New York Fashion Week hapi sezonin e ri të muajit të modës me koleksionet Pranverë-Verë 2027, duke rikthyer në pasarelë disa prej emrave më të njohur të modës amerikane. Eleganca e Ralph Lauren, minimalizmi i Calvin Klein, historia e Carolina Herrera dhe teatraliteti i Thom Browne treguan një New York që këtë sezon u kthye sërish te identiteti i vet.
Java zyrtare e modës në New York u zhvillua nga 10 deri më 15 shtator, me rreth 70 shfaqje dhe prezantime në kalendarin e CFDA. Ajo nisi me debutimin e Henry Zankov si drejtor artistik i Diane von Furstenberg dhe u mbyll me Thom Browne.
Mes gjithë emrave dhe koleksioneve të prezantuara, disa histori tërhoqën vëmendje të veçantë.
Ralph Lauren prezantoi në New York koleksionin e Pranverë-Verës 2027 duke rikthyer kodet e njohura të shtëpisë në një version më të lirë dhe më personal.
Bluja e errët dhe e bardha udhëheqin koleksionin, mes prerjeve klasike dhe xhinseve, volumeve të ndryshme dhe veshjeve të mbrëmjes. Puplat, brokatet, teminat dhe punimet artizanale shtojnë kontrast në një garderobë që nuk largohet nga eleganca karakteristike e Ralph Lauren, por e trajton atë me më shumë spontanitet.

Në qendër është ideja e stilit personal. Lauren e ka përshkruar koleksionin përmes një veshjeje që i jep hapësirë origjinalitetit dhe lirisë së individit, ndërsa vëmendja ndaj detajeve të vogla është një tjetër element që përsëritet në koleksion. Pikërisht përmes këtyre detajeve, nga materialet e punuara deri te kombinimi i pjesëve shumë të ndryshme, Ralph Lauren e sjell këtë sezon stilin e tij të njohur në një formë më personale dhe më të lirshme.
Shfaqja pati edhe një moment personal në fund: pas duartrokitjeve të publikut, Ralph Lauren doli nga prapaskena dhe Ricky Lauren iu bashkua. Ajo ka qenë pranë stilistit që prej vitit 1964, përpara themelimit të markës.
Ralph Lauren hapi javën e modës në New York ndërsa një ditë më pas, më 10 shtator, Diane von Furstenberg hapi kalendarin zyrtar të NYFW me debutimin e Henry Zankov si drejtor artistik. Koleksioni Pranverë-Verë 2027 shënoi debutimin e Henry Zankov si drejtor artistik të markës dhe rikthimin e saj në kalendarin e New York Fashion Week pas gati një dekade. Për koleksionin e tij të parë, Zankov nuk u shkëput nga identiteti i Diane von Furstenberg.

Ngjyrat, printet dhe fustani wrap, një prej simboleve më të njohura të markës, mbeten të pranishme, por marrin forma të reja përmes kombinimeve më të guximshme të motiveve, teksturave dhe ngjyrave. Është një mënyrë për të nisur një kapitull të ri pa e lënë pas atë që e ka bërë markën të njohur.
Nëse Diane von Furstenberg u kthye te kodet e veta për t’i parë nga një këndvështrim i ri, Tommy Hilfiger e ndërtoi koleksionin e tij rreth një tjetër ideje të fortë të modës amerikane: stilit preppy. Kostumet, këmishat, xhinset dhe kombinimet sportive marrin forma të reja, ndërsa ngjyrat dhe përmasat e mbajnë koleksionin të lidhur me gjuhën që ka përcaktuar prej vitesh stilin e markës. Është një mënyrë për të punuar me veshje që njihen menjëherë, por që mund të ndryshojnë vetëm përmes një proporcioni, një kombinimi apo një detaji. Një qasje që vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e identitetit të modës amerikane.
Kjo ide e garderobës së njohur, por jo të pandryshueshme, shfaqet edhe te Tory Burch. Koleksioni i Pranverë–Verë 2027 luan me kostumet klasike, teksturat, ngjyrat e forta dhe aksesorët e papritur. Në vend që të ndryshojë krejtësisht një veshje, Burch ndërhyn në të: ndryshon formën, materialin ose një detaj dhe e largon nga versioni që presim të shohim. Është një drejtim që stilistja e ka zhvilluar prej disa sezonesh, duke sjellë gjithnjë e më shumë spontanitet dhe lojë në garderobën e përditshme.

Te Michael Kors, garderoba amerikane merr një tjetër dimension. Koleksioni u prezantua në Sculpture Garden të MoMA-s dhe u ndërtua rreth marrëdhënies së stilistit me artin dhe artistët që e kanë frymëzuar ndër vite. Ngjyrat shfaqen në blloqe të qarta, kostumet marrin përmasa më të shkurtra dhe referencat e viteve ’60 bashkohen me linja të pastra. Vetë marka e përmbledh këtë qasje me shprehjen ‘bold simplicity’: thjeshtësi, por me karakter. Në këtë rast, karakteri nuk vjen nga një dekorim i tepërt, por nga ngjyra, proporcioni dhe mënyra se si ndryshohet një pjesë klasike.
Nëse Michael Kors e ndërton efektin përmes ngjyrës dhe formës, Calvin Klein zgjedh rrugën e kundërt: heqjen e gjithçkaje që nuk është e nevojshme. Nën drejtimin e Veronica Leoni, koleksioni Pranverë–Verë 2027 rikthehet te një prej gjuhëve më të njohura të markës: minimalizmi. Fustanet slip, denimi, mëndafshi i hollë dhe siluetat e pastra krijojnë një garderobë që të kujton menjëherë elegancën minimaliste të Carolyn Bessette-Kennedy. Në shënimet e koleksionit, Leoni e lidh këtë estetikë me idenë e heqjes së çdo elementi të panevojshëm, duke e vendosur në qendër marrëdhënien mes dizajnit dhe trupit të gruas.
Minimalizmi nuk ishte e vetmja mënyrë për t’iu rikthyer thelbit të një marke. Për Carolina Herrera, Wes Gordon zgjodhi të kthehej te arkivi dhe te disa prej kodeve që kanë përcaktuar shtëpinë që nga fillimet: siluetat elegante, volanët, motivet me pika dhe ngjyrat e forta. Koleksioni u prezantua në Lincoln Center, mes një instalacioni me tulipanë të verdhë, dhe solli referenca nga dekadat e para të shtëpisë pa i riprodhuar ato drejtpërdrejt. Gordon i rishikoi përmes proporcioneve, materialeve dhe një gjuhe bashkëkohore. Arkivi këtu nuk shërben si nostalgji, por si material për të ndërtuar të tashmen.

Dhe nëse pjesa më e madhe e javës luajti me mënyra të ndryshme për të rishikuar garderobën amerikane, Thom Browne e mbylli NYFW-në duke e çuar këtë ide shumë më larg. Stilisti amerikan, i njohur për qasjen teatrale ndaj modës, u frymëzua nga filmi i animuar A Bug’s Life dhe e ktheu pasarelën në një skenë ku fluturat, brumbujt dhe metamorfoza u shfaqën si pjesë e historisë së koleksionit. Por pas gjithë kësaj skenografie, mbetet ajo që e karakterizon më shumë Browne: kostumi, uniforma, xhaketa dhe fundi me pala, elemente të garderobës klasike që ai ndryshon përmes përmasave, ndërtimit dhe mënyrës se si i vendos në një kontekst të ri. Është edhe mënyra më karakteristike për ta mbyllur këtë New York Fashion Week: jo duke braktisur klasikët amerikanë, por duke i parë nga një kënd tjetër.
Në një javë mode me kaq shumë zëra dhe drejtime, New York Fashion Week Pranverë–Verë 2027 nuk u përcaktua nga një estetikë e vetme. Në vend të një tendence që dominonte gjithçka tjetër, pasarelat sollën interpretime të ndryshme të asaj që ka qenë gjithmonë pjesë e modës amerikane: garderoba klasike, stil personal, ngjyra, minimalizëm, nostalgji dhe dëshira për t’i parë të gjitha këto në një formë të re.

Kjo u pa qartë te emrat që zgjodhëm të ndjekim. Ralph Lauren e vendosi stilin personal në qendër të koleksionit; Diane von Furstenberg dhe Carolina Herrera u kthyen te kodet e historisë së tyre për t’i rishikuar në të tashmen. Tommy Hilfiger punoi me stilin preppy dhe nostalgjinë amerikane, ndërsa Tory Burch e trajtoi garderobën e njohur përmes ngjyrës, teksturave dhe kombinimeve më të guximshme. Michael Kors e lidhi modën me artin, Calvin Klein u rikthye te minimalizmi, ndërsa Thom Browne e mbylli javën me një qasje krejtësisht teatrale.
Ajo që mbetet nga New York-u këtë sezon nuk është një trend i vetëm, por mënyra se si këta stilistë morën elemente që tashmë i përkasin gjuhës së tyre dhe i panë nga një kënd tjetër.
-THELB,

