Një histori që filmi nuk e tregoi, Odiseu dhe Penelopa riimagjinohen përmes AI

4 Min Read

Këto fotografi mund të duken si imazhe të shkëputura nga The Odyssey e Christopher Nolan. Matt Damon dhe Anne Hathaway shfaqen si Odiseu dhe Penelopa, pranë njëri-tjetrit, në momente intime, por asnjë prej këtyre skenave nuk është xhiruar.

Janë imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale. Këtë ka bërë fotografja dhe krijuesja vizuale Regina Bakirova. E frymëzuar nga vepra ajo ka krijuar përmes AI një seri imazhesh ku Odiseu dhe Penelopa  shfaqen në momente që nuk ekzistojnë në film.

‘Një histori që ata nuk e patën kurrë’, shkruan ajo. Në vend të dimensionit epik të udhëtimit të Odiseut, Bakirova imagjinon diçka shumë më të zakonshme, çaste që mund t’i përkisnin jetës së tyre përtej historisë që është treguar në ekran.

Dëshira për të vazhduar, ndryshuar apo riimagjinuar një histori nuk është e re. Publiku e ka bërë këtë prej kohësh, me mjetet që ka pasur në dispozicion. Fan fiction e bënte këtë me tekst. Fan art me vizatim e ilustrim. Remix-i e ka bërë në muzikë. AI e zgjeron këtë praktikë, sepse sot një ide mund të marrë formë vizuale pa kërkuar domosdoshmërisht mjetet dhe aftësitë teknike që nevojiteshin më parë. Dhe rezultati mund të jetë jashtëzakonisht realist.

Vepra nuk ka mbërritur e paprekur deri në vitin 2026. Për gati tre mijë vjet ajo është përkthyer, ritreguar, shkurtuar dhe riinterpretuar nga letërsia, teatri dhe kinemaja. Edhe Nolan nuk përpiqet ta vendosë Homerin në ekran fjalë për fjalë. Regjizori zgjedh çfarë të ruajë, çfarë të heqë dhe, mbi të gjitha, cilin Odise t’i tregojë publikut të sotëm.

Autorja e fotove shpjegon se pas filmit i kishte mbetur një ndjesi që dëshironte ta shprehte dhe se, përmes AI, arriti ta kthente atë në imazhe të dukshme që duken shumë reale.

Realizmi që i bën këto fotografi tërheqëse e bën fenomenin edhe më kompleks. Ato funksionojnë sepse njohim fytyrat e Matt Damon dhe Anne Hathaway. Njohim personazhet, pjesën vizuale të filmit,  pra, krijuesja ndërton diçka të re duke përdorur elemente që tashmë kanë një identitet kulturor dhe artistik të përcaktuar, por këtu kufijtë bëhen më pak të qartë.

Çfarë  ndodh kur një imazh i tillë largohet nga origjinali dhe qarkullon në internet pa kontekst?

Ndoshta edhe pyetja nëse një imazh i krijuar me AI është apo jo ‘art’ është shumë e ngushtë. Në rastin e Bakirova-s, më interesante është çfarë bën imazhi.  Ajo ka parë një vepër, e ka interpretuar dhe ka përdorur një mjet të ri për t’i dhënë formë interpretimit të saj. Në vend të një recensioni apo një teksti, përgjigjja e saj ndaj filmit është vizuale.

Kjo liri e re sjell edhe një përgjegjësi të re. Sa më bindëse bëhen këto versione alternative, aq më lehtë mund të zbehet kufiri mes veprës dhe interpretimit të saj.  Ajo që dikur ekzistonte vetëm në imagjinatë, sot mund të bëhet imazh.

Njohja e veprës nga e cila nisin këto interpretime bëhet edhe më e rëndësishme për të qenë në gjendje të dallojmë Homerin nga leximi që Nolan apo të tjerë i bëjnë Homerit dhe tashmë edhe nga interpretimi që një krijues tjetër mund t’i bëjë filmit të tij përmes AI. Të njëjtat histori mund të kalojnë nga libri në film, nga filmi në rrjetet sociale dhe prej andej në imazhe të gjeneruara artificialisht, njohja e burimit na jep kontekstin për të kuptuar çfarë është shtuar dhe kujt i përket interpretimi. Sfida jonë do të jetë të dimë gjithmonë se çfarë po shohim, veprën, apo interpretimin e saj.

– THELB,

Share This Article