Vogue World: Milano, live në THELB

2 Min Read

 

Sonte, në orën 20:00, Vogue World mbërrin për herë të parë në Milano. Ndiqni këtu transmetimin zyrtar live nga Galleria Vittorio Emanuele II.

Pas New York-ut, Londrës, Parisit dhe Hollywood-it, Vogue World zgjedh Milanon për edicionin e tij të pestë. Eventi zhvillohet sonte, më 22 shtator, në ditën e parë të Milan Fashion Week, në një prej vendeve më të njohura të qytetit: Galleria Vittorio Emanuele II.

Këtë herë vëmendja kthehet te moda dhe krijimtaria italiane, por edhe te një pyetje shumë aktuale: çfarë vlere ka puna e dorës dhe krijimtaria njerëzore në një kohë kur teknologjia dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë mënyrën se si krijojmë?

Përgjigjja e Vogue World do të vijë përmes një serie aktesh që ndjekin evolucionin e krijimtarisë italiane nga tradita artizanale dhe puna e dorës, te zhvillimi industrial, Made in Italy, teknologjia dhe një vështrim drejt së ardhmes.

Moda do të jetë në qendër, por jo e vetme. Performanca, muzika dhe disa të ftuar surprizë do të bëhen pjesë e një mbrëmjeje që këtë vit vendos përballë njëra-tjetrës dorën dhe makinën, traditën dhe inovacionin.

Edicioni milanez ka edhe një dimension që shkon përtej mbrëmjes së sotme. Vogue World do të mbështesë zhvillimin e Bibliotekës së Quarto Oggiaro, në veri-perëndim të Milanos, me synimin që hapësira të zhvillohet si një qendër e re kushtuar kulturës, krijimtarisë, muzikës dhe artit.

Ndiqeni live

Transmetimin zyrtar të Vogue mund ta ndiqni drejtpërdrejt këtu, në THELB.

Milano është vetëm fillimi. Në ditët në vijim, THELB do të jetë në qytet për të ndjekur nga afër Milan Fashion Week SS27.

Share This Article