A mund të jetë Haute Couture pjesë e jetës së përditshme? Pierpaolo Piccioli mendon se po.

4 Min Read

Ka disa sfilata që prezantojnë një koleksion të ri dhe ka të tjera që shënojnë fillimin e një epoke. Një prej tyre ishte debutimi i Pierpaolo Piccioli-t në krye të Balenciaga-s, i prezantuar gjatë Javës Haute Couture në Paris.

Pas viteve në Valentino, ku ndërtoi një nga identitetet më të njohura të modës bashkëkohore, ardhja e stilistit italian te Balenciaga ishte një nga lëvizjet më të komentuara të industrisë. Pyetja ishte e natyrshme: si do të bashkëjetonte vizioni i tij me trashëgiminë e një shtëpie mode që ka ndryshuar përgjithmonë mënyrën se si krijohen veshjet e modës?

Përgjigjja nuk erdhi përmes nostalgjisë dhe as përmes një shkëputjeje nga e kaluara. Piccioli zgjodhi të ruajë frymën e Balenciaga-s, por ta lexojë atë në mënyrën e tij.

Për dekada me radhë, Balenciaga është identifikuar me forma të mëdha, prerje të guximshme dhe veshje që shpesh kanë sfiduar mënyrën tradicionale të të menduarit për trupin. Në koleksionin e tij të parë Haute Couture, Piccioli nuk i braktis këto elemente. Ai u jep një dimension tjetër. Volumet mbeten, por nuk duken të rënda. Përkundrazi, krijojnë përshtypjen se lëvizin bashkë me trupin.

Vetë stilisti ka shpjeguar se dëshironte të sillte një ide tjetër për Haute Couture: një modë që ruan mjeshtërinë dhe punimin artizanal, por që nuk duket e largët nga jeta e sotme. Veshje që mund t’i imagjinosh të veshura nga një grua reale dhe jo vetëm të admiruara në pasarelë. Kjo filozofi ndihet gjatë gjithë koleksionit. Kostumet me pantallona bashkëjetojnë me fustane të lehta, palltot marrin forma monumentale pa humbur ndjesinë e lëvizjes, ndërsa transparencat, puplat dhe qëndisjet përdoren me masë, duke krijuar një ekuilibër mes dramës së modës dhe elegancës.

Një nga momentet më të komentuara ishte dalja e Gigi Hadid, e veshur me një krijim skulpturor të mbuluar me pupla, që përfshinte kokën dhe bustin. Në disa dalje të tjera, kapelat e realizuara në bashkëpunim me Philip Treacy e bënin pothuajse të pamundur të kuptoje se ku mbaronte moda dhe ku fillonte skulptura.

Megjithatë, risitë e koleksionit nuk qëndronin vetëm te ajo që shihej. Për herë të parë, Balenciaga përdori skanime 3D të trupit për ndërtimin e disa krijimeve Haute Couture. Në vend të manekinëve standardë, atelieri krijoi forma të personalizuara sipas trupit të secilit model. Mbi to u ndërtuan më pas pallto dhe fustane që përshtateshin me saktësi me siluetën e personit që do t’i vishte.

Edhe materialet tregojnë të njëjtën qasje. Krahas teknikave tradicionale të punimit me dorë, Piccioli prezanton Amsilk, një fibër inovative me pamje të ngjashme me mëndafshin, si edhe rikthen neo-gazar, një material historik i lidhur me trashëgiminë e Cristóbal Balenciaga-s, të cilin e përdor për t’u dhënë formë siluetave të reja.

Edhe aksesorët marrin një interpretim të ri. Çanta ikonike City Bag rikthehet në versione Haute Couture, e punuar me metal dhe kristale, duke treguar se edhe elementët më të njohur të shtëpisë mund të marrin një jetë të re.

– THELB,

Share This Article