Moda shqiptare mes talentit dhe industrisë: në dialog me Gentiana Dervishin
Moda shqiptare ka ndërtuar një skenë të sajën. Sot ajo përfshin stilistë me identitet të qartë, një treg të qëndrueshëm për veshjet ceremoniale dhe një brez të ri krijuesish që operojnë gjithnjë e më shumë në hapësirën digjitale. Pas më shumë se dy dekadash zhvillimi ka krijuar tashmë mjaftueshëm aktivitet që nuk mund të konsiderohet më një fenomen episodik.
Pyetja që lind është: a po funksionon kjo skenë si industri?
Në tregjet ku moda është sektor ekonomik i konsoliduar, energjia krijuese mbështetet mbi struktura të qarta: federata profesionale, kalendarë eventesh dhe javë mode që lidhin dizajnin me tregun dhe median. Në Shqipëri, kjo infrastrukturë është ende në ndërtim.
Një nga përpjekjet për ta artikuluar këtë kalim është Albania Fashion Week dhe Federata Ndërkombëtare e Modës Shqiptare (AIFF), një iniciativë e themeluar nga Gentiana Dervishi. Për të, institucionalizimi i modës shqiptare është kusht për ta kaluar një skenë krijuese drejt një sektori të organizuar.
Vizioni i një strukture
Për Gentiana Dervishin, problemi kryesor i modës shqiptare nuk ka qenë mungesa e talentit. Ka qenë mungesa e strukturës:’Pa institucion nuk ka standard. Pa standard nuk ka treg. Pa treg nuk ka industri’, thotë ajo.
Në leximin e saj, moda shqiptare ka funksionuar për vite si një skenë krijuese e fragmentuar: stilistë me identitet të fortë individual, por pa një sistem që i lidh në një industri të organizuar.
Krijimi i Federatës Ndërkombëtare të Modës Shqiptare (AIFF) është përpjekja për ta adresuar pikërisht këtë boshllëk. Ideja është që një strukturë institucionale të vendosë standarde profesionale, të krijojë një autoritet përfaqësues për sektorin dhe të ndërtojë një kornizë më të qëndrueshme zhvillimi për modën shqiptare.
Nga vizioni te platforma
Albania Fashion Week shihet si një nga mekanizmat përmes të cilëve ky vizion mund të marrë formë.
‘Një javë mode nuk është një aktivitet shoqëror apo spektakël sezonal. Është një mekanizëm industrial që lidh stilistët me blerës dhe shpërndarës‘, shprehet Gentiana Dervishi për THELB.
Sipas Dervishit, Albania Fashion Week synon të krijojë një platformë më të strukturuar prezantimi për stilistët shqiptarë dhe një hapësirë ku puna e tyre të mund të artikulohet në një kontekst profesional më të gjerë.
Moda shqiptare përtej kufijve
Ndërkombëtarizimi i modës shqiptare, për Gentiana Dervishi, lidhet me vendosjen e stilistëve në dialog me skenat më të konsoliduara të industrisë, si Parisi apo Milano — qytete me të cilat ajo ka krijuar lidhje profesionale përmes aktiviteteve të saj ndërkombëtare.
‘Të prezantosh Shqipërinë në qytete si Parisi apo Milano do të thotë të përfaqësosh një standard kombëtar. Dërgohet identitet dhe profesionalizëm, jo thjesht koleksione‘, shprehet ajo.
Prezenca ndërkombëtare, në këtë lexim, nuk është vetëm çështje ekspozimi. Ajo lidhet me aftësinë për të ndërtuar një identitet estetik dhe një standard profesional që mund të komunikojë në një treg shumë më konkurrues.
Testi i industrisë
Ambicia për ta vendosur modën shqiptare në një kornizë më të strukturuar është e qartë. Pyetja që lind është sa e realizueshme është kjo ambicie në një treg të vogël si ai shqiptar.
Historia e modës vendase është ndërtuar kryesisht mbi iniciativa individuale dhe mbi reputacionin personal të stilistëve. Kjo ka prodhuar marka dhe histori suksesi të rëndësishme, por edhe një ekosistem të fragmentuar ku secili krijues operon në logjikën e vet.
Për ta kthyer këtë realitet në industri, struktura duhet të bëhet po aq e fortë sa talenti.
Diskursi kritik mbi modën
Përveç strukturave institucionale dhe platformave të prezantimit, një industri ka nevojë edhe për një diskurs kritik që e shoqëron dhe e interpreton zhvillimin e saj.
Në tregjet ku industria është e konsoliduar, koleksionet dokumentohen dhe analizohen vazhdimisht. Kritika editoriale, arkivat e shtëpive të modës dhe mediat e specializuara ndërtojnë një memorie të vazhdueshme të tendencave dhe transformimeve të industrisë.
Diskursi kritik, në këtë kuptim, nuk mbetet vetëm reflektim kulturor. Ai shndërrohet në një nga mekanizmat përmes të cilëve industria artikulon standardet dhe identitetin e saj. Edhe për Gentiana Dervishi ky dimension është thelbësor: ‘Media e specializuar krijon arkiv, zhvillon kulturë kritike dhe forcon reputacionin ndërkombëtar të industrisë.’
Shqipëria e ka këtë sektor ende në proces formimi institucional. Zhvillimi i një diskursi të tillë mund të ndihmojë në artikulimin e standardeve dhe në krijimin e një reference të përbashkët për zhvillimin e tij.
Në dy dekadat e fundit, skena e modës shqiptare është bërë më e dukshme dhe më dinamike se kurrë më parë. Sfida e fazës së ardhshme nuk lidhet më vetëm me krijimtarinë individuale, por me ndërtimin e strukturave që e kthejnë atë në industri.
Nëse ky proces do të arrijë të konsolidohet, do të varet nga mënyra si talenti, institucionet dhe diskursi kritik arrijnë të ndërtojnë një sistem të qëndrueshëm për zhvillimin e kësaj fushe.
— THELB

