Louis Vuitton solli oqeanin në zemër të Parisit

3 Min Read

Një oqean në mes të Parisit, një valë gjigante e ngritur si skenografi dhe mijëra ton rërë kanë transformormuar pasarelën në një peizazh që duket më shumë si bregdet sesa javë mode.

Kështu zgjodhi Louis Vuitton të prezantojë koleksionin menswear Pranverë/verë 2027 gjatë Javës së Modës në Paris. Nën drejtimin kreativ të Pharrell Williams moda nuk ishte elementi i vetëm që duhej të tërhiqte vëmendjen. Në qendër të gjithë konceptit ishte dallga që të duket si simbol i lëvizjes, energjisë, lirisë dhe idesë se njerëzit, pavarësisht kulturës apo vendit nga vijnë, mund të lidhen përmes të njëjtit ritëm.

I frymëzuar nga Virginia Beach, vendi ku është rritur, Pharrell Williams bashkon dy stile krejt të ndryshme jetese. Nga njëra anë është fryma e lirë e jetës pranë detit, me veshje komode, spontane dhe të lidhura me kulturën e surf-it. Nga ana tjetër është eleganca klasike që ka karakterizuar prej vitesh Louis Vuitton, me kostume të kuruara, materiale cilësore dhe detaje luksoze.

Xhinset me pamje të zbehur nga dielli, këmishat e lehta, detajet e frymëzuara nga elementët e detit dhe aksesorët me frymë bregdetare i dhanë koleksionit një atmosferë verore dhe jo formale. Shumë prej veshjeve të sillnin ndër mend pushimet, udhëtimet dhe jetën pranë oqeanit.

Si gjithmonë te Louis Vuitton, udhëtimi mbetet një nga temat kryesore. Por këtë herë nuk bëhej fjalë për destinacione të largëta apo bagazhe ikonike. Udhëtimi interpretohej si një gjendje mendore, aftësia për të kaluar nga një botë në tjetrën, nga qyteti në bregdet, nga eleganca klasike te stili urban, pa humbur identitetin.

Shfaqja konfirmoi gjithashtu mënyrën se si Pharrell po e ripërcakton elegancën bashkëkohore. Ai propozon një luks më të afërt me jetën reale. Koleksioni nuk synon të krijojë distancë, por lidhje emocionale me një brez që kërkon autenticitet po aq sa kërkon ekskluzivitet.Më shumë sesa një sfilatë, ishte një kujtesë se moda po largohet gjithnjë e më shumë nga ideja e thjeshtë e veshjes dhe po hyn në territorin e eksperiencës, kulturës dhe tregimit vizual.

Ndonjëherë, një pasarelë nuk shërben vetëm për të prezantuar veshje, por për të ndërtuar një botë të tërë. Dhe në Paris dhe për disa minuta, Louis Vuitton solli oqeanin në zemër të qytetit.

Share This Article