Ka gjithmonë një moment kur moda fillon të luajë pak më shumë. Të dalë nga serioziteti, të marrë frymë dhe të eksperimentojë me kombinime që në fillim mund të duken të çuditshme. Këtë sezon, një prej tyre është ai mes pantallonave të shkurtra Bermuda dhe çorapeve , një kombinim që në pamje të parë duket i thjeshtë, por që mori vëmendje në pasarelat e vjeshtë/dimër 2026/27.
Kjo tendencë është një përzierje mes dy botëve: nga njëra anë, struktura dhe rregulli i veshjeve të frymëzuara nga garderoba klasike; nga ana tjetër, një qasje më e lirë, më rinore dhe pak më lozonjare. Rezultati është një look që nuk kërkon shumë impenjim, por që bie në sy pikërisht për kontrastin dhe atë shkujdesje të qëllimshme që krijon stil.
Ajo që e bën këtë kombinim të funksionojë është mënyra si ndërtohet. Pantallonat Bermuda vijnë me prerje të thjeshtë, shpesh të frymëzuara nga garderoba mashkullore, ndërsa çorapet shtojnë një element të dukshëm stilistik që nuk fshihet, por evidentohet. Sa më të veçanta të jenë, aq më interesante bëhet pamja në tërësi. Është një detaj i vogël që ndryshon gjithë balancën.
Në versionin më të përditshëm, ky kombinim lidhet me këpucë të sheshta: atlete apo modele klasike, me ose pa lidhëse, duke krijuar një estetikë të thjeshtë, të rehatshme dhe shumë aktuale. Është një mënyrë për ta bërë një outfit të duket i menduar pa u komplikuar.
Kombinimi i çorapeve me taka, tashmë i njohur prej disa sezonesh, merr një dimension tjetër kur bashkohet me Bermuda, duke sjellë një kontrast mes komoditetit dhe një elementi më të sofistikuar. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ky trend funksionon, sepse nuk kërkon të jetë perfekt.
Në një moment kur moda përpiqet të ketë balancë mes funksionalitetit dhe stilit, Bermuda me çorape bëhen një nga ato kombinime që duken të thjeshta, por që nuk heqin dorë nga dëshira për t’u dukur të veçanta, pa sakrifikuar rehatinë.
– THELB,

