Moda shqiptare në kërkim të formës së saj
Në qytetet ku moda është industri e konsoliduar, java e modës është mekanizëm i mirëfilltë ekonomik. Aty prezantohen koleksionet që do të hyjnë në prodhim, mblidhen blerës, negociohen porosi dhe përcaktohet ritmi (apo trendi) i tregut për sezonin e ardhshëm. Spektakli, pasarelat janë vetëm pjesa e dukshme e një strukture më të gjerë: një sistem ku dizajni, prodhimi, shpërndarja dhe media funksionojnë në ndërveprim të vazhdueshëm.
Në Shqipëri, ku industria është ende në formim, java e modës merr shpesh formën e një deklarate ambicieje. Ajo sinjalizon dëshirën për t’u pozicionuar në hartë, por ambicia nuk mjafton për të ndërtuar sistem.
Në prill, Tirana do të zhvillojë Albania Fashion Week, një event që prezantohet si platformë kombëtare me ambicie ndërkombëtare. Për disa ditë, skena e modës do të jetë nën reflektorë dhe pyetja që lind natyrshëm është: çfarë qëndron pas saj?
Nga reagimi kulturor te kërkimi për strukturë
Moda shqiptare pas viteve ’90 nuk lindi si industri, por si reagim kulturor. Pas një periudhe uniformiteti të diktuar nga konteksti politik, veshja u kthye në shenjë lirie. Butikët e parë privatë u hapën mbi intuitë dhe nevojë, jo mbi plane industriale. Rrobaqepësit u shndërruan në stilistë dhe vendi filloi të ndërtonte një estetikë të re.
Në vitet 2000, moda filloi të krijojë skenën e saj. Emra si Ardi Asllani dhe Joni Peçi shënuan kalimin nga zanati te marka. Pasarelat u shfaqën si ritual urban ku moda kërkonte legjitimitet. Modeli ekonomik që u konsolidua ishte ai i ceremonialit.
Shqipëria ndërtoi një treg të qëndrueshëm për fustane mbrëmjeje dhe nusërie. Atelie të konsoliduara u mbështetën mbi porosi individuale për raste të veçanta. Figura si Valdrin Sahiti treguan se një brand personal mund të fitojë dimension ndërkombëtar edhe nga ky model. Megjithatë, ai mbetet i përqendruar te klienti i vetëm dhe momenti i vetëm, jo te ndërtimi i koleksioneve që qarkullojnë në treg në mënyrë të vazhdueshme. Prodhimi në seri dhe shpërndarja e strukturuar mbeten të kufizuara.
Industria që prodhon, por nuk firmos
Paralelisht, Shqipëria ka ndërtuar një sektor të rëndësishëm fasonerie të orientuar drejt eksportit. Fabrikat prodhojnë për marka të huaja mbi baza industriale. Kapaciteti teknik ekziston. Infrastruktura ekziston, por ky kapacitet është ndërtuar për prodhim në shërbim të të tjerëve, jo për ndërtim markash.
Hendeku nuk është te aftësia për të prodhuar, por te aftësia për ta kthyer prodhimin në marka me identitet të qartë për tregun vendas.
Brezi i ri dhe horizonti ndërkombëtar
Formimi profesional ka evoluar. Universiteti Politeknik i Tiranës ofron bazë teknike në tekstil dhe materiale, ndërsa akademi private kanë krijuar një brez stilistësh më të vetëdijshëm për identitetin e markës dhe komunikimin.
Një pjesë e këtij brezi po operon me horizont ndërkombëtar. Rrugëtimi i stilistes Alisa Dudaj është një shembull. E formuar në Parsons School of Design, ajo ka prezantuar koleksionet e saj në London Fashion Week, një platformë ku përzgjedhja kalon përmes strukturave kuratoriale dhe një audience profesionale, që përfshin blerës dhe media të specializuara. Në këtë kontekst, ekspozimi nuk është vetëm imazh, por pjesë e një rrjeti ekonomik të konsoliduar.
Pyetja mbetet: a përkthehen këto përvoja në ngritje standardesh për tregun vendas, apo mbeten histori individuale?
Një skenë me shumë qendra
Një pjesë e modës shqiptare zhvillohet jashtë pasarelës. Marka të lindura në mënyrë të pavarur, shpesh të ndërtuara në hapësirë digjitale, operojnë me ritëm të ndryshëm nga kalendari i eventeve. Ato krijojnë klientelë përmes komunikimit të drejtpërdrejtë dhe modeleve fleksibël prodhimi.
Kjo tregon se ekosistemi nuk është i unifikuar. Ai përbëhet nga disa qendra: atelie tradicionale, marka digjitale, sektor prodhimi dhe evente publike. Sfida mbetet nëse këto struktura do të ndërveprojnë mes tyre apo funksionojnë si ishuj të veçuar.
Eventi dhe ideja e federatës
Në këtë kontekst, organizimi i një jave mode paraqitet si përpjekje për institucionalizim. Java e Modës në Shqipëri (Albania Fashion Week) prezantohet si iniciativë e Federatës Ndërkombëtare e Modës Shqiptare (Albanian International Fashion Federation).
Në praktikën ndërkombëtare, një federatë e modës nënkupton strukturë përfaqësuese, anëtarësi të qartë, standarde dhe mekanizma operimi të artikuluar. Ajo nuk organizon vetëm evente; por hap pas hapi duhet të zgjerojë kuadrin për sektorin.
Në praktikën ndërkombëtare, një federatë e modës funksionon mbi statut publik, anëtarësi të qartë, kritere përfaqësimi, modele financimi dhe mekanizma vendimmarrjeje të artikuluar. Këto elemente krijojnë kuadër institucional dhe garantojnë transparencë për sektorin që përfaqësohet.
Në kontekstin shqiptar, informacioni publik mbi këto mekanizma mbetet i kufizuar, çka e bën të vështirë vlerësimin e rolit dhe ndikimit të saj real brenda industrisë.
Dokumentimi dhe mungesa e kritikës
Në industritë e konsoliduara, ndikimi i një jave mode matet me të dhëna: prezencë blerësish, arkiv koleksionesh, raporte ndikimi, vazhdimësi bashkëpunimesh, etj. Në Shqipëri, dokumentimi publik i këtyre mekanizmave mbetet i kufizuar. Informacioni mbi strukturën, kriteret e përzgjedhjes apo ndikimin ekonomik nuk është i artikuluar në mënyrë sistematike dhe si rrjedhim këto faktor rrisin vështirësinë për matjen e progresit.
Njëkohësisht, nevojitet një diskurs kritik i strukturuar. Moda shpërndahet dhe komentohet, por rrallëherë analizohet. Pa kritikë profesionale, një industri e ka të vështirë të vetëkorrigjohet.
Një nisje e nevojshme
Kjo panoramë nuk synon të japë verdikte, por të vendosë kornizën e një diskutimi të domosdoshëm. Nëse moda shqiptare është në tranzicion nga reagimi kulturor prej ku nisi hapat e parë drejt institucionalizimit dhe tentativave për ta shndërruar ne një ekosistem, atëherë analiza e mekanizmave që e mbështesin bëhet thelbësore.
Ky është hapi i parë i një vëzhgimi më të thellë mbi mënyrën si funksionon sot moda në Shqipëri dhe po, sot, moda shqiptare ka skenë. Pyetja është: a po ndërton sistem?
– THELB

