‘Bota ndodhet në një moment shumë të errët dhe njerëzit kanë nevojë të vallëzojnë’, thotë artistja për albumin e saj të ri.
Për më shumë se katër dekada, Madonna ka qenë një nga ato artiste që rrallëherë është mjaftuar të ndjekë kohën. Përkundrazi, ka qenë ajo që shpesh e ka paraprirë. Nga mënyra se si ndryshoi raportin mes muzikës dhe modës, te videoklipet, performanca skenike apo temat që trajtoi shumë përpara se të hynin në debatin publik, karriera e saj është ndërtuar mbi idenë e transformimit të vazhdueshëm.
Më 3 korrik, Madonna publikoi Confessions II, vazhdimin e Confessions on a Dance Floor, albumit të vitit 2005 që konsiderohet gjerësisht si një nga momentet kulmore të karrierës së saj. Ishte projekti me të cilin artistja riktheu në qendër të pop-it tingujt house dhe dance, në një kohë kur pak kush e priste një kthesë të tillë. Bashkëpunimi me producentin Stuart Price krijoi një identitet muzikor dhe vizual që ndikoi jo vetëm te publiku, por edhe te një brez artistësh që do të vinin më pas.

Njëzet e një vjet më vonë, Madonna rikthehet pikërisht te ai kapitull. Vanity Fair e lexon Confessions II si albumin e një artisteje që i përket një epoke tjetër dhe që nuk kërkon më të revolucionarizojë pop-in si dikur. Pitchfork, nga ana tjetër, ndalet te vetë konceptimi i projektit, duke vënë në dukje se Madonna dhe Stuart Price kanë zgjedhur të ndërtojnë një album që funksionon si një vepër e vetme, në një industri ku muzika konsumohet gjithnjë e më shumë përmes playlist-ave dhe algoritmeve. Lexime të tjera e shohin projektin si një dialog të vetëdijshëm të artistes me një prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë së saj.
Për vite me radhë, Madonna është identifikuar me risinë. Çdo album sillte një estetikë të re, një tingull të ri, një personazh të ri. Publiku ishte mësuar të priste se cili do të ishte transformimi i radhës. Në këtë kuptim, Confessions on a Dance Floor nuk ishte thjesht një album dance, por një tjetër provë se Madonna vazhdonte të ishte disa hapa përpara industrisë.

Sot, panorama është krejt tjetër. Muzika prodhohet dhe konsumohet ndryshe, albumi nuk ka më të njëjtën peshë që kishte dy dekada më parë dhe ritmi i industrisë është bërë gjithnjë e më i shpejtë. Pikërisht në këtë moment, Madonna zgjedh të rikthejë Stuart Price, të ndërtojë një album me gjashtëmbëdhjetë këngë të menduara si një rrjedhë e vetme dhe t’i rikthehet pikërisht projektit që shumë e konsiderojnë kulmin e saj artistik.
Kjo zgjedhje nuk duket se buron nga dëshira për të rikrijuar vitin 2005, por nga bindja se disa parime të krijimit artistik nuk e humbasin vlerën vetëm sepse industria e muzikës ka ndryshuar.

Vetë Stuart Price ka shpjeguar se Confessions II nuk është konceptuar për t’u dëgjuar si një koleksion këngësh të shkëputura, por si një album në kuptimin klasik të fjalës. Edhe deklaratat e Madonna-s lëvizin në të njëjtin drejtim. ‘Bota ndodhet në një moment shumë të errët dhe njerëzit kanë nevojë të vallëzojnë’, është shprehur ajo gjatë prezantimit të projektit.
Kjo filozofi përceptohet edhe në vetë ndërtimin e albumit. Këngë si ‘I Feel So Free’, që hap projektin, rikthehen te tingujt deep house që frymëzuan edhe albumin e vitit 2005, por këtë herë me një ton më reflektues. Ndërsa ‘Danceteria’ është një homazh i drejtpërdrejtë për vitet e para të Madonna-s në skenën e New York-ut, aty ku nisi të ndërtonte identitetin e saj artistik.

Në vitin 2005, pista e vallëzimit përfaqësonte energjinë dhe optimizmin e një epoke që ende besonte pa shumë dyshime te e ardhmja. Në vitin 2026, e njëjta pistë vallëzimi merr një kuptim tjetër. Nuk është më vetëm një vend argëtimi; bëhet një hapësirë ku muzika shërben si kundërpeshë ndaj një realiteti më të pasigurt, më të fragmentuar dhe më të lodhur.

Në këtë kuptim, rikthimi te Confessions nuk duket si një ushtrim nostalgjie. Përkundrazi, ai të jep përshtypjen e një artisteje që rikthehet te një ide e muzikës në të cilën vazhdon të besojë në një album që ndërtohet si një përvojë, një bashkëpunim artistik që nuk ndjek domosdoshmërisht ritmin e tregut dhe një muzikë dance që nuk synon vetëm të argëtojë, por edhe për të thënë diçka për kohën në të cilën jetojmë.

Edhe pjesa më intime e albumit lëviz në të njëjtin drejtim. Këngë si ‘Fragile’ apo dueti ‘The Test’, i realizuar me vajzën e saj Lourdes Leon, largohen nga euforia tipike e pistës së vallëzimit dhe flasin për humbjen, familjen dhe pajtimin me të shkuarën. Kjo është ndoshta edhe diferenca më e madhe me Confessions on a Dance Floor. Nëse albumi i vitit 2005 festonte lirinë e dance floor-it, Confessions II e për të reflektuar mbi kohën dhe mbi ato gjëra që vazhdojnë të kenë vlerë, edhe kur bota ndryshon.


Në fund të fundit, kjo ka qenë gjithmonë mënyra se si Madonna ka komunikuar me publikun. Çdo projekt i saj ka qenë më shumë sesa një grup këngësh; ka qenë një mënyrë për të komentuar kohën në të cilën jetonte. Edhe Confessions II duket se ndjek të njëjtën logjikë. Vetëm se, këtë herë, në vend që ta sfidojë kohën duke shpikur vazhdimisht diçka të re, zgjedh ta bëjë duke rikthyer vëmendjen te ato elemente të muzikës dhe artit që, sipas saj, vazhdojnë të kenë kuptim edhe sot.
– THELB,

