Shtatori, muaji që nis vitin e modës

10 Min Read

Katër qytete, një kalendar dhe zinxhiri që qëndron pas tij

Në një sallë në New York, dritat ulen dhe muzika nis para se dera e fundit të mbyllet pas modeleve. Diku tjetër, në telefonat e blerësve dhe editorëve që presin në rreshtin e parë, tashmë po shkruhet lista e asaj që do të porositet, do të fotografohet, do të komentohet. Ndërkohë, në dyqanet ku ne blejmë, raftet janë ende plot me xhaketa dhe pallto vjeshte. Ky është kontrasti që përcakton shtatorin, teksa bota blen për dimrin, industria e modës është tashmë duke folur për pranverën.

Për dikë që e ndjek modën nga afër, kjo duket e vetëkuptueshme. Për pjesën tjetër, mund të tingëllojë si një muaj i gjatë me pasarela, fotografë, modele e veshje që kushtojnë shumë. Por pas këtij spektakli ekziston një sistem i tërë, dhe ajo që ndodh në shtator nuk ka të bëjë vetëm me rrobat që shohim në pasarelë.

Çfarë është në të vërtetë Fashion Month?

Quhet Fashion Month muaji kur moda zhvendoset nga një kryeqytet në tjetrin: New York, Londër, Milano dhe Paris. Aty prezantohen koleksionet e sezonit që vjen dhe, këtë shtator, bota e modës do të tregojë atë që pritet të veshim në Pranverë/Verë 2027.

New York-u e hap kalendarin më 10 shtator dhe e mbyll më 15; Londra vijon nga 17 deri më 21 shtator; Milanoja zhvillohet nga 22 deri më 28 shtator, ndërsa Parisi e përmbyll ciklin nga 28 shtator deri më 6 tetor.

Katër qytetet nuk janë thjesht katër ndalesa gjeografike, secili është bërë i rëndësishëm për arsye të ndryshme. New York-u është pika ku gjithçka nis me ritmin e një qyteti që ka ditur ta lidhë modën me rrugën, muzikën dhe jetën urbane. Londra vjen me një temperament tjetër, më i lirë, më eksperimental, shpesh më i gatshëm për të vënë në diskutim atë që sapo është pranuar si e mirëqenë. Në Milano, vëmendja zhvendoset te materiali, prerja, mjeshtëria artizanale dhe ajo marrëdhënie e gjatë mes modës dhe industrisë që e ka bërë Italinë një prej qendrave të mëdha të elegancës. Pastaj vjen Parisi, ku historia e haute couture dhe shtëpitë e mëdha të modës e kthejnë përmbylljen e këtij udhëtimi në një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit.

Asnjë institucion i vetëm nuk e drejton këtë sistem. New York-u ka Council of Fashion Designers of America, Londra British Fashion Council, Milanoja Camera Nazionale della Moda Italiana, Parisi Fédération de la Haute Couture et de la Mode. Katër organizata të pavarura, që megjithatë e kanë ndërtuar kalendarin në mënyrë që të funksionojnë si degë e të njëjtit trung, për disa javë, pjesa më e madhe e njerëzve me ndikim në mënyrën si moda prodhohet, fotografohet, komentohet dhe shitet ndodhen në të njëjtin qark.

Ky ritëm ka bërë që edhe media ta trajtojë shtatorin ndryshe nga çdo muaj tjetër ku për dekada, numri i shtatorit ka qenë ndër botimet më të rëndësishme të revistave të modës, ai që bashkon reklamat, editorialet dhe kopertinat e sezonit të ri në një moment të vetëm komunikimi. Kështu, shtatori nuk është vetëm muaji me më shumë koleksione, është një lloj fillimi i vitit të modës.

Por pse gjithë kjo ndodh pikërisht në këtë muaj?

Një nga gjërat më të çuditshme për ata që nuk e ndjekin industrinë është se rrobat që shfaqen në shtator nuk janë rrobat e vjeshtës. Ato janë, në pjesën më të madhe, një propozim për pranverën dhe verën e vitit tjetër.

Arsyeja është praktike. Një koleksion nuk shkon nga pasarela drejt dyqanit brenda pak ditësh. Pas prezantimit vijnë porositë e blerësve, prodhimi, shpërndarja, planifikimi i dyqaneve, fushatat, fotografitë editoriale dhe gjithë komunikimi që duhet ta shoqërojë një sezon të ri.

Kjo do të thotë se moda operon disa muaj përpara konsumatorit. Kur ne jemi duke blerë një pallto për dimrin, industria është duke vendosur tashmë çfarë do të shohim në vitrinat e pranverës. Pasarela është, në këtë kuptim, fillimi i një procesi shumë më të gjatë, një proces që nis, në fakt, që në sallë, para se koleksioni të ekzistojë si imazh publik.

Çfarë ndodh përtej pasarelës?

Një fashion week nuk është vetëm momenti kur një stilist nxjerr koleksionin përpara fotografëve. Në sallë ndodhen blerës që duhet të vendosin cilat pjesë kanë potencial për tregun e tyre; editorë dhe gazetarë që përpiqen të kuptojnë cilat ide kanë peshë dhe t’i dokumentojnë ato; stilistë që kërkojnë të kuptojnë cilat pjesë mund të kthehen në imazhe; fotografë që regjistrojnë jo vetëm veshjet, por edhe mënyrën si ato po përkthehen në kulturë.

Pastaj fillon pjesa që publiku zakonisht nuk e sheh. Një ngjyrë e përsëritur në disa koleksione mund të bëhet sinjal. Një siluetë mund të fillojë të shfaqet në editorialet e modës. Një material mund të bëhet objekt interesi për prodhuesit. Një pjesë mund të përfundojë në një vitrinë, në një fushatë reklamuese, në një revistë, në një personazh të famshëm dhe më pas në garderobën e konsumatorit.

Jo çdo propozim i pasarelës arrin ta bëjë këtë udhëtim të plotë. Fashion week është vetëm pika e parë e filtrit, vendi ku fillon të vendoset cilat ide do të mbijetojnë deri te trupi i dikujt dhe cilat do të mbeten thjesht imazhe të një sezoni.

Kur moda bëhet ekonomi

Pas një koleksioni qëndrojnë njerëz që projektojnë dhe presin modelet, zgjedhin pëlhurat, punojnë me prodhuesit dhe artizanët, ndërtojnë imazhin e markës, fotografojnë dhe filmojnë fushatat, përgatisin sfilatat, organizojnë audicione, merren me flokët dhe grimin, komunikojnë koleksionin përmes mediave, negociojnë shitjet, menaxhojnë showroom-et, transportojnë koleksionet dhe i çojnë ato deri te dyqanet dhe konsumatori.

Madhësia e kësaj industrie shihet edhe në ekonominë e qyteteve që e presin. Në Mbretërinë e Bashkuar, industria e modës punëson më shumë se 800 mijë njerëz dhe kontribuon me rreth 30 miliardë paund në vlerën e shtuar bruto të ekonomisë britanike. Në shtetin e New York-ut, industria gjeneron mbi 24 miliardë dollarë paga në vit dhe punëson rreth 312 mijë njerëz. Vetëm edicioni i shkurtit 2026 i Javës së Modës për femra në Milano gjeneroi mbi 217 milionë euro shpenzime turistike.

Pas disa minutave të një shfaqjeje vihet në lëvizje një zinxhir i tërë ekonomik: udhëtime, hotele, restorante, transport, prodhim, media, biznes. Ky zinxhir vendos, në fund, sa larg do të shkojë çdo ide e parë në pasarelë.

A përcakton ende Fashion Week atë që do të veshim?

Jo detyrimisht. Moda sot lëviz më shpejt se kalendari tradicional. Ka koleksione resort, pre-fall, kapsula, bashkëpunime dhe produkte që dalin gjatë gjithë vitit. Rrjetet sociale e kanë përshpejtuar këtë proces: një veshje që sapo është parë në pasarelën e Parisit mund të qarkullojë në mbarë botën brenda pak orësh dhe të kthehet në temë diskutimi shumë përpara se koleksioni të mbërrijë në dyqane.

Një fashion week nuk vendos se çfarë do të veshë bota. Por është një nga vendet ku industria vendos se cilat ide ia vlen të dëgjohen. Jo çdo propozim mbijeton, dhe seleksionimi është pjesë e mekanizmit. Pasarelat nuk kanë monopolin e vëmendjes, por vazhdojnë të krijojnë një moment të rrallë përqendrimi: krijimtaria, biznesi, media dhe tregu ndodhen, për pak javë, në të njëjtin vend dhe flasin për të njëjtën të ardhme.

Nuk është e nevojshme të jesh stilisti që qëndron në fund të pasarelës për të pasur një vend në fushën e modës. Ka dhjetëra profesione që ekzistojnë pikërisht në hapësirën mes idesë dhe veshjes që përfundon në trupin e dikujt dhe pas çdo koleksioni, çdo fotografie dhe çdo shfaqjeje qëndrojnë njerëz që ende nuk i njohim, por po ndërtojnë një karrierë.

-THELB, 

 

Share This Article