Ermonela Jaho i jep lamtumirën Violetës, rolit që e shndërroi në një nga sopranot më të vlerësuara të kohës sonë

4 Min Read

Ka role që shënojnë një moment të caktuar në karrierën e një artisti dhe ka role që e shoqërojnë për dekada, duke u bërë pjesë e identitetit artistik. Për Ermonela Jahon, Violetta Valéry e ‘La Traviata’ është pikërisht një prej tyre.

Për më shumë se dy dekada, Ermonela Jaho dhe Violetta Valéry kanë qenë pothuajse të pandashme. Në mbi 300 shfaqje, nga Londra, Parisi, Nju Jorku, Madridi e Tokio, sopranoja shqiptare i ka dhënë jetë heroinës së Giuseppe Verdit, duke e kthyer në rolin që përcaktoi më shumë se çdo tjetër karrierën e saj. Këto ditë të nxehta të qershorit, në skenën e Operës së Romës, ajo i ka dhënë lamtumirën personazhit që e shoqëroi në një prej kapitujve më të rëndësishëm të jetës artistike.

Lamtumira erdhi me rikthimin e produksionit të njohur të regjisores Sofia Coppola, ku Jaho interpretoi për herë të fundit heroinën tragjike të Verdit. Për publikun ishte fundi i një epoke, për kritikët, mbyllja e një prej interpretimeve më domethënëse të Violettës në dekadat e fundit.

Nuk është rastësi që mediat italiane e trajtuan këtë si një ngjarje më vete. ‘Është për të ardhur keq që Ermonela Jaho ka vendosur të ndahet nga personazhi që ishte bërë emblema e saj artistike’, ka shkruar kritiku Maurizio Modugno, duke e cilësuar Violettën e saj ‘më interesanten e njëzet viteve të fundit’. Sipas tij, Jaho arrin të krijojë një personazh ku eleganca dhe brishtësia shkrihen në një dhimbje të thellë njerëzore, të shprehur jo vetëm përmes zërit, por edhe përmes interpretimit në çdo detaj skenik.

Ky vlerësim pasqyrohet edhe në reagimin e publikut. Në Operën e Romës, Ermonela Jaho është pritur me ovacione që zgjasin mbi dhjetë minuta, me sallën e ngritur në këmbë në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për interpretimin e saj.

Edhe kritikë të tjerë vunë në pah forcën e interpretimit të saj që, sipas tyre, nuk buron vetëm nga cilësitë vokale. Ajo që e ka bërë Violetten e Ermonela Jahos të dallojë ndër vite është aftësia për ta jetuar personazhin deri në skajet më emocionale. Kritika e ka përshkruar interpretimin e saj si një kombinim të rrallë mes kontrollit teknik dhe intensitetit dramatik, ku çdo frazë muzikore merr peshën e një rrëfimi njerëzor.

Ky është një rol që e ka shoqëruar Jahon në teatrot më të rëndësishëm të botës dhe që e ka vendosur vazhdimisht në qendër të vlerësimeve ndërkombëtare. Vetë Opera e Romës solli në vëmendje faktin se ajo e ka interpretuar Violettën më shumë se 300 herë dhe se ky personazh ka qenë ai që ka shënuar më fort rrugëtimin e saj artistik.

Lamtumira ka marrë edhe një dimension simbolik. Një nga shfaqjet e veprës do të transmetohet më 30 qershor drejtpërdrejt në Piazza di Spagna, ku mijëra spektatorë do të ndjekin  interpretimin e artistes shqiptare në qiellin e hapur të kryeqytetit italian, në një nismë të veçantë të Operës së Romës, e cila për herë të parë e sjell këtë përvojë edhe jashtë mureve të teatrit.

Megjithatë, kjo nuk është një lamtumirë me skenën. Ermonela Jaho vazhdon të jetë pjesë e kalendarit të teatrove më prestigjiozë të operës dhe karriera e saj mbetet në kulmin e aktivitetit. Çfarë mbyllet është një kapitull i jashtëzakonshëm në karrierën e sopranos, e cila për më shumë se dy dekada e shndërroi Violettën në rolin me të cilin u identifikua më shumë se çdo tjetër, duke i dhënë operës bashkëkohore një nga interpretimet më të paharrueshme të këtij personazhi.

– THELB,

Share This Article