Haute Couture e Schiaparell sipas Daniel Roseberry, përtej formulave

2 Min Read

Në Haute Couture, çdo koleksion është i ndërtuar deri në detajin më të vogël. Por për Daniel Roseberry, drejtuesin artistik të Schiaparelli, koleksioni i ri lindi pikërisht kur ai pranoi se jo gjithçka mund të kontrollohet.

I titulluar ‘The Call of the Void’, koleksioni që hapi Javën Haute Couture në Paris nuk është një reflektim mbi frikën, siç mund të sugjerojë emri. Është një reflektim mbi procesin krijues. Në shënimin që shoqëron koleksionin, Roseberry pranon se, pasi mendoi se kishte gjetur formulën e duhur sezonin e kaluar, u përpoq ta përsëriste. Nuk funksionoi. Vetëm kur hoqi dorë nga nevoja për të kontrolluar çdo hap të krijimit, idetë filluan të merrnin formë. Pikërisht këtë ai e quan ‘The Call of the Void’, momentin kur krijimtaria kërkon të hyjë në territorin e së panjohurës.

Ky proces reflektohet edhe në vetë koleksionin. Në vend të mëndafshit apo leshit, Roseberry eksperimenton me silikon, latex dhe sipërfaqe të modeluara si skulptura. Materiale që rrallë lidhen me Haute Couture, por që këtu trajtohen me të njëjtin nivel mjeshtërie si pëlhurat tradicionale.

Estetikisht, koleksioni lëviz mes surrealizmit dhe fantashkencës. Trupat duken të mbuluar me forma organike, korse të skalitura dhe detaje që kujtojnë botën e thellësive të oqeanit. Nuk është një bukuri klasike, por provokon, një cilësi që ka qenë pjesë e ADN-së së Schiaparelli që në kohën e Elsa Schiaparelli.

Në këtë kuptim, Roseberry nuk po kërkon vetëm të prezantojë rroba të jashtëzakonshme. Ai po sfidon vetë idenë e asaj që Haute Couture mund të jetë. Duke eksperimentuar me materiale të pazakonta dhe duke refuzuar formulat që kanë funksionuar më parë, ai sugjeron se krijimtaria nuk lind nga përsëritja, por nga gatishmëria për të hyrë në të panjohurën.

Ky është edhe mesazhi më interesant i këtij koleksioni. Në një industri që shpesh kërkon sukses të parashikueshëm, Daniel Roseberry zgjedh të besojë se idetë më të mira lindin pikërisht aty ku nuk ka asnjë garanci.

– THELB,

Share This Article