Celine, përtej sezonit

7 Min Read

Ka disa imazhe mode që të bëjnë të ndalosh sepse të duken çuditërisht të njohura.

Kjo është ndjesia që ke kur sheh pjesë të koleksionit të Celine për dimrin 2026. Ka diçka aty që të kujton fotografitë e një kohe tjetër. Parisi, një biçikletë, një pallto e mbajtur në dorë, një çantë lëkure, një kapele, një shall mëndafshi. Jo një rikthim retro në kuptimin e zakonshëm të fjalës, por një botë një botë e njohur dhe jo e lidhur me një kohë të caktuar.

Në vizionin e ri të Celine përmes  Michael Rider veshjet dhe objektet që nuk duken të krijuara vetëm për të identifikuar një sezon. Në të vërtetë një veshje nuk ka nevojë të jetë ekstravagante për të qenë interesante apo të ketë një logo të dukshme ose të bërtasë sezonin. Cilësia mund të lexohet në teksturë, në formë, në ngjyrë, në prerje dhe në mënyrën se si një objekt e mban identitetin e vet pa pasur nevojë ta shpallë.

Te Celine, këtë dimër, kjo ide shfaqet veçanërisht qartë te aksesorët. Çantat janë ndër gjërat që të ndalin më gjatë. Disa prej tyre kanë atë cilësi të rrallë të objekteve që nuk duken të lidhura me një datë të caktuar. Format e tyre të kujtojnë një tjetër kohë, por nuk duken si rikrijime muzeale. Ka versione që sjellin në mendje çantat klasike të një garderobe të vjetër, pa u kthyer në nostalgji të drejtpërdrejtë.

Ajo që Michael Rider po bën me Celine nuk duket se kërkon të shkëputet nga historia e shtëpisë për të shpikur një identitet të ri. Përkundrazi, po kërkon të kuptojë se cilat prej kodeve të saj mund të vazhdojnë të jetojnë.

Kjo është e dukshme edhe në mënyrën se si trajtohen aksesorët. Kapelet kanë personalitet, por nuk e pushtojnë pamjen. Shallet prej mëndafshi marrin forma më ekspresive, ndonjëri mund të qëndrojë mbi një pallto të zezë si një ndërhyrje e vogël ngjyre dhe vendosjeje. Bizhuteritë nuk janë domosdoshmërisht të destinuara të pëlqehen nga të gjithë, disa janë më të çuditshme, më të lirshme, me një karakter që i jep personazhit një lloj individualiteti. Jo çdo element duhet të jetë i bukur në mënyrën më të drejtpërdrejtë. Disa duhet thjesht të kenë personalitet.

Rider duket se e kupton mirë këtë. Në vend që ta ndërtojë pamjen përmes një teprie elementesh, ai shpesh lejon që një detaj të bëjë punën. Një kapele, një shall, një çantë, një palë këpucë, një ngjyrë.

E kuqja është një prej tyre. Si në një telaio ku e zeza, e bardha dhe tonet më të përmbajtura krijojnë bazën e Celine, e kuqja shfaqet me forcë, por pa e prishur ekuilibrin. Është ngjyra që tërheq syrin pa kërkuar të marrë gjithë skenën. Duket si një mënyrë shumë e mirë për të kuptuar edhe vetë estetikën e Rider-it, klasikja është baza, por klasikja nuk duhet të jetë e mërzitshme, duhet të ketë karakter.

Kjo është veçanërisht interesante në një shtëpi si Celine. Historia e saj ka kaluar nëpër gjuhë shumë të ndryshme. Nga rrënjët e krijuara nga Céline Vipiana dhe ideja e një garderobe elegante, praktike dhe të lidhur me jetën e përditshme, te periudha jashtëzakonisht me ndikim e Phoebe Philo-s, e më pas te vizioni më rock dhe i natës i Hedi Slimane. Rider vjen pas të gjitha këtyre kapitujve të shtëpisë, por nuk duket se kërkon t’i fshijë.

Përkundrazi, në këtë koleksion duket sikur po kërkon të gjejë një ekuilibër mes tyre dhe, mbi të gjitha, të rikthejë Celine-n te një prej forcave të saj më të vlefshme: rrobat që mund të jetohen.

Rider ka punuar për një dekadë në Celine gjatë periudhës së Philos, përpara se të vazhdonte rrugëtimin e tij në Ralph Lauren. Por ajo që shohim sot nuk është një kopje e Philo-s. Nëse Philo e përdorte shpesh volumin dhe përmasën si një mënyrë për të krijuar një grua të lirë, të sigurt dhe të sofistikuar, Rider duket më i interesuar për një siluetë më të prerë, më të kontrolluar, më të gjatë dhe më të strukturuar. Megjithatë, të dy takohen në një pikë të rëndësishme: veshja nuk ka pse të bërtasë për të pasur autoritet, por te Rider, kjo merr një formë tjetër.

Palltoja, kostumi, pantallonat, këpucët dhe çanta nuk duken si pjesë të një parade trendesh, por si pjesë të një garderobe që mund të marrë jetë jashtë pasarelës. Edhe mënyra e prezantimit e forcon këtë ndjesi. Parisi nuk është vetëm sfond; biçikleta, objektet e mbajtura në duar dhe aksesorët krijojnë përshtypjen e një jete që vazhdon përtej fotografisë. Rider e ka përdorur edhe më herët biçikletën dhe objekte të përditshme si pjesë të kësaj ideje të veshjes që futet në jetë, jo vetëm në imazh.

Moda më interesante nuk është domosdoshmërisht ajo që duket më shumë si koha e saj, por ajo që mund të jetojë përtej saj. Një çantë që do ta përdorje edhe sot, edhe pse të kujton një fotografi të vjetër. Një pallto që nuk ka nevojë të shpjegojë cilit sezon i përket. Një palë këpucë nga koleksioni i ri, të veshura me diçka që e ke prej vitesh në garderobë, mund t’u shtojnë vlerë të dyjave: së resë i japin një histori që nuk e kishte ende, ndërsa së vjetrës i japin një mënyrë të re për t’u parë. Një shall që ndryshon një pamje të tërë vetëm nga mënyra se si lidhet.

Këto nuk janë domosdoshmërisht gjërat që bëjnë më shumë bujë, por janë ato që mund të mbeten. Dhe në një sezon ku moda ka kaq shumë nevojë të na tregojë se çfarë është e re, Celine e Michael Rider duket se po bën një pyetje më interesante: Çfarë ia vlen të vazhdojë?

  • THELB,

 

Share This Article