Paris Fashion Week, kapitulli i radhës për Ezgi Özalan

4 Min Read

Pas Milanos, stilistja shqiptare sjell koleksionin e saj në Paris, në një tjetër hap të rëndësishëm të rrugëtimit ndërkombëtar të stilistes.

Për Ezgi Özalan, ky është një tjetër hap në një histori që po ndërtohet gradualisht, koleksion pas koleksioni. Pas prezantimit të krijimeve të saj në Milano Fashion Week, stilistja e re do të sjellë këtë herë punën e saj në Paris Fashion Week, duke e çuar më tej një gjuhë krijuese e cila që prej fillimit është mbështetur te eksperimenti, materiali dhe transformimi.

E lindur në Stamboll, por e rritur dhe e formuar në Shqipëri, Özalan ka ndërtuar identitetin e saj krijues mes dy kulturave. Formimi në kostumografi dhe më pas studimet në Albanian Design Academy i dhanë asaj mundësinë të njohë nga afër procesin e ndërtimit të veshjes, nga kallëpi dhe prerja te qepja dhe trajtimi i materialit.

Por tekstili ka qënë tipari dallues dhe që duket se përcakton më shumë mënyrën e saj të të menduarit. Në vend që ta shohë pëlhurën vetëm si bazë të një veshjeje, Özalan e trajton atë si pikënisje të krijimit. Materiale të zakonshme, madje edhe ato që zakonisht mbeten të fshehura në një veshje, janë bërë pjesë e eksperimenteve të saj, duke u transformuar përmes teknikave dhe provave të vazhdueshme në tekstura dhe sipërfaqe të reja.

Në pak vite, kjo qasje është shndërruar në një gjuhë të dallueshme të stilistes. Özalan ka realizuar tre koleksione dhe është prezantuar në Albania Fashion Week, ndërsa përmes Albanian International Fashion Federation krijimet e saj kanë mbërritur në Milano Fashion Week e tashmë edhe në Paris Fashion Week. Prezantimet jashtë Shqipërisë i kanë sjellë gjithashtu vëmendjen e disa botimeve ndërkombëtare të modës, mes tyre Harper’s Bazaar, Glamour dhe Elle.

Koleksioni i saj i tretë, ‘Elisir, Parajsa e Paarritshme’, u prezantua në edicionin e dytë të Albania Fashion Week në prill 2026, duke vijuar eksplorimin e një bote të saj krijuese ku natyra, tekstura dhe silueta bashkëveprojnë për të krijuar një figurë femërore me karakter dhe identitet.

Tani është radha e Parisit!

Për një stiliste në fillimet e karrierës, kalimi nga Milano në Paris nuk është thjesht një ndryshim destinacioni. Janë dy kontekste me histori, tradita dhe mënyra të ndryshme të të menduarit për modën. Për këtë arsye, prezantimi në Paris shënon një tjetër moment për të parë se si evoluon gjuha e Özalan kur vendoset përballë një audience të re dhe të rëndësishme ndërkombëtare.

Ajo vjen në Paris me përvojën e fituar gjatë viteve të para të punës, por edhe me të njëjtën ide që ka qenë në qendër të krijimtarisë së saj që nga fillimi: veshja nuk duhet të jetë vetëm një formë e bukur mbi trup. Duhet të ketë një material që flet, një teksturë që bën dallim dhe një siluetë që i jep gruas që e vesh hapësirën për të treguar historinë e saj.

Nga Tirana në Milano e tani në Paris, rrugëtimi i Egzi Özalan po kalon në një tjetër fazë. Çdo ndalesë i ka shtuar një përvojë të re, por edhe një pjesë të identitetit të një marke që vazhdon të gjejë formën e saj.

-THELB, 

Share This Article