Ku të studiosh për modë?

19 Min Read

10 shkolla që ia vlen t’i njohësh nëse dëshiron të ndërtosh një karrierë në industrinë e modës

Të duash të merresh me modë është vetëm fillimi. Më e vështira mund të jetë të kuptosh se çfarë duhet të studiosh, ku duhet të aplikosh dhe nëse një shkollë është vërtet e përshtatshme për atë që dëshiron të bësh.

Për një të ri në Shqipëri, kjo zgjedhje mund të jetë edhe më e vështirë. Emrat e shkollave më të njohura të modës dëgjohen shpesh, por informacioni praktik se çfarë ofrojnë, çfarë kërkojnë, sa kushtojnë dhe çfarë lloj karriere mund të ndjekësh pas tyre  nuk është gjithmonë i lehtë për t’u gjetur në një vend. Ka edhe një keqkuptim që ia vlen të sqarohet që në fillim: të studiosh modë nuk do të thotë domosdoshmërisht të bëhesh stilist.

Industria ka nevojë për dizajnerë, por edhe për njerëz që merren me komunikimin & marketing, biznes, tekstile, këpucë, aksesorë, gazetari të modës, teknologji e shumë fusha të tjera. Prandaj, kur zgjedh një shkollë, pyetja nuk duhet të jetë vetëm  se ‘cila është më e famshmja?’, por ‘cila i përshtatet asaj që dua të bëj?’

Kjo guidë synon të ndihmojë pikërisht në këtë zgjedhje.

  1. Bunka Fashion College, Tokyo

Për ata që duan një bazë të fortë teknike dhe duan ta mësojnë modën nga konstruksioni i veshjes deri te zhvillimi i konceptit. E themeluar në vitin 1919, Bunka është një prej institucioneve më të rëndësishme të edukimit në modë në Japoni. Nga shkolla kanë dalë emra si Yohji Yamamoto, Junya Watanabe dhe Nigo. Ajo që e dallon është qasja shumë metodike. Studentët marrin një bazë të fortë në teknikë dhe konstruksion, duke kombinuar traditën japoneze me praktikat perëndimore të dizajnit. Kjo mund të jetë një zgjedhje e mirë për një student që nuk dëshiron vetëm të ketë ide interesante, por dëshiron të kuptojë si realizohet realisht një veshje.

Çfarë mund të studiosh?

  • Fashion Design / Dizajn Mode
  • Fashion Technology / Teknologji në Modë
  • Apparel Engineering / Inxhinieri e Veshjeve
  • Pattern-Making / Konstruksion dhe Prerje në Modë
  • Fashion Business and Distribution / Biznes dhe Shpërndarje në Modë

Çfarë kërkohet?

Për programet universitare diploma e shkollës së mesme dhe për shumë departamente ka edhe provime pranimi. Kërkesat ndryshojnë sipas programit.

Sa kushton?

$8,100–9,400 në vit, në varësi të vitit dhe departamentit, plus tarifë shtesë për studentët e huaj.

Mund të jetë zgjedhje e mirë nëse të intereson shumë ana teknike e modës dhe dëshiron të ndërtojë një bazë të fortë në prerje dhe konstruksion të materialeve dhe veshjeve.

  1. Central Saint Martins, London

Nëse Bunka e vendos teknikën në qendër, Central Saint Martins është e njohur për një qasje shumë më konceptuale dhe eksperimentale. Nga kjo shkollë kanë dalë Lee McQueen, John Galliano, Stella McCartney, Phoebe Philo dhe shumë prej emrave të rëndësishëm të modës britanike. CSM nuk e sheh modën vetëm si prodhim veshjesh dhe studentët nxiten të mendojnë dhe krijojnë përmes rrëfimit të një historie, kulturës, politikës dhe artit. Studentët nuk duhet domosdoshmërisht të dinë që në fillim të qepin apo edhe të vizatojnë në mënyrë të përsosur, shkolla kërkon kuriozitet, individualitet dhe potencial kreativ.

Çfarë mund të studiosh?

  • Fashion Design / Dizajn Mode
  • Womenswear / Veshje për Gra
  • Menswear / Veshje për Burra
  • Knitwear / Veshje të Thurura
  • Print / Dizajn Printesh
  • Fashion Communication / Komunikim në Modë
  • Fashion Journalism / Gazetari në Modë
  • Fashion Image / Imazh në Modë
  • Fashion Histories & Theories / Histori dhe Teori të Modës

Çfarë kërkohet?

Për studentët e huaj kërkohet një kualifikim i barasvlershëm me arsimin e mesëm britanik, materiale të aplikimit dhe dëshmi e njohjes së anglishtes. Në varësi të programit mund të ketë edhe intervistë.

Sa kushton?

£29,990 në vit për studentët e huaj.

Mund të jetë zgjedhje e mirë nëse nuk dëshiron vetëm të mësosh si bëhet një veshje, por ke dëshirë të zhvillosh një gjuhë personale dhe një mënyrë tënden të të menduarit për modën.

  1. ESMOD, Paris

ESMOD është një nga shkollat me historinë më të gjatë në këtë listë. Themeluar në vitin 1841 konsiderohet shkolla më e vjetër e modës në botë. Ajo është veçanërisht interesante sepse bashkon dy botë që shpesh studiohen veçmas si dizajnin dhe biznesin. Programi mbështetet fort te dizajni, prerja dhe konstruksioni i veshjeve, por njëkohësisht trajton edhe mënyrën se si funksionon industria dhe tregu.

Çfarë mund të studiosh?

  • Fashion Design / Dizajn Mode
  • Fashion Marketing & Communication Strategy / Marketing në Modë dhe Strategji Komunikimi
  • Creative Direction / Drejtim Kreativ
  • Fashion Management / Menaxhim Mode
  • International Fashion & Luxury Brand Development / Modë Ndërkombëtare dhe Zhvillim i Markave të Luksit

Çfarë kërkohet?

Për programet universitare kërkohet diplomë e shkollës së mesme. Programet krijuese kërkojnë materiale të punës, ndërsa procesi mund të përfshijë intervistë dhe vlerësim krijues ose me shkrim.

Sa kushton?

Për BA, €12,790–14,850 në vit, në varësi të programit dhe vitit.

Për MA, €13,895–17,375 në vit.

Mund të jetë zgjedhje e mirë nëse të intereson si ana krijuese, ashtu edhe ana komerciale e modës.

  1. Fashion Institute of Technology, New York

FIT është një nga zgjedhjet më interesante për dikë që kërkon një edukim shumë të lidhur me industrinë. Shkolla është pjesë e sistemit publik SUNY dhe njihet për dizajnin e sportswear/veshje sportive, knitwear/veshje të thurura, aksesorëve, tekstileve dhe për programet e biznesit të modës. Një avantazh i rëndësishëm është lidhja me vetë Nju Jorkun dhe mundësitë për internship dhe kontakt me profesionistë të industrisë.

Çfarë mund të studiosh?

  • Fashion Design / Dizajn Mode
  • Textile and Surface Design / Dizajn Tekstilesh dhe Sipërfaqesh
  • Footwear and Accessories Design / Dizajn Këpucësh dhe Aksesorësh
  • Fashion Business Management / Menaxhim Biznesi në Modë
  • Cosmetics and Fragrance Marketing / Marketing i Kozmetikës dhe Parfumeve

Çfarë kërkohet?

Për programin e Fashion Design, aplikimi përfshin një ese, dy projekte dizajni dhe një projekt veshjeje të qepur.

Sa kushton?

Për studentët e huaj: $21,692 në vit.

Mund të jetë zgjedhje e mirë nëse do një shkollë me kontakt të fortë me industrinë, veçanërisht në Nju Jork.

  1. Institut Français de la Mode, PARIS

Nëse synimi është bota e luksit francez, IFM është një nga institucionet e duhura. Shkolla është e lidhur ngushtë me industrinë franceze të modës dhe pas bashkimit me ‘École de la Chambre Syndicale de la Couture Parisienne’ ka përfshirë edhe traditën e gjatë të edukimit në couture. Në këtë institucion kanë studiuar emra si Yves Saint Laurent, Karl Lagerfeld dhe Valentino Garavani. IFM është interesante sepse nuk ndan modën nga biznesi. Programet shkojnë nga dizajni dhe mjeshtëria e punimit tek cilësia dhe preçizioni i realizimit të produktit.

Çfarë mund të studiosh?

  • Fashion Design / Dizajn Mode
  • Management for Fashion and Creative Industries / Menaxhim për Modën dhe Industritë Kreative
  • Luxury Management / Menaxhim i Luksit
  • Fashion Design MA / Master në Dizajn Mode
  • Craftsmanship / Mjeshtëri Artizanale

Çfarë kërkohet?

Pranimi është selektiv dhe mund të përfshijë intervista dhe teste praktike ose analitike, në varësi të programit.

Sa kushton?

Për studentët e huaj, €23,900–28,900 në vit, sipas programit. Për studentët nga vendet e BE-së, BA kushton rreth €15,600.

Mund të jetë zgjedhje e mirë nëse e sheh veten në haute couture, marka ndërkombëtare ose menaxhim të modës.

  1. Istituto Marangoni – Milano, Firenze, Paris, London

Një nga avantazhet e Marangoni është se nuk ka vetëm një kampus. Shkolla ka prani në Milano, Firenze, Paris dhe Londër. Secili kampus ka një profil disi të ndryshëm. Milano dhe Parisi janë veçanërisht të njohura për fashion design, Firence për art dhe komunikim vizual, ndërsa Londra për styling, komunikim dhe biznes.

Çfarë mund të studiosh?

  • Fashion Design / Dizajn Mode
  • Fashion Styling and Creative Direction / Stilim Mode dhe Drejtim Kreativ
  • Fashion Business / Biznes Mode
  • Luxury Brand Management / Menaxhim i Markave të Luksit
  • Fashion Buying and Merchandising / Blerje dhe Merchandising në Modë
  • Fashion Promotion / Promovim i Modës
  • Communication and Media / Komunikim dhe Media

Çfarë kërkohet?

Kërkohet diplomë e shkollës së mesme, ndërsa për programet e dizajnit kërkohen gjithashtu materiale krijuese dhe, në varësi të kampusit, mund të ketë intervistë. Për studentët e huaj kërkohet edhe njohja e gjuhës së programit.

Sa kushton?

Tarifat ndryshojnë sipas kampusit dhe programit. Milano/Firenze/Paris: rreth €29,800 në vit; Londër £22,700 për studentët e huaj

Mund të jetë zgjedhje e mirë nëse dëshiron një karrierë ndërkombëtare në modë dhe të tërëheq ideja për të zgjedhur mes disa qyteteve të modës duke mos qënë i/e kushtëzuar në vetëm një.

  1. La Cambre, Bruxelles

La Cambre ka një qasje më artistike dhe konceptuale. Shkolla nuk e trajton modën thjesht si krijimin e veshjeve, por si një praktikë që lidhet me kulturën, shoqërinë, politikën dhe mënyrën se si mendojmë për trupin dhe veshjen. Në të njëjtën kohë, programi është shumë praktik ku studentët punojnë me modelimin e prerjeve, njohjen e materialeve dhe konstruksionin e veshjeve

Çfarë mund të studiosh?

BA/MA në Dizajn dhe Krijim Mode, program që përqendrohet në zhvillimin e një koleksioni, nga koncepti dhe kërkimi krijues deri te projektimi dhe realizimi i veshjeve.

Çfarë kërkohet?

Kandidati duhet të ketë përfunduar arsimin e mesëm dhe të zotërojë një diplomë që është e barasvlefshme me kualifikimet parauniversitare britanike ose franceze. Pranimi bëhet përmes një procesi përzgjedhjeje dhe interviste. Njohja e gjuhës frënge është e rekomanduar.

Sa kushton?

Për studentët e huaj, €4,175 në vit.

Mund të jetë zgjedhje e mirë nëse do një kombinim të artit, modës, mendimit konceptual dhe aftësive praktike, por edhe një alternativë me kosto më të ulët se shumë prej shkollave të tjera të kësaj liste.

  1. London College of Fashion

LCF është veçanërisht interesante për dikë që nuk e sheh të ardhmen vetëm te dizajni i rrobave. Shkolla ka një reputacion të fortë në fashion communication dhe fashion business, ndërsa në dizajn është veçanërisht e njohur për këpucë dhe aksesor.

Çfarë mund të studiosh?

  • Fashion Marketing and Communications / Marketing dhe Komunikim në Modë
  • Fashion Design / Dizajn Mode
  • Footwear and Accessories / Këpucë dhe Aksesorë
  • Fashion Media and Communication / Media dhe Komunikim në Modë
  • Fashion Entrepreneurship and Innovation / Sipërmarrje dhe Inovacion në Modë
  • Fashion Futures / Perspektiva e Modës

Çfarë kërkohet?

Kërkesat ndryshojnë sipas programit. Mund të kërkohet kualifikim akademik, materiale të punës, intervistë ose detyra me shkrim. Për studentët ndërkombëtarë kërkohet edhe dëshmi e njohjes së anglishtes.

Sa kushton?

Për studentët ndërkombëtarë, £20,000–30,000 në vit, në varësi të programit.

Mund të jetë zgjedhje e mirë nëse të intereson komunikimi, marketingu, media, biznesi i modës ose një specializim për këpucët dhe aksesorët.

  1. Parsons School of Design, New York

Parsons është një prej emrave më të njohur të edukimit amerikan në modë dhe ka nxjerrë dizajnerë si Marc Jacobs, Tom Ford dhe Anna Sui. Ajo e kombinon dizajnin me artin, teknologjinë dhe kërkimin. Pjese e programeve mësimore janë krijimi i koleksioneve, studimi dhe përdorimi i materialeve, zhvillimi i produktit të modës dhe marrëdhënia mes industrisë së modës dhe shoqërisë.

Çfarë mund të studiosh?

  • BFA Fashion Design / Bachelor i Arteve të Bukura në Dizajn Mode
  • AAS Fashion Design / Shkenca të Aplikuara në Dizajn Mode
  • BBA Strategic Design and Management / Bachelor i Administrimit të Biznesit në Dizajn Strategjik dhe Menaxhim
  • MPS Fashion Management / Master i Studimeve Profesionale në Menaxhim Mode

Çfarë kërkohet?

Për aplikimin kërkohet diplomë e shkollës së mesme, ese dhe rekomandime. Kërkohet gjithashtu material vizual krijues, sipas programit.

Sa kushton?

$60,240 në vit për studentët amerikanë dhe ndërkombëtarë.

Kjo është një nga tarifat më të larta në listë, ndaj për një student nga Shqipëria duhet llogaritur edhe kostoja e jetesës në Nju Jork.

Mund të jetë zgjedhje e mirë nëse dëshiron një edukim që lidh modën me artin, teknologjinë, kërkimin dhe kulturën, në një prej qendrave më të rëndësishme të industrisë.

  1. Polimoda, Firenze

Polimoda është interesante për mënyrën se si e lidh shkollën me industrinë. E vendosur në Firenze, ajo është pranë prodhuesve, artizanëve dhe markave të luksit italian. Shumë prej programeve zhvillohen me pjesëmarrjen e profesionistëve aktivë të industrisë, ndërsa studentët punojnë në grupe të vogla dhe marrin mentorim individual. Kjo do të thotë se edukimi nuk është vetëm akademik. Synimi është që studenti të kuptojë edhe si funksionon realisht industria në tërësi.

Çfarë mund të studiosh?

  • Fashion Design / Dizajn Mode
  • Fashion Business / Biznes Mode
  • Fashion Art Direction / Drejtim Artistik në Modë

Çfarë kërkohet?

Për BA kërkohet kualifikim i arsimit të mesëm. Për programet e dizajnit kërkohen materiale krijuese dhe mund të ketë intervistë dhe vlerësim të aftësive, në varësi të programit.

Sa kushton?

€18,000 në vit për BA.

Për MA, tarifa e dhënë është €28,000 në vit.

Mund të jetë zgjedhje e mirë nëse dëshiron të studiosh në Itali dhe të jesh sa më afër prodhimit, artizanatit dhe industrisë së luksit tipik italian.

Po nëse nuk do të bëhesh stilist?  Kjo është ndoshta pyetja më e rëndësishme që duhet t’i bëjë vetes një student përpara se të zgjedhë shkollën. Moda nuk përfundon te dizajni i veshjeve.

Mund të studiosh dhe të punosh në:

  • Fashion Design / Dizajn Mode
  • Fashion Communication / Komunikim në Modë
  • Fashion Journalism / Gazetari në Modë
  • Fashion Marketing / Marketing në Modë
  • Fashion Business / Biznes Mode
  • Luxury Management / Menaxhim i Markave të Luksit
  • Fashion Buying / Blerje në Modë
  • Styling / Stilim
  • Footwear & Accessories / Këpucë dhe Aksesorë
  • Textile Design / Dizajn Tekstilesh
  • Fashion Technology / Teknologji e Modës
  • Creative Direction / Drejtim Kreativ

Çfarë duhet të përgatitësh përpara aplikimit?  Mos e lër kërkimin për vitin e fundit. Në varësi të shkollës dhe programit, një aplikant mund të ketë nevojë për:

Diplomën e shkollës së mesme;

Dokumentet akademike dhe transkriptet e notave;

Materiale krijuese, veçanërisht për programet e dizajnit;

Ese ose personal statement, ku shpjegon interesat dhe motivimin;

Rekomandime, në disa institucione;

Dëshmi të njohjes së gjuhës, sidomos për programet në anglisht;

Intervistë ose provim pranimi, në varësi të shkollës;

Mos aplikoni pa lexuar me shumë kujdes kërkesat e programit specifik, edhe brenda së njëjtës shkollë, kriteret mund të jenë krejt të ndryshme nga një program në tjetrin.

Tarifa gjithsesi nuk është kostoja totale. Për një student nga Shqipëria duhet të llogariten veçmas akomodimi, ushqimi, transporti, materialet e studimit, sigurimi, udhëtimet, viza dhe dokumentet përkatëse kur kërkohen, shpenzime personale. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në qytete si Londra, Parisi dhe Nju Jorku, ku kostoja e jetesës mund të ndryshojë ndjeshëm buxhetin total. Prandaj, kur krahason dy shkolla, mos krahaso vetëm tarifën. Krahaso koston e gjithë eksperiencës së studimit.

Gjithashtu mos kërko vetëm një emër të madh. Një shkollë prestigjioze mund të hapë dyer, por nuk është e vetmja gjë që përcakton nëse do të ndërtosh një karrierë në modë.Ajo që duhet të kërkosh është një kombinim mes programit të duhur, mënyrës së mësimdhënies, industrisë me të cilën lidhet shkolla, qytetit ku ndodhet dhe mundësive që të jep pas diplomimit.

Të studiosh modë është një investim i madh, në kohë, para dhe në vitet e para të karrierës. Prandaj, përpara se të zgjedhësh një emër, një qytet apo një program, ia vlen të kuptosh mirë se çfarë kërkon nga kjo rrugë. Zgjedhja më e mirë është ajo që të jep hapësirën e duhur për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të gjetur vendin tënd në industri

*THELB Guide / Service Journalism.

Share This Article