Moda shqiptare në fazën tjetër
Moda shqiptare paraqet mjaftueshëm aktivitet për të mos u trajtuar si dekor. Sot ka marka me aktivitet të qëndrueshëm, një treg të konsoliduar për veshjet ceremoniale, prezencë në rritje në hapësirën digjitale dhe evente si Albania Fashion Week që synojnë strukturë dhe legjitimitet. Këto janë indicie reale të një fushe që ka kaluar fazën e të qenurit spontane. Çështja është: a po funksionon kjo fushë si sektor apo thjesht si një seri iniciativash? Ku synon të arrijë?
Në industritë e konsoliduara, ndarja mes haute couture dhe ready-to-wear është funksionale. Haute couture shërben si territor eksperimentimi dhe prestigji simbolik, ndërsa ready-to-wear përfaqëson bazën ekonomike të sezonit: koleksionet hyjnë në prodhim, kalojnë në showroom, takojnë blerës dhe përkthehen në qarkullim real në treg. Stabiliteti lind nga bashkëjetesa e këtyre dy dimensioneve, nga qartësia e roleve dhe nga lidhja e balancuar mes imazhit dhe tregut.
Modeli shqiptar ka ndjekur një rrugë tjetër. Moda është zhvilluar kryesisht mbi bazën e porosisë individuale dhe reputacionit personal të krijuesit. Veshja ceremoniale ka ndërtuar klientelë dhe vazhdimësi, ndërsa prodhimi në seri mbetet i kufizuar. Edhe markat që operojnë online shpesh funksionojnë me logjikë të ngjashme: prodhim sipas kërkesës, sasi të vogla, reagim i shpejtë ndaj klientit. Kjo ka qenë zgjidhje praktike për një treg të vogël si joni. Ka mbajtur investimin nën kontroll dhe ka shmangur stokun e pa shitur; ka krijuar marrëdhënie direkte mes krijuesit dhe klientit. Brenda kontekstit shqiptar, ky model ka funksionuar.
Por ndërsa diskutohet për javë mode, federatë, për pozicionim ndërkombëtar, pra për idenë e një sektori të organizuar, dalin në pah kufijtë e këtij modeli. Një sektor nuk ndërtohet vetëm mbi iniciativa individuale. Ai kërkon struktura të qëndrueshme që vendosin kritere e krijojnë vazhdimësi për sektorin në tërësi dhe lidhje më të qartë mes ekspozimit dhe tregut.
Organizimi, në këtë kontekst, nuk nënkupton zgjerim artificial apo kopjim modelesh të huaja. Ai nënkupton përcaktim rolesh dhe funksionesh brenda realitetit ekzistues: çfarë përfaqëson një javë mode përtej ekspozimit? Si e krijon lidhjen me tregun vendas? Cilat janë kriteret minimale që dallojnë një prezantim sezonal nga një markë që ndërton identitet e vazhdimësi? Nëse çdo sezon fillon nga zero, çfarë ndërtohet realisht?
Mënyra se si prezantohet moda në një treg si ai shqiptar, ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si zhvillohet ajo. Kur një event mbyllet me fikjen e dritave dhe pa asnjë impakt konkret për markat, ndikimi mbetet simbolik. Nëse një markë rritet vetëm përmes një sezoni të suksesshëm nuk krijon domosdoshmërisht referenca për vazhdimësi. Ashtu si çdo histori suksesi është e shkëputur nga të tjerat, nuk krijon standard. Ai krijohet përmes referencave të përbashkëta, standard në prezantim, standard në komunikim dhe qartësi në ambicije të sektorit vendas.
Po aq e rëndësishme është hapësira e diskutimit. Fushat që zhvillohen kanë gjithmonë një hapësirë ku dokumentohen, analizohen, krahasohen, dhe diskutohen me argument. Pa analizë profesionale, gjithçka mbetet promovim dhe nuk krijohet referencë as strandard dhe zhvillimi mbetet i fragmentuar.
Moda shqiptare nuk ka nevojë për etiketa të mëdha dhe as të quhet industri për të fituar respekt. Ka nevojë për qartësi: çfarë është sot dhe çfarë synon të bëhet. Synon të jetë një rrjet ateliesh të suksesshme apo të funksionojë si sektor me peshë. Nëse forma aktuale është e ndryshme nga ajo e tregjeve më të mëdha, sfida nuk është imitimi, por artikulimi i një modeli funksional brenda realitetit të vet. Çfarë përfaqëson një markësezon pas sezoni? Si matet vazhdimësia? Çfarë e dallon një prezantim të strukturuar nga një paraqitje episodike? Përpjekjet individuale, sado të suksesshme, nuk mjaftojnë për të ndërtuar një fushë të qëndrueshme.
– THELB

