Dje u ngrit sipari i New York Fashion Week dhe ishte Ralph Lauren ai që e inauguroi zyrtarisht këtë muaj të gjatë sfilatash. Java e Modës nisi nën shenjën e një emri që di të vendosë tonin e sezonit. Stilisti zgjodhi ta hapë këtë kapitull të ri me një deklaratë të qartë: një rikthim te eleganca e ndërtuar mbi identitetin personal dhe te fuqia e një stili që nuk i bindet kohës. Mund të thuhet me plot gojë: një përzierje mes integritetit dhe delikatesës, modernitetit dhe hijeshisë klasike, me një rikthim të ndjeshëm te atmosfera e ‘Rilindjes Europiane’.
Sfilata u zhvillua në ambientet artistike të Jack Shainman Gallery në Tribeca, një hapësirë që ndërthur historinë me modernitetin, ashtu si vetë koleksioni. Kolonat prej mermeri, perdet kadifeje dhe qilimat persianë krijuan një skenografi intime, duke e shndërruar pasarelën në një dimension ku moda dhe arti komunikonin natyrshëm. Zgjedhja e këtij vendi nuk ishte rastësore: një dialog mes krijimtarisë bashkëkohore dhe trashëgimisë kulturore që pasqyron filozofinë interesante të Lauren.
Koleksioni Vjeshtë 2026, i ndërtuar mbi nuanca tokësore, solli një kontrast të qartë mes prerjeve të forta dhe detajeve romantike. Në pasarelë u panë pallto të gjata me forma të pastra të alternuara me korsete të vendosura mbi këmisha të buta, duke krijuar një siluetë elegante dhe të balancuar. Materialet, prej leshi të trashë me pikëza karakteristike, shumë në stilin klasik të Ralph Lauren, te pëlhurat me motive të integruara dhe mëndafshi i qëndisur, krijonin ndryshim mes teksturave të rënda dhe atyre më të lehta, duke i dhënë çdo veshjeje thellësi dhe personalitet. Paleta e ngjyrave, me blu të thella, gri të ftohta, kafe tokësore dhe jeshile të errëta, ndërtonte një atmosferë të rafinuar,por me frymë rurale, ku romantizmi dhe moderniteti bashkëjetonin natyrshëm.
Nuk vonuan as referimet kritike: disa media e lidhën estetikën e koleksionit me botën e Emily Brontë dhe atmosferën e ‘Lartësitë e stuhishme’. Ky paralelizëm nuk qëndron vetëm te elementet viktoriane, detajet metalike në bel apo printimet floreale në tonalitete të thella, por edhe te portretizimi i një gruaje të pavarur, me një sensualitet diskret dhe një forcë të brendshme që sfidon rregullat strikte. Është një feminilitet që nuk kërkon të jetë perfekt, por autentik.
Aksesorët luajtën një rol të rëndësishëm në ndërtimin e koleksionit për sezonin e ardhshëm. Çizmet e kalërimit dhe pantallonat ‘jodhpur’, të futura brenda tyre, i jepnin kombinimeve të veshjeve një elegancë të frymëzuar nga stili i kalërimit, ndërsa rripat e gjerë mbi fustanet e mbrëmjes, spilat klasike dhe këpucët e rafinuara të kombinuara me çorape leshi krijonin një stil personal dhe paksa të pazakontë. Çdo detaj dukej i menduar me kujdes, një mënyrë e stilistit për ta veshur historinë sipas rregullave të veta.
Sfilata e Ralph Lauren nuk ishte vetëm një hapje ceremoniale e Javës së Modës në New York, por një kujtesë se eleganca e vërtetë nuk vjen nga ndjekja e trendeve, por nga aftësia për t’i dhënë kuptim çdo siluete. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron thelbi: në një stil që nuk kërkon shumë reflektorë për t’u vënë re, por që mbetet gjatë, si një histori e shkruar mirë.
– THELB,

