Në një sezon Haute Couture të mbushur me silueta skulpturore, korsete të ngurta dhe fustane që shpesh duken më afër artit sesa jetës reale, debutimi i Maria Grazia Chiuri-t te Fendi shkoi në një drejtim krejt tjetër.
Koleksioni i saj i parë couture për shtëpinë italiane nuk kërkoi të impresiononte përmes spektaklit apo ekstravagancës. Përkundrazi, ai nisi nga një pyetje shumë më e thjeshtë: si ndihet një veshje mbi trup?
‘Ndonjëherë harrojmë se gjëja e parë që dëshirojmë nga një veshje është mënyra se si ajo ndihet mbi lëkurë, që materiali është i butë dhe ndihesh mirë.’, është shprehur Chiuri pas sfilatës.
Kjo ide përshkonte të gjithë koleksionin.



Në pasarelë mungonin korsetet, strukturat e forta dhe siluetat që imponohen mbi trupin. Në vend të tyre, Chiuri prezantoi kaftane të lehta, fustane me prerje të buta dhe materiale që lëviznin bashkë me trupin në vend që ta detyronin atë të përshtatej me veshjen.
Look-u i parë e përmblidhte qartë këtë qasje: një kaftan transparent bardh e zi që lëkundej lehtësisht pas modeles ndërsa ecte në pasarelë. Frymëzimi vinte nga Emilie Flöge, stilistja austriake dhe bashkëpunëtorja e Gustav Klimt, e njohur për krijimet e saj të lira dhe për refuzimin e korseteve në një kohë kur ato konsideroheshin pjesë e domosdoshme e garderobës femërore.



Edhe pjesa tjetër e koleksionit lëvizte në të njëjtin drejtim. Fustane me prerje diagonale, dantella transparente, qëndisje të lehta dhe kostume të qepura me precizion couture, por të menduara për t’u jetuar dhe jo vetëm për t’u admiruar.
Në një farë mënyre, Chiuri duket se po vë në diskutim vetë mënyrën se si e kemi kuptuar Haute Couture gjatë dekadave të fundit. Në vend të një mode që ndërton veshjen dhe më pas kërkon që trupi të përshtatet me të, ajo propozon të kundërtën: një couture që fillon nga trupi dhe ndërtohet rreth tij.



Kjo nuk do të thotë më pak luks apo më pak mjeshtëri artizanale. Përkundrazi. Pikërisht në thjeshtësinë e siluetave dhe në mënyrën se si materialet reagojnë ndaj lëvizjes, Chiuri duket se kërkon të tregojë një formë tjetër të luksit, më pak teatrale dhe më personale. Duket se mesazhi i koleksionit nuk ishte spektakli, por liria.
– THELB,

