Brenda botës krijuese të Ezgi Özalan

11 Min Read

Një bisedë me stilisten shqiptare mbi materialin, procesin krijues dhe sfidën për të ndërtuar një identitet në modën e kohëve të sotme.

Është një pasdite korriku në Tiranë. Vapa rëndon mbi qytetin e betonit, ndërsa pak metra më tej një grup i madh të rinjsh është mbledhur për të kërkuar hapësirën që u mungon: punë, mundësi, një të ardhme që t’u përgjigjet përpjekjeve të tyre. Në mes të kësaj energjie të prekshme, mbërrin Ezgi Özalan, vetë një zë i po atij brezi që kërkon vend për t’u shprehur. Buzëqeshja e saj dallohet që nga larg. Përshëndet me një thjeshtësi që të krijon menjëherë ndjesinë se e njeh prej kohësh. Ulemi për të biseduar.

Është vetëm 23 vjeç. Pyetjeve të para u përgjigjet shkurt, me fjali të matura, sikur po peshon çdo fjalë përpara se ta thotë. Por sapo biseda prek fjalë si ‘tekstil’ apo ‘siluetë’, diçka ndryshon, fjalitë zgjaten, duart i lëvizin sikur po ndjekin formën e një cope pëlhure në ajër. Nuk flet me fjalë të mëdha për modën dhe as për ambiciet personale. Flet me shumë pasion për punën, për stilin e saj të veçantë në krijim.

Në modë, tekstili zakonisht është objekti ku një ide fillon të marrë formë. Për Ezgi Özalan, ai është vetë pikënisja e krijimit. Gjithçka niset në momentin kur një copë pëlhure vendoset mbi tavolinën e punës. Përpara se të vizatojë një siluetë, ajo kërkon një sipërfaqe që t’i përgjigjet idesë së imagjinuar. Është një udhëtim i gjatë provash dhe gabimesh, ku materiali testohet dhe transformohet derisa të fitojë karakterin që ajo synon. Vetëm atëherë fillon të ndërtohet veshja.

Kjo mënyrë pune e vendos krijimin në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me objektin e punës, një qasje që historia e modës e njeh mirë. Mariano Fortuny e bëri plisimin e mëndafshit një nga shenjat dalluese të krijimtarisë së tij, ndërsa Issey Miyake e ndërtoi identitetin e tij duke eksploruar strukturën dhe lëvizjen e materialit. Në një fazë krejt tjetër të karrierës dhe në një kontekst të ndryshëm, edhe Ezgi Özalan e sheh tekstilin si pikën ku lind identiteti i një krijimi. Kjo qasje ka tërhequr vëmendjen e botimeve ndërkombëtare të modës.

Prirja drejt materialit nuk lindi vetëm nga një ambicie estetike. Në fillim të rrugëtimit, ajo ishte edhe një përgjigje ndaj mundësive të kufizuara. Në vend që ta shihte mungesën e pëlhurave të kushtueshme si pengesë, Özalan nisi të punonte me materiale që zakonisht mbeten në prapaskenë të një veshjeje, si copat e përdorura për astar. Përmes eksperimentimit dhe një pune të gjatë, jo pa sakrifica, ajo u jep atyre një pamje të re, e transformon duke i kthyer në elementin kryesor të krijimeve të saj.

Kur e pyes për origjinën e kësaj qasjeje, Özalan nuk nis me frymëzim, por me nevojë: ‘Ky eksperiment lindi nga nevoja. Asgjë nuk më plotësonte dhe ndjeja nevojën e diçkaje unike, atë që në treg nuk e gjeja.’ Eksperimentimi e çon drejt provash të panumërta, derisa materiali merr formën që e kënaq: ‘Kërkoja që krijimet të ishin unike që në zanafillë dhe tekstili është baza.’

Transformimi i copave nuk synon vetëm të krijojë një sipërfaqe ndryshe. Për Özalan, ai është mënyra për t’i dhënë materialit aftësinë të rrëfejë një histori. Tekstura, forma dhe veshja ndërtojnë së bashku një përvojë që shkon përtej aspektit estetik. Kur e pyes si e lidh teksturën me rrëfimin, përgjigjja i vjen pa hezitim:‘Le të themi krijimin e një teksture të re, duke e sjellë në forma të veçanta të cilat kur ndërthuren së bashku kanë diçka për të treguar, një histori transformimi, një ndjesi.’

Pas këtij orientimi të vazhdueshëm dhe të veçantë mbi materialin qëndron vetëm një vajzë e re që po ndërton me durim rrugëtimin në fushën komplekse të modës. Origjina e saj është po aq e ndërthurur sa edhe krijimet që realizon. E lindur në Stamboll, por e rritur dhe e formuar në Shqipëri, Özalan lëviz vazhdimisht mes dy vendeve. Për stilisten e re, këto dy identitete janë si botë të ndara, por pjesë e së njëjtës gjuhë krijuese.

‘Nga njëra anë, ndjej ndikimin e elegancës, mjeshtërisë artizanale dhe vëmendjes ndaj detajit që lidhet me kulturën turke. Nga ana tjetër, Shqipëria më ka formuar si artiste dhe më ka dhënë një ndjeshmëri për autenticitetin. Nuk e shoh krijimtarinë time si një zgjedhje mes dy kulturave, por si një bisedë të vazhdueshme mes tyre,’ thotë Ezgi duke buzëqeshur.

Në vitin 2025 ajo përfundoi studimet në Albanian Design Academy, një periudhë që e konsideron vendimtare në formimin e saj, sepse aty njohu të gjitha hallkat e procesit krijues, nga kallëpi dhe prerja te qepja dhe ndërtimi i veshjes. Më herët ajo ka studiuar kostumografi në Universitetin e Arteve, përvojë që e ka ndihmuar ta kuptojë veshjen përtej funksionit estetik, si pjesë e ndërtimit të një karakteri dhe një identiteti skenik.

Brenda një kohe të shkurtër, ajo ka realizuar tre koleksione. Publiku shqiptar u njoh me punën e saj në edicionin e parë të Albania Fashion Week, skena kryesore e modës në vend. Përmes Albanian International Fashion Federation (AIFF) krijimet e Özalan janë prezantuar edhe në Milano Fashion Week, aty ku krijimet e saj tërhoqën syrin e redaktorëve që më vonë do ta botonin në Harper’s Bazaar, Glamour, Elle dhe Vanguard. Koleksionin e tretë, ‘Elisir, Parajsa e Paarritshme‘, e paraqiti në edicionin e dytë të Albania Fashion Week, në prill 2026.

Për Özalan, një veshje nuk përfundon te forma apo teknika. Ajo duhet të zgjojë një emocion dhe të mbajë një identitet që e dallon nga çdo krijim tjetër. Kjo qasje e largon krijimtarinë e saj nga ideja e modës thjesht si një reagim ndaj trendit të momentit. Sipas stilistes së re, një koleksion nuk ndërtohet për të ndjekur ritmin e sezonit, por për të zhvilluar një ide që ka vazhdimësi. Çdo krijim është pjesë e një rrëfimi më të madh, ku materiali, forma dhe silueta janë në funksion të të njëjtit vizion.

Në qendër të krijimeve të saj është gruaja që e vesh atë. Edhe pse secili koleksion zhvillon historinë e vet, të gjithë bashkë ndajnë të njëjtën gjuhë estetike. Ngjyrat që Özalan ka përdorur në koleksione lëvizin mes nuancave të qiellit, ujit, gjethes dhe tokës, ndërsa teksturat marrin forma që kujtojnë valët, relievet organike apo koren e pemëve. Natyra nuk shfaqet si një motiv dekorativ, por si burimi nga ku lindin forma, ritmi dhe struktura e çdo krijimi. Tekstili shndërrohet deri në atë pikë sa pushon së qeni thjesht pëlhurë dhe fillon të krijojë një peizazh të ri mbi trup. Po aq e qartë është edhe figura e gruas për të cilën krijon Ezgi Özalan. Ajo imagjinon një grua me personalitet, që nuk ka frikë të jetë vetvetja dhe që e sheh veshjen si një mënyrë për të shprehur identitetin e saj. ‘Do të doja që veshja t’i japë vetëbesimin, por edhe t’i lërë hapësirën të tregojë historinë e saj, jo vetëm timen,’ thotë stilistja.

Ta kthesh këtë vizion në një veshje konkrete, megjithatë, është pjesa më e vështirë e gjithë këtij rrugëtimi. Çdo krijim kalon përmes provave, ndryshimeve dhe korrigjimeve të vazhdueshme, derisa ideja fillestare të gjejë formën e saj ideale. Për Özalan, asnjë përshtatje nuk duhet të ndryshojë thelbin e idesë dhe skicës. Madje, në mungesë të një ekipi apo kushteve ideale, shumë prej krijimeve i provon vetë, për të kuptuar nëse materiali, forma dhe lëvizja funksionojnë në trup po aq mirë sa në imagjinatë.

Bota e krijimit të Ezgi Özalan zhvillohet mes dy realiteteve që ende nuk takohen. Nga njëra anë, krijimet e saj publikohen në revista ndërkombëtare dhe gjejnë jehonë mes stilistëve, fotografëve e drejtuesve artistikë jashtë vendit. Nga ana tjetër, realiteti i përditshëm mbetet ai i një stilisteje të re që punon nga shtëpia, me mjete të kufizuara dhe me pak hapësirë për mbështetje profesionale. Kur flasim për këtë hendek, Özalan pranon me sinqeritet: ‘Këto dy realitete nuk arrijnë të bashkëjetojnë dot akoma me mua…’

Megjithëse e pranon se mungesa e kushteve e kufizon, ajo nuk e sheh atë vetëm si pengesë: ‘Të kufizon, por të bën edhe të mendosh më shumë, për të gjetur një mënyrë që ta realizosh atë që ke imagjinuar,’ thotë Özalan, sepse kufizimet nuk e ndryshojnë mënyrën si krijon; vetëm mënyrën si arrin ta realizojë atë që ëndërron.

Ezgi mbledh sërish dosjen e skicave. Përpara saj ka ende shumë sfida, por jo dilema për mënyrën se si dëshiron të krijojë. Pavarësisht vështirësive që shoqërojnë rrugëtimin e saj, ajo mbetet e vendosur të mbrojë atë që e konsideron më të rëndësishme: thelbin e saj krijues.

– THELB,

Share This Article