Nga Albania Fashion Week te Harper’s Bazaar, rrugëtimi i Klarisa Vulaj

1 Min Read

Një moment i rëndësishëm për stilisten e re shqiptare Klarisa Vulaj, e cila po shënon hapa të rëndësishëm drejt skenës ndërkombëtare të modës. Falë mbështetjes së Albanian International Fashion Federation (AIFF), themeluesja e brandit LUVA ka tërhequr vëmendjen e revistës prestigjioze Harper’s Bazaar.

Përmes lidhjeve të krijuara me qytete të rëndësishme të modës, AIFF po ndihmon në promovimin e stilistëve shqiptarë duke u hapur rrugë drejt mundësive ndërkombëtare dhe një audience më të gjerë. Prezantimet në Albania Fashion Week, si dhe pjesëmarrjet në javët e modës në qytete si Milano dhe Paris, tregojnë këtë përpjekje për të sjellë talentin shqiptar më afër industrisë ndërkombëtare.

Me brandin LUVA, Klarisa Vulaj zhvillon një qasje intime ndaj dizajnit, ku veshja shndërrohet në një gjuhë personale të ndërtuar mbi emocione dhe përvoja të brendshme. Koleksioni i saj më i fundit, “COR VIVUM”, i prezantuar në Albania Fashion Week, reflekton pikërisht përvojat e saj si artiste, të përkthyera në estetikë, forma dhe tekstile.

Në këtë rrugëtim, stilistja e re po ndërton një identitet të dallueshëm duke u bërë pjesë e një brezi të ri stilistësh shqiptarë që po gjejnë vendin e tyre edhe përtej kufijve të vendit.

 

Share This Article