Dua Lipa dhe Callum Turner kanë nisur zyrtarisht festimet e dasmës së tyre në Palermo të Sicilisë, ku çifti organizoi një festë ekskluzive mirëseardhjeje për miqtë dhe familjarët që kanë udhëtuar për të marrë pjesë në një fundjavë plot evente.
Këngëtarja me famë botërore dhe aktori britanik u fotografuan duke mbërritur në pritjen e parë të organizuar në qendrën historike të Palermos, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Festimet pritet të zgjasin tre ditë dhe po zhvillohen në disa prej lokacioneve më prestigjioze të Sicilisë.

Mes të ftuarve të parë që janë parë në Itali janë Charli XCX dhe bashkëshorti i saj George Daniel, producenti i njohur Mark Ronson me aktoren Grace Gummer, si dhe artistë të tjerë të njohur të industrisë muzikore.
Sipas mediave ndërkombëtare, ceremonia civile e çiftit është zhvilluar në formë intime në Londër në fund të muajit maj, ndërsa festa në Sicili është menduar si një celebrim më i madh me miq dhe familjarë.

Palermo është shndërruar në qendrën e vëmendjes këto ditë, me disa nga hotelet dhe rezidencat më luksoze të rezervuara për rastin. Eventet kryesore raportohet se do të zhvillohen në vila dhe pallate historike të rajonit, duke e kthyer dasmën e çiftit në një nga ngjarjet më të komentuara të showbiz-it këtë verë.
Megjithatë, organizimi madhështor ka shkaktuar edhe reagime të përziera tek banorët vendas, pasi masat e sigurisë dhe kufizimet e përkohshme në disa zona të qytetit kanë sjellë shqetësime për qarkullimin dhe aktivitetin e përditshëm.
Pavarësisht polemikave, vëmendja që ka tërhequr dasma e Dua Lipës dhe Callum Turner po e vendos Sicilinë në qendër të mediave ndërkombëtare, ndërsa fansat presin me kuriozitet fotografitë dhe detajet nga ceremonia kryesore e fundjavës.
— THELB,

