Jo vetëm vello, kapelja rikthehet vazhdimisht në modën e nusërisë

3 Min Read

Për shumë gra, velloja mbetet ende simboli më tradicional i një fustani nusërie. Megjithatë, vitet e fundit gjithnjë e më shumë nuse po zgjedhin ta zëvendësojnë atë me një aksesor tjetër që deri jo shumë kohë më parë konsiderohej një zgjedhje e pazakontë: kapelen.

Interesi për këtë trend është rikthyer edhe më shumë pas dasmës civile të Dua Lipa-s me aktorin Callum Turner në Londër, ku këngëtarja u shfaq me një kapelë të bardhë prej mëndafshi të krijuar nga stilisti britanik Stephen Jones. Modeli me strehë të gjerë dhe detaje të arta u bë menjëherë një nga elementët më të komentuar të pamjes së saj.

Megjithatë, kapelja në ceremonitë e martesës nuk është një risi. Për dekada me radhë, figura të njohura si Bianca Jagger, Amal Clooney, Emily Ratajkowski apo më herët Rita Hayworth dhe Yoko Ono kanë zgjedhur ta lënë mënjanë vellon tradicionale, duke ndërtuar pamje që edhe sot konsiderohen ndër më elegantet në historinë e modës së nusërisë.

Rikthimi i këtij aksesori lidhet edhe me mënyrën se si kanë ndryshuar vetë ceremonitë e martesës. Martesat civile, mikrodasmat dhe festimet intime apo ato të organizuara në destinacione turistike kanë sjellë një qasje më pak formale ndaj veshjes së nuses, duke krijuar hapësirë për alternativa që ruajnë elegancën, por i japin më shumë personalitet pamjes.

Edhe pse velloja vazhdon të mbetet një nga elementët më të rëndësishëm të fustanit të nusërisë, sot ajo nuk është më zgjedhja e vetme. Kapelet me strehë të gjerë, modelet pillbox apo ato të frymëzuara nga siluetat e viteve ’20 shfaqen here pas here në koleksionet bridal dhe në dasmat e personazheve të njohur.

Sekreti, sipas stilistëve, është që kapelja të zgjidhet në funksion të formës së fytyrës, modelit të flokëve dhe siluetës së fustanit. Kur kombinohet siç duhet, ajo nuk e zëvendëson thjesht vellon, por i jep pamjes një identitet më të fortë dhe më personal.

Kapelet me strehë të gjerë, modelet pillbox apo siluetat e frymëzuara nga vitet ’20 nuk synojnë të zëvendësojnë traditën. Përkundrazi, ato tregojnë se moda e nusërisë vazhdon të rikthehet te elementë që kanë kaluar provën e kohës, duke i interpretuar çdo herë në një mënyrë të re.

– THELB,

Share This Article