Në Hollywood, transformimi është shpesh sinonim i suksesit, por pak aktorë arrijnë ta bëjnë atë me aq natyrshmëri sa Cate Blanchett. Nga Mbretëresha Elizabeth te dirigjentja e ftohtë dhe komplekse e TÁR, nga Katharine Hepburn te Bob Dylan, ajo i ka dhënë jetë shumë personazheve që nuk ngjajnë aspak me njëri-tjetrin. Arrin të transformohet aq thellë, sa çdo personazh krijon identitetin e vet dhe kjo e bën padiskutim një nga aktoret më të mëdha të kohës sonë.




Jo të gjithë aktorët kanë një fizionomi kaq të ndryshueshme. Në një film, Cate Blanchett mund të duket e ftohtë dhe e paarritshme; në tjetrin, e brishtë, ironike apo plot ngrohtësi. Nuk është thjesht çështje grimi apo kostumesh. Janë ritmi i të folurit, mënyra si lëviz, si e përdor heshtjen dhe shikimin. Kritikët e kanë cilësuar shpesh si një aktore që nuk interpreton personazhe, por ndërton thellësisht botën e tyre.

Paradoksi është se kjo aftësi e jashtëzakonshme për t’u transformuar ekziston vetëm në ekran. Jashtë kamerës, Cate Blanchett është ndoshta një nga figurat më të qëndrueshme të kinemasë. Prej më shumë se dy dekadash është e martuar me dramaturgun australian Andrew Upton, me të cilin ka ndërtuar një jetë larg ritmit të tabloideve dhe spektaklit që shpesh shoqëron yjet e Hollywood-it. Së bashku kanë katër fëmijë dhe kanë zgjedhur që familja të mbetet gjithmonë në qendër të jetës së tyre. Është një kontrast që e bën edhe më interesante: në ekran është e paparashikueshme, ndërsa në jetën reale është jashtëzakonisht e ekuilibruar.
Aktorja nuk është bërë ikonë vetëm falë talentit të saj. Për më shumë se tri dekada, ajo ka ndërtuar një figurë publike që mishëron një elegancë thuajse klasike, larg tendencave kalimtare. Për vite me radhë ka qenë një nga muzat më të rëndësishme të Giorgio Armani-t, i cili e ka zgjedhur vazhdimisht si një nga fytyrat që përfaqësojnë vizionin e tij për gruan moderne: të rafinuar, inteligjente dhe të sigurt në vetvete. Nuk është rastësi që disa nga paraqitjet e saj më të paharrueshme në tapetin e kuq mbajnë firmën Armani Privé.


Blanchett ka qenë ndër personazhet e parë që ka riveshur me krenari fustane të tapetit të kuq, duke treguar se një krijim i jashtëzakonshëm nuk humbet vlerën vetëm sepse është paraqitur edhe herë të tjera. Është një gjest i thjeshtë, si në jetën e përditshme ku veshjet që duam më shumë janë ato tek të cilat ne rikthehemi vazhdimisht në garderobën tonë.
Kjo qasje nuk kufizohet vetëm te mënyra se si vishet. Ajo reflektohet në çdo aspekt, edhe në mënyrën se si ka ndërtuar figurën e saj publike, Cate Blanchett ka zgjedhur të ruajë të njëjtën qasje të matur. Figura e saj është ndërtuar gradualisht, më shumë përmes punës dhe zgjedhjeve artistike sesa përmes ekspozimit të vazhdueshëm. Emri i saj rikthehet në qendër të vëmendjes pothuajse gjithmonë për një rol të ri, një shfaqje teatrore apo një projekt artistik.

Blanchett ka interpretuar disa nga personazhet më sfiduese, ka drejtuar së bashku me Andrew Upton Sydney Theatre Company, ka bashkëpunuar me regjisorët më të rëndësishëm të brezit të saj dhe vazhdon të zgjedhë role që e sfidojnë artistikisht, jo domosdoshmërisht komercialisht.
Ky profil ka bërë që ajo të jetë e mirëpritur edhe jashtë botës së kinemasë. Gjatë viteve të fundit, Cate Blanchett ka qenë e ftuar në universitete dhe institucione akademike për të diskutuar mbi teatrin, procesin krijues dhe rolin e artit në shoqëri. Së fundmi, ajo është emëruar si profesore vizitore e Teatrit Bashkëkohor në Universitetin e Oksfordit, ku do të zhvillojë leksione dhe biseda me studentët. Më herët, tre universitete australiane e kanë nderuar me doktoratura honoris causa, në vlerësim të kontributit të saj në art dhe kulturë. Prania e saj në këto forume tregon se ajo shihet jo vetëm si një aktore e madhe, por edhe si një zë me peshë në debatin kulturor.

Nëse ka një fije që lidh të gjithë filmografinë e Cate Blanchett, ajo është kurioziteti. Vetë ajo e ka përmbledhur këtë filozofi me një fjali të thjeshtë: ‘Kurioziteti është liria më e madhe.’ Mbase kjo e ka mbajtur karrierën e saj kaq të gjallë pas më shumë se tre dekadash.
Sot, në mesin e të pesëdhjetave, Blanchett vazhdon të jetë një nga emrat më të kërkuar të kinemasë botërore. Me kalimin e viteve nuk ka kërkuar të rishpikë veten, por të sfidojë veten. Çdo rol i ri ka shtuar një shtresë tjetër në një karrierë që vazhdon të evoluojë.

Në ekran, transformohet me çdo personazh të ri, jashtë tij, duket se nuk ka pasur kurrë nevojë të transformojë veten. Në këtë ekuilibër mes artit dhe jetës reale qëndron arsyeja pse, edhe sot, mbetet një nga figurat më të admiruara të kinemasë.
– THELB,

