Një tjetër emër i ri po fiton vëmendje në skenën bashkëkohore të modës. Falë mbështetjes së Albanian International Fashion Federation (AIFF), stilistja e re Ezgi Özalan ka arritur të fitojë hapësira në revista prestigjioze të modës si Harper’s Bazaar, Glamour, Vanguard dhe Enzomina. Përmes prezantimeve në Albania Fashion Week dhe pjesëmarrjeve në evente ndërkombëtare, po krijohen gjithnjë e më shumë mundësi për promovimin e stilistëve të rinj shqiptarë në tregun ndërkombëtar të modës.
Ezgi Özalan është një dizajnere me origjinë turko-shqiptare, e lindur në Stamboll dhe e rritur në Shqipëri. Ajo ka studiuar Skenografi dhe Kostumografi në Universitetin e Arteve në Tiranë, ndërsa më pas ka vazhduar formimin e saj në Albanian Design Academy, ku është specializuar në konstruksionin dhe prodhimin e veshjeve.

Aktualisht, ajo po zhvillon brandin e saj, Özalan’s, një projekt që reflekton një estetikë bashkëkohore të bazuar në ekuilibrin mes formës, strukturës dhe materialeve. Në koleksionin “Elysium”, Ezgi Özalan sjell një estetikë moderne dhe elegante, ku çdo veshje ndërtohet me kujdes ndaj formës dhe detajit, duke krijuar një identitet vizual minimalist dhe të sofistikuar.

Tekstilet luajnë një rol qendror në procesin e saj kreativ, të përdorura për të krijuar kalime graduale të ngjyrave që shoqërojnë ndërtimin e çdo veshjeje. Paleta zhvillohet përmes tonaliteteve të buta dhe të balancuara, të menduara për të nxjerrë në pah strukturën dhe elegancën e çdo look-u.

Përmes Özalan’s, Ezgi Özalan po ndërton një identitet të qartë kreativ që ndërthur formimin teknik me ndjeshmërinë artistike. Me mbështetjen e AIFF, ajo përfaqëson një nga zërat e rinj të modës emergjente që po kontribuojnë në zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e modës bashkëkohore shqiptare.


