Për disa stilistë, moda nis nga forma, materiali apo vetë veshja. Për Klarisa Vulaj, krijimi duket se lind diku më thellë: tek kujtimet, përjetimet personale dhe mënyra si emocionet mund të marrin formë përmes vetë procesit krijues. Pikërisht mbi këtë botë intime është ndërtuar edhe LUVA, marka që stilistja e re shqiptare ka zhvilluar si një zgjatim të identitetit të saj artistik dhe personal.
25-vjeçarja, e lindur dhe e rritur për disa vite mes Shqipërisë dhe Italisë, e përshkruan modën si një zgjedhje profesionale të ardhur jo rastësisht, por si diçka që e ka ndjekur prej kohësh. ‘E kuptova shumë herët që moda për mua nuk ishte vetëm një pasion apo një dëshirë për të krijuar diçka estetikisht të bukur. Ishte një mënyrë shumë personale për të treguar pjesë të vetes që shpesh nuk arrija t’i shpreh me fjalë’, rrëfen ajo. Formimin e saj profesional e vazhdoi pranë Albanian Design Academy, ku u formësua artistikisht nën mentorimin e Elsida Pepës dhe Ardi Asllanit.

Eksperienca mes dy vendeve duket se ka ndikuar ndjeshëm edhe në mënyrën si ajo e kupton estetikën sot. Shqipëria, sipas saj, i ka dhënë lidhjen me rrënjët dhe autenticitetin, ndërsa Italia ka ushqyer syrin e saj estetik për elegancën, finesën dhe kulturën e detajit. Një ekuilibër mes dy botëve që duket se reflektohet natyrshëm edhe në mënyrën si krijon.
Vetë emri LUVA mbart një domethënie intime. Ai vjen nga mbiemri i saj, Vulaj, i lexuar mbrapsht, një zgjedhje që lidhet me dëshirën për të krijuar një brand të ndërtuar mbi identitet personal dhe rrënjët e saj. Për Klarisën, LUVA përfaqëson jo vetëm një markë mode, por një botë të tërë ku bashkohen historia personale, krijimi dhe mënyra si ajo e percepton feminilitetin.

Ashtu si vetë marka, edhe gruaja e LUVA-s duket se largohet nga ideja e estetikës së ndërtuar për të impresionuar. Në vizionin e Klarisës, veshja nuk ka për qëllim të ndryshojë identitetin e një gruaje, por të krijojë një raport më të thellë mes saj dhe mënyrës si ajo ndihet, si dëshiron të shprehë veten përmes veshjes. Eleganca, në këtë rast, lidhet më shumë me autenticitetin sesa me vetë pamjen. ‘Dua që një grua që vesh LUVA-n të ndihet elegante, e fortë, e sigurt dhe plotësisht vetvetja’, shprehet ajo.

Kjo qasje personale duket se shfaqet vazhdimisht edhe në gjuhën estetike që ka ndërtuar. Në krijimet e saj rikthehen shpesh format ovale, linjat me rrjedhshmëri të butë të siluetave, tonet e errëta dhe veçanërisht bordo, një ngjyrë që për të simbolizon gjakun, forcën, trashëgiminë dhe vazhdimësinë. Nuk është rastësi që bordoja është kthyer gradualisht edhe si pjesë të identitetit vizual të LUVA-s, ashtu si edhe prania e vazhdueshme e formave ovale.



Në punën e Klarisës, moda duket se është thellësisht autobiografike. Çdo koleksion lidhet me një përjetim, një kujtim apo një periudhë të caktuar të jetës së saj. Kjo shihet edhe në evolucionin e koleksioneve të saj, nga ‘Pëlhurat e Mermerta’, tek ‘Rooted Grace’ e deri tek ‘Cor Vivum’, koleksioni i prezantuar në edicionin më të fundit të Albania Fashion Week. Vetë stilistja e përshkruan këtë të fundit si projektin më personal deri më sot, një koleksion ku reflektime, kujtime dhe emocione janë përkthyer drejtpërdrejt në art dhe veshje.

Në krijimet e saj ndihet gjithashtu ndikimi i artit barok, një dimension estetik që e ka frymëzuar vazhdimisht për intensitetin, kontrastet dhe madhështinë vizuale që mbart. Për Klarisën, moda nuk nis kurrë vetëm nga estetika. ‘Gjithmonë duhet të ekzistojë një histori apo një ndjesi që e mban të gjithë koleksionin të bashkuar’, thotë ajo.

Rrugëtimi i saj ka nisur gradualisht të kalojë edhe kufijtë shqiptarë. Përmes Albanian International Fashion Federation (AIFF) dhe pjesëmarrjes në Albania Fashion Week, krijimet e saj janë prezantuar edhe në Milan Fashion Week, ndërsa puna e saj është publikuar në revista ndërkombëtare si Vogue, Harper’s Bazaar dhe Glamour, një arritje domethënëse për një krijuese që ndodhet ende në fazat e para të ndërtimit të identitetit të saj.


Por rrugëtimi nuk ka qenë linear. Në prillin e këtij viti, zjarri që përfshiu pallatin në qendër të Tiranës, një ngjarje që mori vëmendje të gjerë në mediat shqiptare, preku drejtpërdrejt edhe studion ku Klarisa Vulaj zhvillonte punën e saj krijuese. Bashkë me atë hapësirë, ajo humbi shumë më tepër se një vend pune.
‘Studioja jonë nuk ishte vetëm një vend pune. Për mua dhe kolegen time ishte një hapësirë ku kemi kaluar ditë të tëra duke ëndërruar, krijuar dhe sakrifikuar për atë që donim të ndërtonim. Pas zjarrit ndjeva sikur humba jo vetëm një hapësirë fizike, por edhe një vend plot kujtime, histori dhe momente që kishin shumë vlerë për mua’, rrëfen Klarisa.

Megjithatë, edhe kjo eksperiencë duket se nuk ka ndryshuar mënyrën si ajo e sheh rrugën e saj si krijuese. ‘Rruga ime vazhdon! Nuk më intereson të krijoj diçka vetëm për të pasur vëmendje. Dua që çdo koleksion të ketë thellësi, karakter dhe autenticitet’, shprehet e vendosur ajo pavarësisht momentit që po kalon.
Historitë si ajo e Klarisa Vulajt të rikujtojnë vazhdimisht se Shqipërisë nuk i mungon talenti. Ajo që vazhdon të mungojë shpesh janë kushtet, infrastruktura dhe hapësira e nevojshme që ky talent të mund të zhvillohet, të eksperimentojë dhe të arrijë aty ku potenciali i tij real e çon natyrshëm. Një brez i ri krijuesish po shfaqet gjithnjë e më qartë, me vizion, me identitet dhe me një dëshirë të fortë për të ndërtuar diçka autentike, por përballet vazhdimisht me realitete që e bëjnë këtë rrugë shumë më të vështirë dhe shpesh të pamundur.
Pikërisht në ditë si këto, kur një brez i tërë të rinjsh ka zgjedhur të reagojë dhe të mos pajtohet më me kufijtë që i imponohen përballë talentit, punës dhe mundësive, historia e Klarisës merr një kuptim edhe më të madh, të sjell në vëmendje se sa e jetike është që rruga e atyre që kanë diçka reale për të krijuar, për të ndërtuar dhe për të lënë pas. Ky potencial, kjo energji duhet jo vetëm të mos pengohet, por të mbështetet.

Një vend nuk humbet vetëm kur njerëzit largohen prej tij, por edhe kur nuk arrin të mbrojë, të kuptojë dhe të mbajë pranë ata që kanë ende diçka të bukur për të ndërtuar brenda tij.
– THELB,

