Dolce & Gabbana Vjeshtë-Dimër 2026/27: Identiteti është forma më e vërtetë e luksit
Dolce & Gabbana nuk janë një markë që ndryshon drejtim nga një sezon në tjetrin. Gjatë viteve kanë ndërtuar një stil shumë të dallueshëm: e zeza, dantella, sensualiteti dhe ajo lidhje e fortë me kulturën italiane. Një identitet që nuk është zhdukur kurrë, thjesht ka marrë forma të ndryshme.
Koleksioni Vjeshtë-Dimër 2026/27, i titulluar Identity, vjen pikërisht si një rikthim te kjo ide. Jo për të bërë diçka të re me çdo kusht, por për të qëndruar te ajo që marka di më mirë.
Sipas Dolce & Gabbana, luksi sot nuk ka të bëjë me ndryshimin e vazhdueshëm, por me të kundërtën: të dish kush je dhe të mos largohesh prej kësaj. Në një moment kur moda kërkon vazhdimisht risi, kjo zgjedhje duket më e qartë se kurrë.
“Nuk është nostalgji, është prani.” Kjo fjali, që u dëgjua në fillim të shfaqjes në Milano, e përmbledh shumë mirë këtë koleksion. Nuk është një kthim pas, por një vazhdim i asaj që kanë ndërtuar ndër vite.
Në pasarelë, kjo shihet në mënyrën si trajtohen veshjet. Koleksioni luan edhe me kufirin mes femërores dhe mashkullores, duke kombinuar elementë të butë me prerje më të forta. Xhaketat dhe palltot në disa raste duken sikur janë veshur mbrapsht, me detaje që zhvendosen drejt shpinës. Është një ndryshim i vogël, por që mjafton për ta bërë veshjen të duket ndryshe.
Edhe aksesorët ndjekin të njëjtën ide. Këpucët me taka të larta dhe maja katrore janë të thjeshta, por dallohen menjëherë. Janë ato detaje që sëbashku me çantat i japin gjithë veshjes një karakter më të qartë.
Ky nuk ishte një koleksion që përpiqet të jetë ndryshe. Është një koleksion që qëndron te vetja. Për Dolce & Gabbana, në 2026, luksi nuk është vetëm ajo që vesh. Është ajo që përfaqëson.
– THELB

