Maximilian Davis i rimerr format e një garderobe të dikurshme dhe i çon drejt një elegance më të lirë, mes transparencave, veshjeve prej gome dhe teminave që kapin dritën.
Në koleksionin pranverë–verë 2027 të Ferragamo-s, vitet ’40 dallohen që në pamjet e para, kostume me fund, xhaketa të strukturuara, xhepa të mëdhenj dhe një bel i përcaktuar qartë. Por Maximilian Davis nuk i ruan këto forma siç i gjeti. Ai i zbut supet, ndryshon përmasat dhe e zhvendos rripin nga beli në pjesë të tjera të trupit, sikur t’i ketë marrë siluetat e kohës për t’i korrigjuar sipas mënyrës si duam të lëvizim sot.

Ky ndryshim e bën koleksionin interesant. Xhaketat dhe fundet ruajnë njëfarë rregulli, por nuk duken të ngurta. Krahas tyre shfaqen pëlhura të holla, të lidhura e të drapuara rreth trupit, që e bëjnë siluetën më të lirshme. Davis nuk kalon papritur nga një epokë në tjetrën; ai nis me një formë të njohur dhe, dalje pas daljeje, provon sa larg mund ta çojë.
Pastaj vijnë veshjet prej gome të tejdukshme. Është një material që ndryshon krejt mënyrën si lexohet një pardesy apo një fustan, forma mund të të kujtojë një veshje klasike, por sipërfaqja e saj dhe trupi që duket përmes saj i përkasin një tjetër ndjeshmërie. Transparenca nuk mbetet një hollësi e izoluar; ajo përshkon koleksionin, herë duke zbuluar ndërtimin e veshjes, herë duke e afruar atë më shumë me trupin.

Pas kostumeve të strukturuara dhe palltove prej gome të tejdukshme, edhe veshjet e mbrëmjes vazhdojnë lojën mes asaj që mbulohet dhe asaj që duket. Teminat e mëdha shkëlqejnë mbi pëlhura transparente, duke i dhënë fustanit prani të fortë pa e fshehur trupin. Edhe në këto pamje më të dukshme, Davis ruan kujdesin për formën
Në këtë koleksion qëndron figura e Lee Miller-it, fotografes që kaloi nga moda te eksperimentimi artistik e më pas te dokumentimi i luftës. Davis është ndalur te jeta dhe fotografitë e saj duke reflektuar mbi këtë periudhë. Kjo referencë shfaqet si te siluetat e viteve ’40, ashtu edhe te transparencat dhe shkëlqimi, që të kujtojnë eksperimentet e saj me dritën në fotografi.


Në fund të sfilatës, kostumi i fillimit mbetet një pikë referimi, por pranë pardesyve të tejdukshme dhe fustaneve me temina nuk duket më si veshje e marrë nga një dekadë tjetër. Davis ka ruajtur prerjen e saktë dhe belin e theksuar, ndërsa pjesën tjetër e ka bërë të ndihet e kohës sonë.
-THELB,

