçantë e këmbës së saj e detyroi të modifikonte këpucët duke shtuar mbështetje shtesë në pjesën e përparme. Në kohën e saj, shumë e konsideruan këtë një lloj “hileje”. Sot, pikërisht këto ndërhyrje konsiderohen baza e dizajnit modern të këpucëve pointe.

Në Londër, vetëm pak vite më vonë, Frederick Freed nisi një revolucion tjetër.

Ndryshe nga prodhuesit e kohës, ai dhe bashkëshortja e tij Dora filluan të krijonin këpucë të personalizuara sipas formës dhe nevojave të secilës balerinë. Ishte hera e parë që ky objekt nuk prodhohej më sipas standardeve të përgjithshme, por sipas anatomisë së trupit që do ta përdorte.

Edhe sot, pothuajse një shekull më vonë, procesi vazhdon të mbetet kryesisht manual.

Një palë këpucë pointe mund të kërkojë punën e deri në 15 artizanëve të ndryshëm dhe shumica e modeleve realizohen sipas specifikave individuale të balerinave, me diferenca precize që maten deri në milimetra. Vetëm në kompaninë Freed prodhohen rreth 250 mijë palë në vit.

Por ndoshta detaji më surprizues lidhet me vetë përdorimin e tyre.

Shumë balerina profesioniste ndërrojnë disa palë këpucë gjatë një performance të vetme, ndërsa kompanitë e mëdha të baletit mund t’u sigurojnë artisteve deri në 40 palë në muaj. Çdo këpucë reagon ndryshe sipas koreografisë, kërcimeve, balancës dhe nivelit të fleksibilitetit që kërkon një moment i caktuar në skenë.

Për vetë balerinat, ato konsiderohen shpesh objekti më personal i gjithë karrierës së tyre.

Por ndërsa baleti vazhdon të evoluojë, vetë zanati që prodhon këto këpucë po përballet me një problem të ri. Me gjithnjë e më shumë marka që po zhvendosin prodhimin drejt proceseve industriale dhe automatizimit, prodhimi tradicional i këpucëve pointe është futur tashmë në listën britanike të zanateve që konsiderohen në rrezik zhdukjeje.

Pas një prej formave artistike më elegante që njohim sot, vazhdon të mbijetojë një punë e pa bujshme, e bërë me dorë, ku precizioni, durimi dhe mjeshtëria njerëzore mbeten po aq të rëndësishme sa kanë qenë një shekull më parë.

Ndoshta herën tjetër kur të shohim baletin klasik në skenë, do të jetë më e lehtë të kujtojmë se eleganca që shohim nuk ndërtohet vetëm nga artisti, por edhe nga duart që punojnë larg vëmendjes së publikut.

– THELB,

Share This Article