‘Shah mat’ në kohën që jetojmë, arti i Zake Prelvukajt

6 Min Read

Një figurë blu luan fizarmonikë. Poshtë saj janë gurët e shahut; përreth, një orë, një shtëpi dhe shenja të tjera që nuk i dallon të gjitha menjëherë. Ngjyrat të afrojnë te piktura, pastaj nis të vëresh sa shumë gjëra po ndodhin brenda saj. Ishte kjo pamje që na bëri të ndaleshim te puna e Zake Prelvukajt dhe të sillnim në THELB më shumë nga krijimtaria dhe historia e saj.

Piktura është pjesë e ciklit Rregullat e reja, të krijuar gjatë viteve 2020–2021 dhe të ekspozuar në Çifte Hamam të Shkupit. Më vonë, Prelvukaj ia dhuroi pikërisht këtë pikturë Fondacionit Ramë Lahaj. Duke folur për të, artistja i lidhi gurët e shahut me ndjesinë se zhvillimet e kohës na kanë vënë në ‘shah mat’ dhe se secili duhet të gjejë mënyrën për t’u përshtatur.

Pandemia ishte çasti kur mori formë ky cikël, por Prelvukaj mendonte edhe për zhvillimin e vrullshëm të teknologjisë dhe për mënyrën si po ndryshonte jeta përtej asaj periudhe. Veprat e tjera na çojnë edhe më pas në kohë, nga figura me ngjyra të ndezura te fytyrat, shkrimet dhe sipërfaqet e punuara në tone të errëta. Për të kuptuar çfarë e lidh këtë pikturë me pjesën tjetër të krijimtarisë së saj, duhet të kthehemi në Prishtinën ku ajo nisi të punonte si artiste.

Prelvukaj u diplomua për pikturë në Prishtinë në vitin 1991 dhe, dy vjet më pas, filloi të jepte mësim në Fakultetin e Arteve. Ishin vite kur artistëve shqiptarë u ishin mbyllur hapësirat institucionale dhe ekspozitat gjenin vend edhe në kafene. Ajo kujton se ‘Hani i Dy Robertëve’, një nga vendet ku takoheshin arti dhe jeta kulturore e qytetit, u hap me një ekspozitë të saj. Për Prelvukajn, piktura u bë edhe një mënyrë për të mbajtur shënim atë që po ndodhte përreth: kur kthehej në shtëpi, shkruante dhe punonte me imazhet e rënda që kishte parë gjatë ditës.

Në punët e atyre viteve shfaqen shkrime, fytyra dhe sipërfaqe ku ngjyra duket e gërvishtur ose e hedhur shtresë mbi shtresë. Vështrimi ndalet te një portret i vogël i vendosur mes shenjave, pastaj te një fjalë që del nga pëlhura. Janë vepra ku njeriu nuk paraqitet i shkëputur nga ajo që po jeton.

Në vitin 1998, Prelvukaj prezantoi në Galerinë Dodona X-at flasin. Shkronja X, sipas artistes, ishte një shenjë për dikë të vënë në shënjestër dhe një kërkesë për ndihmë. Në ekspozitë, ajo mori edhe formën e një instalacioni të madh që digjej. Prelvukaj e lidhi këtë simbol me fytyrat e grave dhe me dhunën e kohës. Në të njëjtën periudhë nisi të përdorte edhe trupin e vet si mjet krijimi, e mbuloi me ngjyrë dhe la gjurmët e tij mbi një pëlhurë të gjatë. E interesonte vepra që do të dilte prej këtij veprimi, por edhe reagimi i shoqërisë kur një grua artiste shfaqte trupin e saj në punë.

Me kalimin e viteve, Prelvukaj nuk u kufizua te piktura. Ajo përdori instalacionin, performancën, fotografinë dhe videon, duke zgjedhur për secilën ide formën që i jepte më shumë mundësi ta zhvillonte.

Pas luftës, Prelvukaj vazhdoi të eksperimentonte me materiale dhe forma të ndryshme. Në disa punë përdori ziftin, duke e gërvishtur sipërfaqen për të nxjerrë prej saj figura dhe fjalë. Shprehje si ‘Unë jam viti 1999’ dhe ‘Unë jam kurban i Ballkanit’ e bëjnë gjuhën pjesë të pandashme të imazhit. Në ekspozitën kolektive Sexhibition të vitit 2005, ku ishte edhe kuratore e bashkautore, trajtoi përmes pikturës, fotografisë dhe videos mënyrat e ndryshme si shihet dhe trajtohet trupi i gruas.

Puna e Prelvukajt është paraqitur edhe jashtë Kosovës. Në vitin 2015, Qendra e Artit Bashkëkohor e Malit të Zi organizoi një ekspozitë të saj me piktura dhe video në Galerinë Centar. Në tekstin shoqërues, historiania e artit Anastazija Miranović u ndal te përdorimi i trupit në veprat e artistes, një temë që na ka shoqëruar edhe në këtë rrëfim. Sipas katalogut të Galerisë Kombëtare të Kosovës, një vepër e Prelvukajt gjendet gjithashtu në koleksionin e përhershëm të National Museum of Women in the Arts në Uashington.

Puna e saj mori forma të tjera edhe në Ofshamë. Krahas pikturës, Prelvukaj përdori videon dhe vajtimin për të folur për dhimbjen, fajin dhe kujtesën. Në një prej videove, duart lahen, por gjaku shfaqet sërish. Artistja e ka lidhur atë imazh me plagët që nuk zhduken vetëm sepse përpiqemi t’i lëmë pas. Këto vepra ndihmojnë të kuptojmë edhe ndryshimin pamor që sjellin Rregullat e reja: nga sipërfaqet e errëta dhe të gërvishtura, Prelvukaj kalon te ngjyrat e forta dhe figurat që mbushin pëlhurën. Shqetësimi për njeriun brenda një kohe që e trondit mbetet i pranishëm vazhdimisht.

Prelvukaj vazhdon të krijojë dhe të japë mësim në Prishtinë. Në fillim të këtij tetori, ajo paraqiti punën e saj në edicionin e katërt të Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit në qytet. Në vitin 2024, u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Nga ekspozitat e organizuara në kafene gjatë viteve ’90 deri te Bienalja e këtij viti, puna e saj ka vijuar të zërë vend në jetën artistike të Prishtinës.

-THELB, 

Share This Article