Një fillim i ri për Dior Couture

3 Min Read

Në Paris, në ditën e parë të javës së modës ‘Haute Couture’, sfilata e Dior shënon një nga momentet më të rëndësishme të sezonit: prezantimin e koleksionit të parë të këtij niveli të Jonathan Anderson për shtëpinë historike franceze. Një debut i shumëpritur, i ngarkuar me pritshmëri dhe simbolikë, që vendos Dior në qendër të vëmendjes së javës.

Pas sfilatës së Schiaparelli, Dior konfirmohet si eventi kryesor i ditës, në një kalendar katërditor kushtuar koleksioneve ‘Haute Couture’ Pranverë–Verë 2026. Rëndësia e këtij takimi lidhet edhe me faktin se ky është prezantimi i parë i Anderson për Dior, vetëm pak ditë pas sfilatës së tij menswear për sezonin Vjeshtë–Dimër 2026–2027.

Në ambientet e Musée Rodin, në kryeqytetin European të kulturës, skenografia ndërtohet mbi kontraste: mure të veshura me pasqyra dhe një tavan i mbuluar me myshk e tufa ciklaminësh. Një atmosferë që sugjeron idenë e një pranvere të gjallë, por të disiplinuar, në harmoni me vetë koleksionin.

Anderson, prej kohësh ndër stilistët më të vlerësuar të modës bashkëkohore, ndërton në këtë debut në  një dialog të qartë me arkivin e Dior dhe me figurat që kanë shënuar historinë e tij, nga John Galliano te Raf Simons, por pa u mbështetur në nostalgji.

Universi floreal, i pranishëm prej vitesh në gjuhën vizuale të Anderson-it, merr këtu një formë të re: një kopsht ‘i harlisur’ ku volumi, struktura dhe materiali janë protagonistë absolutë. Panier imagjinarë, forma të rrumbullakosura dhe silueta sferike zgjerojnë horizontet e couture, duke i dhënë trup veshjeve që funksionojnë si objekte arti.

Aksesorët janë pjesë integrale e çdo daljeje në pasarelë: çanta maxi, bizhuteri floreale dhe forma të ekzagjeruara që pasqyrojnë energjinë e koleksionit. Sfilata mbyllet sipas traditës me një fustan të bardhë nusërie: një model monoshpatull me sipërfaqe të pastër, i zbukuruar me petale 3D, që zbulon shpirtin floreal të koleksionit.

Debutimi couture i Anderson për Dior ka sjellë në Paris rreshtin e parë të vëzhguesve, me figura kyçe të modës dhe kulturës si Anna WintourRihanna, Brigitte Macron, Jennifer Lawrence, Pierpaolo Piccioli dhe John Galliano, një prani që nënvizon peshën simbolike të këtij momenti për Shtëpinë Dior.

Me këtë koleksion, Jonathan Anderson propozon një vizion të qartë për Dior ‘Haute Couture’: një modë e ndërtuar mbi hulumtim, formë dhe mjeshtëri artizanale, që respekton historinë e’Maison Dior’, por pa u varur prej saj. Një fillim i matur dhe i vendosur për një kapitull të ri.

– THELB

Share This Article