Pas disa vitesh larg skenës për arsye shëndetësore , një ndërprerje që ka ndikuar jo vetëm në karrierën e saj, por edhe në jetën personale dhe përballjen me sëmundjen, rikthimi i Céline Dion duket më pranë se kurrë.
Sipas raportimeve të Le Parisien, këngëtarja kanadeze po përgatit një seri koncertesh në Paris La Défense Arena në vjeshtën e vitit 2026. Ndërsa datat zyrtare pritet të konfirmohen në ditët në vijim, në Paris është vënë re tashmë një fushatë promovuese që sinjalizon këtë rikthim të shumëpritur.
Ky moment vjen pas një kapitulli të vështirë për Dion, e cila në vitin 2024 ndau publikisht përballjen e saj me sindromën e personit të ngurtë, një sëmundje neurologjike e rrallë që shkakton spazma dhe ngurtësi muskulore. Në dokumentarin Je suis : Céline Dion, ajo ofroi një vështrim intim mbi këtë përvojë, ndërsa në një intervistë për Vogue France u shpreh:
‘Nuk e kam luftuar sëmundjen, ajo është ende brenda meje dhe do të jetë përgjithmonë. Shpresojmë të gjejmë një mrekulli, një mënyrë për ta kuruar me kërkimet shkencore, por duhet të mësoj të jetoj me të. Kjo jam unë tani, me sindromën e personit të ngurtë. Pesë ditë në javë bëj terapi atletike, fizike dhe vokale. Punoj njësoj me gishtat e këmbëve, gjunjët, pulpat, gishtat e duarve, këndimin dhe zërin.’
Për shkak të gjendjes së saj, artistja u detyrua të anulonte një sërë angazhimesh, përfshirë datat e turneut Courage World Tour dhe paraqitjen në festivalin Les Vieilles Charrues në vitin 2024.
Paraqitja e saj e fundit në Paris mbetet performanca e ‘L’Hymne à l’amour’ gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike 2024 në Kullën Eiffel, një moment që u pa si një rikthim simbolik, në një kohë kur e ardhmja e saj artistike mbetej e pasigurt.
Nëse konfirmohen, koncertet në Paris La Défense Arena do të shënojnë rikthimin e saj të parë në Francë pas vitit 2017, një rikthim i shumëpritur në skenë.
– THELB,

