Për koleksionin e tij të parë Haute Couture në krye të Jean Paul Gaultier, Duran Lantink nuk zgjodhi të ndiqte rrugën e zakonshme të modës së lartë. Në vend të elegancës klasike apo referencave nostalgjike, stilisti holandez prezantoi një koleksion që sfidon mënyrën se si e perceptojmë trupin, siluetën dhe vetë veshjen.
Koleksioni Haute Couture Vjeshtë/Dimër 2026-27 u prezantua gjatë Javës së Modës në Paris dhe që në daljen e parë ishte e qartë se Lantink nuk kishte ndërmend të respektonte rregullat tradicionale të couture.
‘Pyeta veten se çfarë do të thotë Haute Couture për mua. Fillimisht mendova për Luigjin XIV dhe Marie Antoinette, e më pas për një imagjinatë futuriste.’ ka shpjeguar stilisti.

Për të realizuar disa nga krijimet, Lantink përdori edhe teknologjinë 3D. Trupi i modelit Leon Dame u skanua në mënyrë dixhitale dhe mbi atë formë u ndërtua një siluetë e re, me volume që dukeshin sikur kishin ndryshuar vend ose ishin në lëvizje. Trupi nuk trajtohet më si një formë fikse, por si diçka që mund të transformohet vazhdimisht.
E njëjta ide vazhdon në gjithë koleksionin. Korsetë nuk qëndrojnë aty ku pritet, xhaketat vishen në mënyra të pazakonta, ndërsa tyli, sateni dhe puplat krijojnë forma që herë të kujtojnë modën historike, herë një botë fantastiko-shkencore.

Megjithatë, mes gjithë këtij eksperimentimi, nuk mungojnë referencat ndaj identitetit të Jean Paul Gaultier. Xhaketa xhins, bomberët, motivet grafike dhe mjeshtëria e punimit kujtojnë kodet që kanë shoqëruar prej dekadash shtëpinë franceze, por të interpretuara përmes syrit provokues të Lantink.
Ky debutim konfirmon edhe një herë reputacionin e stilistit holandez si një nga zërat më të guximshëm të brezit të ri. Në vend që të kërkojë perfeksionin, ai zgjedh të sfidojë pritshmëritë dhe të shtrojë pyetje.

Për Duran Lantink, Haute Couture nuk është vetëm mjeshtëri artizanale. Është një laborator ku mund të imagjinosh një mënyrë krejt tjetër për ta parë trupin, modën dhe të ardhmen.
– THELB,

