Max Mara pranverë–verë 2027: Një garderobë e sigurt, pak vend për befasi

3 Min Read

Ian Griffiths i kthehet elegancës praktike që e ka bërë Max Mara-n të njohur. Transparencat sjellin një ndjesi të re, por koleksioni rrallë del nga zona ku marka ndihet më rehat.

Te Max Mara, një trench i prerë mirë ose një palë pantallona me bel të lartë nuk kanë nevojë për shumë shpjegim. Në sfilatën pranverë–verë 2027, Ian Griffiths u mbështet pikërisht te kjo siguri, silueta të pastra, veshje të kombinuara me përpikëri dhe një elegancë që mund ta përfytyrosh edhe jashtë pasarelës. Xhaketat safari, jelekët me xhepa dhe rripat e gjerë i dhanë koleksionit gjuhën e veshjeve praktike, ndërsa prerja dhe materialet i mbajtën brenda botës së Max Mara-s.

Frymëzimi vinte nga gratë aventuriere të viteve ’30: udhëtare, pilote dhe fotografe që u nisën drejt vendeve ku pak gra të kohës së tyre kishin mundësi të shkonin. Griffiths nuk i rikrijoi veshjet e tyre si kostume të një epoke. Ai mori prej tyre xhepat, rripat, xhaketat dhe idenë e një garderobe të përgatitur për lëvizje, pastaj i vendosi në jetën e përditshme.

Kjo pjesë e koleksionit funksionon veçanërisht mirë për syrin. Pantallonat e gjera dhe fundet e gjata krijojnë një vijë të qartë; xhaketat dhe trench-et e mbajnë pamjen të rregullt pa e rënduar. Ka kënaqësi në mënyrën si qëndrojnë bashkë veshjet, në qetësinë e ngjyrave dhe në atë ndjesinë se çdo pjesë e ka vendin e vet.

Griffiths u përpoq ta prishte pak këtë rregull me organzë transparente, trupore dhe fustane më të ngushta pas trupit. Disa jelekë praktikë u vunë mbi veshje të tejdukshme; diku tjetër, një sytjena e dukshme hynte mes prerjeve sartoriale. Kontrasti sjell lehtësi dhe sensualitet, por shfaqet më tepër si një ndryshim brenda koleksionit sesa si një kthesë për markën.

Max Mara e njeh shumë mirë gruan për të cilën krijon dhe di t’i ofrojë veshje që duken të bukura e të përdorshme. Koleksioni pranverë–verë 2027 e dëshmon këtë me lehtësi. Por, pasi përfundon, të mbeten më shumë në mendje rregullsia dhe pastërtia e siluetave sesa një pamje e veçantë ku do të doje të ktheheshe.

-THELB, 

Share This Article