Grand Maestro Izet Curri! Historia e couturierit që kaloi më shumë se pesë dekada në zemër të haute couture franceze

17 Min Read

Në historinë e modës shqiptare ekzistojnë pak emra që kanë ndërtuar një rrugëtim profesional të krahasueshëm me atë të Izet Currit.

Për më shumë se pesë dekada, couturieri me origjinë nga Shkupi ka qenë pjesë e industrisë franceze të modës, duke bashkëpunuar me disa prej emrave dhe shtëpive më të rëndësishme të haute couture dhe prêt-à-porter de lux europiane, nga Hermès e Thierry Mugler, tek Azzedine Alaïa, Jean Paul Gaultier dhe Christian Lacroix.

Pavarësisht këtij rrugëtimi, emri i tij ka mbetur çuditërisht pak i njohur në Shqipëri. Ky shkrim është, mbi të gjitha, një përpjekje për të rikthyer vëmendjen tek Grand Maestro që përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së zanatit, të modës dhe të vetë idesë së mjeshtërisë në kuptimin më klasik të fjalës.

Historia e Izet Currit nuk është vetëm historia e një stilisti apo modelisti, por është historia e një profesioni, e emigrimit, e një familjeje, e industrisë franceze të modës në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe e një brezi mjeshtërish që e kuptonin veshjen si konstruksion, teknikë dhe disiplinë, shumë përpara se moda të kthehej kryesisht në imazh. Është gjithashtu historia e një shqiptari që ndërtoi jetën e tij profesionale në zemër të haute couture europiane.

Shkupi dhe profesioni që nuk e zgjodhi vetë

Përpara Parisit, modës së nivelit të lartë dhe emrave që do të shënonin historinë e modës franceze, ishte Shkupi i viteve të pasluftës, në kohën e ish Jugosllavisë dhe një familje shqiptare me nëntë fëmijë.

Izet Curri ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç kur hyri për herë të parë në punishte rrobaqepësie dhe nuk ishte një zgjedhje e lindur nga pasioni apo nga ndonjë ëndërr e hershme për modën. Pas vdekjes së babait, familja kishte nevojë për të ardhura dhe ishte nëna ajo që vendosi se djali i saj duhej të mësonte një zanat. ‘Nuk e kam dashur këtë profesion. Nëna ime vendosi për mua’, do të kujtonte ai shumë vite më vonë.

Profesioni që fillimisht kishte hyrë në jetën e tij si një nevojë ekonomike, gradualisht filloi të zinte tjetër vend. Mjeshtri pranë të cilit punonte nuk i mësoi vetëm prerjen, kallëpin apo qepjen, por edhe raportin me punën që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës profesionale. Curri kujton ende ditët e pagesës, kur merrte rrogën dhe nxitonte ta çonte në shtëpi për t’ia dorëzuar nënës. Janë ndër kujtimet ku rikthehet më shpesh kur flet për ato vite.

Ajo që mësonte në punishte nuk mbetej vetëm aty. Në shtëpi ua tregonte motrave, më pas kushërirave dhe grave të lagjes, duke ndarë me to gjithçka kishte mësuar gjatë ditës.

Shkupi i viteve ’60 ishte qytet në transformim. Ende nën hijen e tërmetit shkatërrues të vitit 1963 dhe në mes të një procesi të madh rindërtimi, jetohej njëkohësisht mes kujtesës së qytetit të vjetër dhe modernitetit që po ngrihej përpara syve të banorëve të tij. Brenda Jugosllavisë së asaj kohe, të përshkruar shpesh si një lloj hibridi mes socializmit dhe ndikimeve perëndimore, muzika, moda dhe kultura perëndimore arrinin të depërtonin disi krahasuar me  pjesën tjetër të bllokut komunist.

Në vitet që pasuan, me një mik, Curri hapi butikun e tij të parë, të cilin vendosi ta quante ‘Bonnie & Clyde’. Emri nuk u prit mirë nga autoritetet, të cilat kërkuan që tabela të shkruhej në alfabet cirilik. Refuzimi i tij për ta ndryshuar u pasua nga një episod që ai vazhdon ta tregojë me humor edhe sot: tabela e dyqanit u hoq me çekan.

Në fund të viteve ’60, dëshira për të parë dhe për të mësuar më shumë nga bota e modës që e tërhiqte gjithnjë e më tepër, e çoi drejt Parisit, ku mendonte se do të qëndronte vetëm dy javë.

 Parisi, 55 vite në zemër të haute couture franceze

Izet Curri mbërriti në Paris me idenë se do të qëndronte pak ditë. Dëshironte të blinte revista mode, libra dhe katalogë profesionalë, që në atë kohë ishin pothuajse të pamundur për t’u gjetur në Shkup dhe më pas të kthehej në shtëpi.

Parisi rezultoi shumë më i shtrenjtë nga sa kishte imagjinuar dhe pjesa më e madhe e kursimeve kishte përfunduar pikërisht tek librat dhe revistat. Kur situata filloi të bëhej e vështirë, iu drejtua Ambasadës Jugosllave me shpresën se mund ta ndihmonin të gjente një punë të përkohshme deri në kthimin e tij në vendlindje.

Përmes një bashkëqytetari nga Shkupi, arriti të gjente punë në një atelier të vogël pariziene. Në atë periudhë nuk fliste frëngjisht, nuk kishte dokumente të rregullta dhe hoteli ku qëndronte kishte mbajtur pasaportën dhe bagazhet e tij deri në shlyerjen e pagesave të papaguara. Ajo që fillimisht ishte menduar si një zgjidhje e përkohshme, shumë shpejt do të merrte një drejtim krejt tjetër.

Një prej veshjeve të realizuara prej duarve të tij tërhoqi vëmendjen e Hermès. Curri ka treguar se kur e thirrën në zyrë mendoi se kishte bërë ndonjë gabim, por në vend të kritikës mori një ofertë pune. Për pesë vitet që pasuan, ai pa e ditur dhe pa e kuptuar qartë se çfarë po ndodh, do të bëhej pjesë e një prej shtëpive më prestigjioze franceze të modës, në një periudhë që ai vetë e konsideron si një nga shkollat më të rëndësishme të jetës së tij profesionale.

Në ‘Hermès’ ai gjeti jo vetëm stabilitet profesional, por edhe mbështetjen që i nevojitej për të ndërtuar jetën e tij në Francë. Shtëpia franceze e modës e ndihmoi me dokumentacionin, formalitetet administrative dhe detyrimet financiare që ai kishte ende nga ditët e para të mbërritjes në Paris. Për një të ri që kishte mbërritur në qytet me idenë e një qëndrimi të shkurtër, ishte fillimi i një historie që do të zgjaste më shumë se pesëdhjetë vjet.

Në vitin 1974, Curri mori një vendim që shumë prej kolegëve të tij e konsideruan të pakuptueshëm: u largua nga siguria e Hermès për të hapur atelier dhe markën e tij në Paris. Ai vetë kujton se një prej kolegëve e quajti të çmendur për këtë zgjedhje. Vitet në vazhdim do të tregonin të kundërtën.

Përmes atelier që hapi me emrin e vet ndërtoi gradualisht klientelën, ndërsa reputacioni i Currit nisi të rritej në qarqet profesionale të modës franceze. Një punonjëse banke, e impresionuar nga këmbëngulja dhe ritmi i tij i punës, pranoi ofertën e Currit për tu bërë pjesë e sipërmarrjes së re dhe të kujdesej për anën financiare të biznesit. Ishte fillimi i një periudhe që do ta vendoste emrin e tij gjithnjë e më pranë qendrës së modës franceze të nivelit të lartë.

Gjithashtu, klientela e tij nisi të zgjerohej edhe përtej ambientit të modës dhe të përfshinte emra të rëndësishëm të kinemasë, muzikës dhe jetës publike franceze. Sean Connery, Monica Bellucci, Gérard Depardieu, Isabelle Adjani, Christopher Lambert apo Johnny Hallyday ishin vetëm disa prej figurave që kaluan nëpër duart e tij si modelist dhe couturier.

Në vitin 1977 ai iu bashkua Thierry Mugler-it, në një moment kur stilisti francez po ndërtonte estetikën që do ta kthente në një nga figurat më të rëndësishme të avangardës së modës së shekullit XX. Bashkëpunimi i tyre zgjati pesëmbëdhjetë vjet dhe Curri e konsideron si një nga përvojat më të rëndësishme të karrierës së tij.

Pikërisht gjatë kësaj periudhe nisi edhe bashkëpunimi me Azzedine Alaïa-n. Në vitin 1981 ai kontribuoi në ngritjen e shtëpisë së modës dhe më vonë u rikthye si drejtor teknik, një rol që kërkonte jo vetëm njohje të jashtëzakonshme, por edhe aftësinë për ta kthyer vizionin krijues të stilistit në veshje të realizueshme.

Më pas erdhën Jean Paul Gaultier, Christian Lacroix, Chloé dhe Chanel. Në vitin 1997 ai realizoi koleksionin e parë haute couture të Jean Paul Gaultier.

Me kalimin e viteve, krijimtaria e tij u zgjerua edhe drejt teatrit dhe operës, fusha ku kostumi pushon së qeni thjesht veshje dhe bëhet pjesë e personazhit dhe e vetë rrëfimit skenik. Mes projekteve që ai kujton me kënaqësi është opera ‘Così fan tutte’ të Mozart, ku vendosi që dy shërbëtorët shqiptarë të veprës të visheshin me kostume tradicionale shqiptare, duke sjellë në skenën europiane një detaj identitar që për të kishte rëndësi të veçantë.

Marrëdhënia me artin nuk mbeti e kufizuar tek moda apo skena. Përmes bashkëpunimit me piktorin malazez Dado, pjesë e skicave dhe dizenjimeve udhëtuan për 10 vite në galeri dhe ekspozita në Europë, Japoni dhe Kanada, duke e vendosur trashëgiminë që krijoi në dimensionin e artit pamor.

Vite më vonë, duke folur për atë periudhë, ai përdor një krahasim që ndoshta shpjegon më mirë se çdo statistikë raportin me Parisin dhe gjithçka që mësoi atje: ‘Kur mbërrita në Francë kisha një qese plastike dije. Sot kam dy valixhe të mëdha.’

 

Kthimi, më shumë se 5 dekada përvojë në shërbim të brezave të rinj

Ishte viti 2004 kur Izet Curri, i ftuar nga Presidenti Ibrahim Rrugova, hapi akademinë e parë në trojet shqiptare dhe pikërisht në Kosovë, një projekt për të cilin kishte menduar prej kohësh dhe që lidhej me një bindje të thjeshtë: talenti ekzistonte, por mungonin strukturat ku ai talent mund të formohej profesionalisht.

Më vonë, kjo ide zuri vend, më në fund, edhe në Shkup me themelimin dhe haojen e Institutit Ndërkombëtar të Modës që mban emrin e Izet Curri, një hapësirë ku ai sot e kësaj dite vazhdon të kalojë pjesën më të madhe të kohës.

Modeli që ndërtoi është i afërt me shkollat franceze. Për Currin, një stilist nuk duhet të dijë vetëm të skicojë apo të konceptojë një ide, por të njohë të gjithë procesin e ndërtimit të veshjes, nga kallëpi, prerja dhe deri tek qepja e realizimi përfundimtar i saj. Për këtë arsye, instituti funksionon njëkohësisht si shkollë mode dhe si shtëpi mode, duke i vendosur studentët përballë çdo etape të profesionit.

Pas më shumë se gjysmë shekulli punë, ritmi i tij i përditshëm mbetet pothuajse i pandryshuar. Curri ka treguar shpesh se gjatë gjithë jetës së tij profesionale ka punuar mesatarisht pesëmbëdhjetë orë në ditë dhe, në një farë mënyre, vazhdon ta bëjë edhe sot.

Pjesën më të madhe të kohës ia marrin akademia dhe studentët. Ditët kalojnë mes klasave, provave, korrigjimeve dhe ndjekjes së punës së secilit prej tyre, në një angazhim që shpesh zgjat deri vonë në mbrëmje. Megjithatë, ai vazhdon ende të krijojë.

Në jetën e artistit, mësimdhënia nuk e ka zëvendësuar krijimin dhe krijimi nuk e ka zëvendësuar mësimdhënien. Të dyja vazhdojnë të bashkëjetojnë brenda së njëjtës ditë pune, ashtu si kanë bashkëjetuar për vite me radhë. Rezultatet e kësaj pune janë të dukshme edhe tek studentët. Disa prej tyre kanë vazhduar karrierën në shtëpi të mëdha mode si Dior apo Saint Laurent, ndërsa të tjerë kanë ndërtuar emrat e tyre në rajon. Mes tyre dallojnë ish studentët nga Kosova për të cilët Curri shprehet shpesh shumë krenar dhe i përmend me emra. Në intervistat që ka dhënë, ai rikthehet shpesh tek një mendim që duket se e shoqëron gjithnjë e më shumë vitet e fundit: dija duhet të transmetohet sa është ende kohë për ta bërë këtë. ‘Më shfrytëzoni sa më keni gjallë‘, thotë duke buzëqeshur.

 

Aktualisht Grand Maestro Izet Curri e ndan kohën mes Shkupit dhe Parisit.

Në Shkup e gjen zakonisht në akademi, mes studentëve dhe projekteve të reja. Në Paris, qytetin ku mbërriti dikur me idenë se do të qëndronte vetëm dy javë, vazhdon të rikthehet për familjen, miqtë dhe lagjet që kanë shoqëruar pjesën më të madhe të jetës së tij.

Një prej vendeve që preferon të vizitojë më shpesh është Montmartre. Ndoshta sepse aty vazhdon të ndiejë praninë e artistëve bohem, piktorëve, pasurinë e ngjyrave dhe atmosferën krijuese që gjithmonë e ka tërhequr.

Duket se dy ngjyra në veçanti e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës: e kuqja dhe jeshilja. Vetëm shumë vite më vonë, duke u kthyer në shtëpinë e familjes, kuptoi se ishin të njëjtat ngjyra që dominonin qilimin e gjyshes dhe të nënës së tij. Ngjyrat kishin qenë aty shumë përpara se ai t’i zgjidhte vetë.

Sot ai është thinjur, por ruan të njëjtën karizëm. Në kokë mban një kapele karakteristike që ka historinë e saj. Ideja e kësaj kapele nis nga një dhuratë e mikut fotoreporter konfliktesh i cili humbi jetën në Çeçeni. Curri e vendosi në funeralin e tij në vitin 1994 dhe nuk e hoqi më kurrë.

Gjatë gjithë daljeve publike, edhe pas gjithë këtyre viteve, Curri vazhdon të shmangë titujt e mëdhenj. Ai nuk e quan veten maestro, stilist apo artist. Për veten zgjedh një përkufizim shumë më të thjeshtë: ‘Jam një njeri që di të bëjë veshje.’ Diku tjetër përdor një term që ndoshta e përshkruan edhe më mirë punën e tij: ‘arkitekt kostumesh’.

Pikërisht aty qëndron edhe arsyeja pse historia e tij meriton të rrëfehet, sepse në një industri që shpesh ndërton mite, Izet Curri vazhdon të flasë për punën, zanatin dhe dijen me të njëjtën thjeshtësi me të cilën një djalë katërmbëdhjetëvjeçar nga Shkupi nxitonte të çonte rrogën e parë në shtëpi, për t’ia dorëzuar nënës së tij.

– THELB,

Share This Article