Një pasarelë nuk mjafton për të ndërtuar një industri. Presidentja e Albanian International Fashion Federation flet për talentet shqiptare, sfidat e tyre dhe ambicien për t’i dhënë modës një vend të qëndrueshëm në tregun ndërkombëtar.
Në një sfilatë mode, vëmendja është zakonisht te koleksionet, stilistët dhe modelet që ecin në pasarelë. Më pak shihet puna që zhvillohet përpara dhe pas saj si përgatitjet, koordinimi i profesionistëve, marrëdhëniet që duhen ndërtuar dhe problemet që kërkojnë zgjidhje, shpesh deri në minutat e fundit.
Nga Albania Fashion Week në prillin e këtij viti, te prezantimet e GX Fashion Week në javët e modës në Milano dhe Paris, THELB ka pasur mundësinë ta ndjekë nga afër këtë anë të organizimit. Fillimisht si partner mediatik i Albania Fashion Week dhe më pas përmes raportimeve nga dy kryeqytetet europiane të modës, kemi njohur edhe punën e Gentiana Dervishit, presidente e Albanian International Fashion Federation (AIFF).
Në Milano dhe Paris, Gentiana ishte vazhdimisht pranë stilistëve, duke ndjekur përgatitjet, duke ndërhyrë për të zgjidhur çështje të organizimit dhe duke u kujdesur personalisht për pjesëmarrësit, të ftuarit dhe mediat. Një angazhim që kërkon jo vetëm aftësi organizative, por edhe durim, komunikim dhe gatishmëri për t’u marrë me nevojat e shumë njerëzve njëkohësisht.
Këto përpjekje marrin rëndësi të veçantë kur konsiderojmë se organizimi i këtyre iniciativave mbështetet në burime private, pa financim nga institucionet e shqiptarëve. Është një realitet që THELB e ka njohur gjatë partneritetit dhe ndjekjes së këtyre aktiviteteve, dhe që ngre një çështje më të gjerë: sa vëmendje i kushtohet modës si industri krijuese dhe ekonomike në Shqipëri?
Në pasarelat e Milanos dhe Parisit u prezantuan stilistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera. Disa prej tyre janë emra që kanë ndërtuar tashmë një identitet krijues, të tjerë janë në fillimet e karrierës. Për një vend të vogël si Shqipëria, por edhe për një hapësirë më të gjerë shqiptare në rajon, ky potencial krijues meriton të shihet përtej dimensionit kulturor. Moda përfshin artizanë, atelie, akademi, prodhim, komunikim, tregti dhe profesione të shumta që mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik.
Pikërisht në këtë drejtim kërkon të punojë Gentiana Dervishi: të krijojë mundësi prezantimi për stilistët, por edhe marrëdhënie profesionale që mund t’i ndihmojnë të ndërtojnë një karrierë të qëndrueshme.

Milano dhe Parisi, dy prezantime me identitete të ndryshme
Në fund të shtatorit, GX Fashion Week u zhvillua në Palazzo dei Giureconsulti, pranë Duomos së Milanos. Pak ditë më vonë, në Paris, sfilatat u organizuan në Musée Banksy, në Montmartre.
Për Gentianën, zgjedhja e dy hapësirave nuk lidhej vetëm me vendndodhjen, por edhe me karakterin që dëshironte t’i jepte secilit prezantim.
‘Në Milano, në kontekstin historik dhe prestigjioz të Palazzo Giureconsulti, në zemër të Piazza Duomo, kemi dashur të shprehim një dimension të lidhur me ekselencën sartoriale, kërkimin krijues dhe dialogun mes kulturave të ndryshme të modës. Në Paris, në Musée Banksy, kemi zgjedhur të vendosim modën në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me artin bashkëkohor, duke eksploruar një gjuhë më eksperimentale dhe më të lirë’, shpjegon ajo për THELB.
Në këndvështrimin e saj, një event mode duhet të ketë një identitet të dallueshëm, pavarësisht qytetit ku zhvillohet. Prandaj, synimi nuk është të përsëritet i njëjti format, por të ndërtohen prezantime që i përgjigjen kontekstit kulturor dhe krijues të secilit qytet.
Organizimi i tyre kërkon bashkëpunimin e një numri të madh profesionistësh. Nga përzgjedhja e modeleve te produksioni, fotografia, komunikimi dhe marrëdhëniet institucionale, çdo element duhet të funksionojë brenda një strukture të përbashkët.
‘Sfida më e madhe është të transformosh shumë profesione, kultura pune dhe përgjegjësi të ndryshme në një sistem të vetëm, të qartë dhe efikas’, thotë Gentiana.
Për të, marrëdhëniet e krijuara gjatë këtyre organizimeve kanë vlerë kur vazhdojnë edhe pas përfundimit të eventit.

Nga përzgjedhja e stilistëve te mundësitë profesionale
Një nga aspektet që karakterizon GX Fashion Week është prania në të njëjtën pasarelë e stilistëve me përvojë, markave të konsoliduara dhe talenteve të reja. Sipas Gentianës, përzgjedhja nuk mbështetet te kohëzgjatja e karrierës, por te identiteti krijues, cilësia e projektit dhe aftësia për ta zhvilluar atë profesionalisht.
‘Një dizajner mund të ketë një karrierë të gjatë ose mund të jetë në fillimet e tij, ajo që na intereson është nëse zotëron një identitet të dallueshëm, një kërkim të vërtetë krijues dhe aftësinë për ta shndërruar idenë në një gjuhë të qartë dhe profesionale.’
Në këtë proces, AIFF ku Dervishi është presidente dhe GX Fashion Week kanë funksione të ndryshme. Gentiana shpjegon se AIFF synon të identifikojë dhe të mbështesë talentet, të ndërtojë marrëdhënie me akademitë, profesionistët dhe mediat, ndërsa GX merret me realizimin e prezantimeve ndërkombëtare, nga produksioni dhe përzgjedhja e modeleve te organizimi teknik dhe komunikimi.
Por çfarë ndodh me një stilist pasi ka përfunduar sfilata?
Kjo është një nga pyetjet më të rëndësishme për të kuptuar vlerën reale të një prezantimi ndërkombëtar. Një koleksion mund të tërheqë vëmendjen e publikut, të sigurojë fotografi profesionale dhe të krijojë mundësi komunikimi. Megjithatë, për të ndërtuar një markë duhen edhe njohuri për prodhimin, shpërndarjen, pozicionimin në treg dhe marrëdhëniet me blerësit. Gentiana është e qartë për kufijtë e asaj që mund të ofrojë një organizim i tillë:
‘Një platformë serioze nuk mund të premtojë automatikisht një kontratë, një buyer apo një shpërndarje ndërkombëtare. Ajo që mund të bëjë është të krijojë një mjedis të kualifikuar ku këto mundësi të kenë më shumë gjasa të lindin.’ shprehet ajo.
Përmes AIFF, Dervishi synon të forcojë lidhjet me showroom-e, blerës, media dhe profesionistë ndërkombëtarë, në mënyrë që prezantimi në pasarelë të mos mbetet një përvojë e izoluar. Kjo është edhe një nga sfidat e modës shqiptare. të kalojë nga dukshmëria e krijuar nga një event te mundësia për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme tregtare dhe profesionale.

Talenti ekziston, po infrastruktura?
Në Paris, një pjesë e rëndësishme e programit iu kushtua studentëve dhe të diplomuarve nga akademitë e modës në Shqipëri dhe rajon. THELB ndoqi prezantimet e tyre, ku krahas interesit për materialet dhe siluetat, u shfaqën edhe kërkime mbi teknologjinë, identitetin dhe të ardhmen.
Gentiana vlerëson se brezi i ri ka potencial krijues dhe përgatitje teknike, por thekson se kalimi nga akademia në tregun profesional mbetet një sfidë.
‘Sot një dizajner nuk mund të jetë vetëm kreativ, duhet të kuptojë pozicionimin e markës, prodhimin, komunikimin, shpërndarjen, tregun dhe mënyrën se si funksionojnë marrëdhëniet profesionale ndërkombëtare.’
Ajo përmend fort kontributin e akademive si Fashion Textile UArt, International Fashion Institute Izet Curi, La Griffe Academy dhe Albanian Design Academy në formimin e talenteve të reja. Për Gentiana Dervishin, sfida qëndron pikërisht te krijimi i lidhjeve mes formimit profesional dhe industrisë. Akademitë mund të përgatisin talente, por zhvillimi i tyre kërkon edhe njohuri për prodhimin, tregun dhe ndërtimin e një marke.
Kjo nevojë bëhet edhe më e dukshme kur shohim krijimtarinë e stilistëve shqiptarë në rajon. Për Gentianën, identiteti i modës shqiptare qëndron pikërisht te larmia e krijimtarisë. Ajo beson se stilistët duhet të kenë lirinë të zhvillojnë gjuhën e tyre, duke marrë frymëzim nga trashëgimia, arti apo temat bashkëkohore, pa u kufizuar në një estetikë të përbashkët.
‘Për mua, identiteti shqiptar nuk duhet të kthehet në kufizim. Duhet të jetë një pikë force. Një dizajner duhet të jetë i lirë të nisë nga kultura e vet dhe ta shndërrojë atë në një gjuhë universale.’

Një industri që kërkon më shumë vëmendje
Përtej përvojës së Milanos dhe Parisit, mbetet një çështje që THELB e konsideron të rëndësishme: mbështetja institucionale për zhvillimin e modës shqiptare.
Shqipëria ka një traditë në prodhimin e veshjeve, atelie dhe profesionistë të zanatit, akademi dhe një brez të ri stilistësh që kërkojnë të zhvillojnë markat e tyre. Megjithatë, ekzistenca e këtyre elementeve nuk do të thotë se kemi ndërtuar tashmë një industri mode të konsoliduar, të aftë të mbështesë në mënyrë të vazhdueshme krijimtarinë dhe praninë në tregjet ndërkombëtare.
Iniciativa si Albania Fashion Week dhe prezantimet e GX Fashion Week tregojnë se ka përpjekje për të krijuar hapësira të reja. Por një zhvillim afatgjatë kërkon më shumë sesa angazhimin dhe burimet e organizatorëve privatë. Kërkon politika mbështetëse, bashkëpunim mes institucioneve dhe sektorit privat, mundësi për prodhim, promovim dhe lidhje me tregjet.
Ky është një vlerësim editorial i THELB, i mbështetur edhe në përvojën tonë të ndjekjes së këtyre aktiviteteve. Nuk është një kritikë që Gentiana Dervishi ka shprehur ndaj institucioneve gjatë intervistës.
Ajo vetë e trajton çështjen nga këndvështrimi i zhvillimit të industrisë.
‘Do të doja që moda në Shqipëri të trajtohej si një sektor strategjik dhe jo vetëm si imazh apo spektakël. Moda është kulturë, por është gjithashtu ekonomi, punësim, zejtari, formim profesional, industri krijuese dhe pozicionim ndërkombëtar.’
Është një argument që meriton vëmendje!
Në një treg të vogël, zhvillimi i një industrie krijuese mund të kërkojë edhe bashkëpunim rajonal. Talentet shqiptare që krijojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi përfaqësojnë një potencial që mund të lidhet përmes projekteve, akademive, prodhimit dhe marrëdhënieve profesionale. Por për ta kthyer këtë potencial në mundësi ekonomike, duhen struktura që funksionojnë edhe kur nuk ka sfilata.

Çfarë vjen pas Milanos dhe Parisit?
Pas prezantimeve ndërkombëtare, vëmendja e Gentiana Dervishit kthehet te zhvillimi i projekteve në Shqipëri. Albania Fashion Week mbetet një nga iniciativat kryesore të AIFF në vend, me synimin për të ndërtuar një platformë ku takohen stilistë, akademi, profesionistë, media dhe përfaqësues të tregut.
Paralelisht, ajo tregon se po punohet për Tirana Fashion Week, me fokus te talentet e reja dhe eksperimentimi krijues, si dhe për Fashion Future Forum, një hapësirë e menduar për diskutime mbi inovacionin, teknologjinë, qëndrueshmërinë dhe ekonominë krijuese.
Janë projekte që, nëse zhvillohen sipas këtij vizioni, mund të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi më të strukturuar për modën në Shqipëri. Për Gentianën, synimi afatgjatë është që stilistët shqiptarë të mos mbeten vetëm pjesëmarrës në pasarela ndërkombëtare, por të ndërtojnë marka, atelie, kompani dhe marrëdhënie të qëndrueshme me tregun.
‘Për mua, suksesi i vërtetë nuk është ta çojmë modën shqiptare në botë një herë. Është të ndërtojmë kushtet që ajo të ketë një vend të qëndrueshëm, të respektuar dhe konkurrues në sistemin ndërkombëtar.’

Nga Tirana në Milano dhe Paris, Gentiana Dervishi po përpiqet të zhvillojë një rrugë që kërkon kohë, burime dhe bashkëpunime të vazhdueshme. Përvoja e këtyre muajve ka treguar se pas çdo prezantimi qëndron një punë e madhe, shpesh e padukshme për publikun. Por, ka treguar edhe diçka tjetër: talenti dhe përkushtimi individual mund të hapin dyer; për të ndërtuar një industri, duhet që ato dyer të mos varen vetëm nga përpjekjet e disa njerëzve.
Intervistë dhe vështrim editorial: Jerina Luka / THELB
THELB ka qenë partner mediatik i Albania Fashion Week dhe ka ndjekur nga afër prezantimet e GX Fashion Week në Milano dhe Paris.

