Xheksil Muça: Traditën shqiptare nuk mjafton ta riprodhosh

19 Min Read

Nga centrot e gjysheve dhe kostumet tradicionale te koleksioni ‘Shtojzovalle’, i prezantuar në Milano, stilisti 24-vjeçar Xheksil Muça po ndërton një krijimtari ku historia, mitologjia dhe mjeshtëria artizanale shqiptare marrin forma bashkëkohore. Në një intervistë për THELB, ai rrëfen rrugëtimin e tij, marrëdhënien me artin, koleksionet që e kanë formuar dhe ambicien për ta bërë PLISI-n një emër të dallueshëm në modë.

Më 28 shtator, në Palazzo dei Giureconsulti, gjatë GX Fashion Week në Milano, stilisti shqiptar Xheksil Muça prezantoi koleksionin Shtojzovalle. Në pasarelë, figurat e frymëzuara nga mitologjia shqiptare morën formë përmes shtresëzimeve të tylit, transparencave dhe kurorave me brirë dhie. Ishte një koleksion ku veshja i afrohej kostumografisë dhe ku figura femërore shfaqej mes delikatesës, forcës, reales dhe mitologjikes.

Për stilistin 24-vjeçar, i cili e ka ndërtuar krijimtarinë e tij mbi trashëgiminë kulturore shqiptare, Milano ishte një tjetër hap në rrugëtimin ndërkombëtar. Prezantimi i tij u pasqyrua edhe nga media italiane ‘Il Metropolitano’, e cila u ndal te interpretimi i folklorit shqiptar nga stilisti dhe te puna artizanale që karakterizonte koleksionin.

Por historia e Xheksil Muçës nuk fillon në Milano. Për ta kuptuar atë që ai krijon sot, duhet të kthehemi pas në kohë, kur përpara se ai të mendonte për profesionin e stilistit, kishte filluar të vërente se si kombinoheshin veshjet.

‘Që kur kam qenë fëmijë, kisha kritika për njerëzit, për mënyrën se si ata visheshin, qoftë kjo edhe me familjen time. U thoja: ‘Kjo gjëja nuk shkon me këtë’, kujton ai në bisedën për THELB.

Interesi për pamjen u shoqërua me talentin për vizatim. Ishte një mësues i shkollës nëntëvjeçare që, pasi e ndoqi për rreth dy vite, e orientoi drejt Liceut Artistik ‘Jordan Misja’ në Tiranë. Atje Xheksili zgjodhi specialitetin e tekstilit dhe modës, ndërsa më vonë vijoi studimet në Universitetin e Arteve.

‘Në lice kam studiuar edhe pikturë, por e gjeja më shumë veten te moda. Ndihesha një njeri tjetër kur ndiqja leksionet e para të modës.’

Shkolla i dha njohuritë e para, por ai e lidh zhvillimin e tij profesional edhe me orët e gjata të punës individuale. Një nga mësimet më të rëndësishme, sipas tij, ishte të kuptonte dallimin mes një skice dhe realizimit të saj. Materiali mund të sillet ndryshe nga sa është parashikuar dhe një ide, sado e qartë në letër, ndryshon gjatë procesit të punës.

Kjo marrëdhënie me materialin është bërë pjesë e mënyrës se si ai e mendon modën. Xheksili nuk niset gjithmonë nga pyetja se sa e përdorshme do të jetë një veshje. Shpesh, ajo fillon si një objekt artistik.

‘Kam menduar që ta sjell veshjen si një vepër arti në radhë të parë, dhe më pas duke menduar mënyrën e veshjes’, shpjegon ai. ‘Për momentin mendoj që duhet t’i tregoj botës që edhe unë ekzistoj.’

Është një zgjedhje që tregon edhe fazën në të cilën ndodhet krijimtaria e tij. Përpara kërkesave të tregut, prodhimit dhe shitjes, Xheksili po përpiqet të përcaktojë gjuhën krijuese me të cilën dëshiron të njihet.

PLISI, një emër që nis nga identiteti

Emri i markës së tij lindi gjatë studimeve Master në Universitetin e Arteve, kur studentëve iu kërkua të mendonin një emër për markën me të cilën do të prezantoheshin në të ardhmen. Për Xheksilin, zgjedhja duhej të kishte lidhje me një interes që e kishte shoqëruar që nga liceu: folklorin shqiptar.

‘I kisha vendosur vetes qëllim që, nëse do të bëhem stilist, dua të njihem si stilisti që frymëzohet nga folklori ynë shqiptar.’

Pas disa kërkimeve, ai u ndal te fjala plis. Ishte një emër i shkurtër, i lehtë për t’u shqiptuar dhe i lidhur me një element të njohur të identitetit shqiptar. Rastësisht, edhe ngjyra e tij përkonte me atë që Xheksili parapëlqente të përdorte më shumë në krijimet e veta: të bardhën. Sot, e bardha është një nga elementet më të dallueshme të punës së tij. Ai e lidh me pastërtinë, paqen dhe mirësinë, por edhe me dëshirën që një ditë të njihet si ‘stilisti i të bardhave’.

Megjithatë, identiteti i PLISI-t nuk qëndron vetëm te emri apo ngjyra. Ai zhvillohet përmes një marrëdhënieje të vazhdueshme me kostumografinë, ornamentet, teknikat e punimit dhe historitë shqiptare. Kjo marrëdhënie ngre edhe një pyetje të rëndësishme për krijuesit që frymëzohen nga trashëgimia kulturore: si mund të përdoret tradita pa përfunduar në riprodhimin e saj? Xheksili e pranon se kjo ka qenë një nga dilemat e tij.

‘Gjithmonë e kam pasur si një pengesë në mendje faktin se mos bëhem një ‘kopjues’ apo ripërsëritës i traditës.’

Përgjigjen e ka kërkuar te transformimi i motiveve.

‘Nuk është e nevojshme ta marr motivin dhe ta vendos në një veshje. Në këtë rast nuk kam prodhuar diçka të re. Më pas kam filluar ta deformoj këtë motiv dhe ta bëj më abstrakt e më modern për kohën, por duke treguar shumë kujdes që të mos e tjetërsoj apo t’i humb origjinalitetin.’

Këtu qëndron edhe një nga aspektet më interesante të punës së tij. Xheksili nuk kërkon vetëm të tregojë prej nga vjen një motiv, por të zbulojë se çfarë mund të bëhet me të në një veshje sot. Për të, identiteti lokal nuk është pengesë për një karrierë ndërkombëtare. Përkundrazi, ai beson se kultura e trashëguar mund të jetë ajo që e dallon një stilist në një industri me konkurrencë të fortë.

E bardha, spiralja dhe centrot që dolën nga sënduku

Nëse e bardha është ngjyra që e identifikon, spiralja është një nga motivet më të veçanta që përsëriten në krijimtarinë e Xheksilit.

Interesi për të lindi gjatë vitit të tretë Bachelor, kur po kërkonte një simbol me histori dhe domethënie. Gjatë hulumtimeve, ai e lidhi spiralen me motivet e lashta dhe simbolikën e diellit, ndërsa më vonë e dalloi edhe në veshjet popullore shqiptare. Fillimisht e përdori si aksesor, duke e trajtuar në formën e një maske veneciane të realizuar me kordon spiral. Me kalimin e kohës, motivi u bë pjesë e identitetit vizual të koleksioneve të tij.

Por ndoshta historia më personale e krijimtarisë së Xheksilit lidhet me centrot e gjysheve. Objekte të zakonshme në shtëpitë shqiptare të brezave të mëparshëm, të punuara me grep dhe të ruajtura shpesh si pjesë e pajës, ato janë kthyer në material krijues për stilistin. Centrot që ai ka përdorur në koleksionet e tij janë punuar nga gjyshet dhe janë ruajtur për vite në një sënduk, të cilin sot e trashëgon e ëma.

‘E gjithë kjo kujtesë familjare e mbajtur në një cep të shtëpisë, u kthye në një vlerë të veçantë nëpër veshje’, tregon ai.

Interesi i Xheksilit për këto punime lidhet me teknikën, durimin dhe kohën që kërkon realizimi i tyre. Përmes veshjeve, ai përpiqet t’u japë një vend të ri objekteve që mbartin punën dhe kujtesën e grave të familjes.

Në krijimtarinë e tij shfaqen edhe perlat, të cilat i përdor për të krijuar kontrast me siluetat e forta dhe format voluminoze. Ai i përfytyron si një element delikat që qëndron përballë strukturës së veshjes, njësoj si perla brenda guaskës së saj mbrojtëse.

Këto elemente, të marra nga burime të ndryshme, gradualisht kanë krijuar një fjalor vizual që Xheksili e zhvillon nga një koleksion në tjetrin.

Nga The Brides te Illyris, koleksionet që formuan PLISI-n

Koleksioni i parë, The Brides, u realizua për diplomimin Bachelor në Universitetin e Arteve.

I tërhequr nga kostumet tradicionale të veriut, Xheksili zgjodhi xhokën e Mirditës dhe figurën e nuses mirditore si pikënisje. Atij i interesonin format, ngjyrat, aksesorët dhe mënyra se si veshja tradicionale shprehte zakonet dhe rolin e gruas në shoqëri. Për një stilist që po prezantohej për herë të parë, ishte e rëndësishme që koleksioni të kishte karakterin e një vepre artistike.

Me Soft, koleksionin e dytë, ai kaloi drejt një eksperimentimi më të theksuar me materialin dhe volumin. I realizuar gjatë vitit të parë Master, koleksioni përbëhej nga tri veshje monumentale, të ndërtuara me fibër pambuku. Xheksili përmend mes referencave të tij shtëpinë japoneze Comme des Garçons dhe artisten Karine Jollet. Ishte gjithashtu koleksioni ku centrot e gjysheve hynë për herë të parë në punën e tij, të vendosura mbi forma voluminoze dhe të trajtuara me teknika të ndryshme.

Më pas erdhi Illyris, ku interesi për identitetin shqiptar mori një drejtim tjetër: legjendat. Frymëzimi lindi nga historitë që gjyshja i tregonte gjatë fëmijërisë. Rozafa, princesha Argjiro, Shkëmbi i Vajës, Guri i Përmetit dhe legjenda e Beratit u bënë pjesë e kërkimit të tij krijues. Duke studiuar këto rrëfime, Xheksili vuri re se figura femërore kishte një rol qendror në shumë prej tyre.

‘Kjo ishte ajo që më bindi për ta finalizuar këtë projekt, duke marrë parasysh faktin që jetojmë në një botë ku ende roli i saj diskutohet.’

Me Illyris, ai u rendit mes dhjetë finalistëve të edicionit të katërt të Muza Competition dhe fitoi çmimin e tretë. Arritja kishte një domethënie të veçantë, sepse në një edicion të mëparshëm nuk kishte arritur të fitonte.

‘Fillimisht u mërzita, madje mendova që nuk do të merrja më pjesë sërish. Por me kalimin e kohës mendova që asgjë nuk kishte përfunduar.’

Ai iu kthye punës dhe përgatiti një koleksion tjetër, më të zhvilluar në koncept dhe realizim. Sot, atë përvojë e sheh si një pjesë të rëndësishme të rritjes së tij profesionale.

 

Nga Rumania në Albania Fashion Week

Përvoja e parë ndërkombëtare e Xheksil Muçës erdhi në korrik të vitit 2024, në Feeric Fashion Week, në Sibiu të Rumanisë. Mundësia iu krijua përmes një pedagogeje të Universitetit të Arteve, e cila kishte marrë ftesë nga organizatorët dhe e përzgjodhi për të prezantuar koleksionin e diplomimit, The Brides.

Për një stilist që sapo kishte filluar rrugëtimin profesional, përballja me një publik ndërkombëtar ishte një provë e rëndësishme. Ai kujton se koleksioni u prit pozitivisht dhe, sipas vlerësimit që i komunikuan organizatorët, u konsiderua ndër pesë prezantimet më të mira të atij edicioni.

‘Sigurisht, unë isha në fillimet e mia dhe kisha goxha gjëra për të mësuar, por në atë periudhë u ndjeva shumë i vlerësuar.’

Në Shqipëri, një tjetër moment i rëndësishëm ishte pjesëmarrja në edicionin e dytë të Albania Fashion Week. Në edicionin e parë, Xheksili kishte qenë pjesë e publikut. Nuk kishte një koleksion të përfunduar dhe kishte zgjedhur ta ndiqte aktivitetin nga salla.

Një edicion më vonë, u kthye si stilist me markën PLISI dhe koleksionin The Death Bride. Frymëzuar nga një legjendë tragjike e zonës së Ndroqit, koleksioni trajtonte figurën e nuses si simbol sakrifice, por edhe force e guximi. Në vend të fustanit klasik të nusërisë, Xheksili propozoi veshje të bardha me linja më të pastra dhe elemente folklorike, duke i kushtuar vëmendje edhe teknikave të rrobaqepësisë.

Një prej motiveve që përdori ishte peshqiri varës, i marrë nga kostumi popullor i Tiranës dhe i interpretuar përmes rruazave të perlave. Për Xheksilin, ky prezantim shënoi daljen e PLISI-t si markë me një identitet më të përcaktuar.

Shtojzovalle, nga legjenda shqiptare në pasarelat e Milanos

Në Milano, Xheksili iu rikthye një prej burimeve më të rëndësishme të krijimtarisë së tij: mitologjisë shqiptare.

Koleksioni Shtojzovalle, i prezantuar gjatë GX Fashion Week, merr frymëzim nga legjenda e Mujit dhe Zanave. Në mitologjinë shqiptare, shtojzovallet përfytyrohen si qenie të mbinatyrshme, të lidhura me natyrën, këngën dhe vallen. Në interpretimin e Xheksilit, ato bëhen figura përmes të cilave ai trajton forcën, pavarësinë dhe bukurinë femërore.

‘Figura e tyre mishëron energjinë femërore, bukurinë, perfeksionin dhe mitologjinë’, shpjegon ai për THELB.

Koleksioni është ndërtuar kryesisht mbi tylin, një material që Plisi e përdor për të krijuar lidhjen mes botës njerëzore dhe asaj mitologjike.Shtresëzimet, lidhjet e shumta dhe transparencat i japin veshjeve volum, ndërsa siluetat krijojnë përshtypjen e figurave që dalin nga mjegulla. Në përshkrimin e tij, Xheksili e lidh këtë teknikë edhe me imazhin e ujit që rrëshqet mbi një sipërfaqe, duke iu referuar rrëfimeve për zanat që lahen në përrenjtë malorë.

Një nga elementet më të forta vizuale të koleksionit janë brirët e dhisë, të vendosur mbi kokë si kurora ceremoniale. Në kontrast me lehtësinë e tylit, ato i japin figurës femërore një karakter më të egër dhe misterioz. Për stilistin, brirët përfaqësojnë lidhjen e zanave me natyrën dhe krijojnë një figurë hibride, ku bashkohen elementet njerëzore dhe ato mitologjike.

Kjo përballje mes materialeve dhe simboleve është edhe boshti estetik i koleksionit: tyli i lehtë përballë bririt të fortë, transparenca përballë strukturës, delikatesa përballë forcës. Por Shtojzovalle është edhe një koleksion që i kushton rëndësi të veçantë punës së dorës. Xheksili e përshkruan si një homazh ndaj artizaneve shqiptare, durimit dhe mjeshtërisë së tyre në realizimin e detajeve.

Në pasarelën e Milanos, kjo qasje u shfaq përmes veshjeve me struktura komplekse, ku materiali nuk shërbente vetëm për të mbuluar trupin, por për të krijuar një figurë të plotë artistike.

Koleksioni tërhoqi edhe vëmendjen e medias italiane. Il Metropolitano, në mbulimin e GX Fashion Week, veçoi interpretimin bashkëkohor të folklorit shqiptar dhe mënyrën si punimi i tylit, siluetat dhe elementet simbolike krijonin një estetikë të dallueshme.

Për Xheksilin, pjesëmarrja në Milano ishte një moment që e kishte imagjinuar prej kohësh.

‘Shumë herë e kam parë në ekranin e telefonit, por këtë herë është ndryshe’, tregonte ai për THELB në prag të prezantimit.

‘Është një përgjegjësi shumë e madhe për mua dhe brandin tim, pasi përfaqësojmë një copëz Shqipërie në Itali.’

Mes artit dhe modës, një identitet ende në ndërtim

Kur flet për stilistët dhe shtëpitë e modës që e frymëzojnë, Xheksili veçon Schiaparelli-n. Ajo që e tërheq është aftësia për ta trajtuar veshjen si një objekt artistik, për të përdorur simbole dhe elemente surrealiste dhe për të sfiduar mënyrën si perceptohen bukuria dhe trupi.

‘Për mua, moda është më interesante kur nuk të tregon vetëm çfarë të veshësh, por të përcjell një ndjesi, një histori dhe një identitet.’

Kjo mënyrë të menduari shpjegon edhe zgjedhjet e tij krijuese. Deri tani, koleksionet e Xheksilit kanë qenë më pranë kërkimit artistik dhe eksperimentimit me formën sesa një garderobe të përditshme.

Por zhvillimi i një marke kërkon, në një moment të caktuar, edhe përballjen me tregun, klientin dhe prodhimin. Xheksili është i vetëdijshëm për këtë dallim. Për momentin, përparësi ka ndërtimi i një identiteti të dallueshëm, pa hequr dorë nga mënyra e tij e të menduarit për veshjen.

Në moshën 24-vjeçare, ai ka kaluar nga punët universitare te prezantimet në Shqipëri dhe jashtë saj. Megjithatë, PLISI mbetet një markë në zhvillim, me një gjuhë krijuese që po formësohet përmes çdo koleksioni. Kur e pyesim se çfarë do të dëshironte të arrinte pas dhjetë vitesh, përgjigjja e tij nuk lidhet me një pasarelë të caktuar apo me një emër të madh të industrisë.

‘Do të doja që veshjet e mia të kishin një gjuhë të tyren, një ndërthurje mes artit, historisë, traditës dhe një qasjeje bashkëkohore.’

Dhe shton:

‘Nëse ajo veshje do të mund të njihej pa pasur nevojë për një emër, atëherë do ta konsideroja atë një nga arritjet më të mëdha të mia si dizajner.’

Për një stilist që e ka nisur rrugëtimin duke kërkuar një emër të lidhur me identitetin shqiptar, ambicia për të krijuar veshje që një ditë të njihen edhe pa emrin e tij është ndoshta mënyra më e qartë për të kuptuar se çfarë po kërkon të ndërtojë.

Intervistë dhe vështrim editorial nga Jerina LUKA/ THELB

Fotografi: Jori ÇUNI / THELB

Milano, shtator 2026

Share This Article