Si Gabrielle Chanel ndryshoi siluetën femërore dhe ndërtoi një prej kodeve më jetëgjata të modës

7 Min Read

Gabrielle ‘Coco’ Chanel do të festonte 143-vjetorin e lindjes. Një datë që na kthen te një prej emrave më të njohur të modës dhe, mbi të gjitha, te ajo që ndryshoi në mënyrën se si vishen gratë.

Gabrielle mori pantallonat nga garderoba e burrave, hoqi ornamentet nga kapelet, veshi bluzën me vija të marinarëve dhe e ktheu jersey-n, një material praktik dhe ekonomik, në pjesë të garderobës femërore. Hoqi korsenë, liroi belin, shkurtoi fundet. Më vonë, krijoi një çantë që gruaja nuk kishte më nevojë ta mbante më vetëm në dorë.

Sot, shumë prej këtyre zgjedhjeve duken krejt të zakonshme. Në kohën e saj, nuk ishin.

Gabrielle Chanel e kishte provuar fillimisht mbi veten mënyrën e re të të veshurit që më pas do t’ua propozonte grave të tjera. Refuzonte të kalëronte me fustan siç ishte zakoni dhe merrte pantallona nga garderoba mashkullore, vishte bluza Breton dhe thjeshtonte kapelet duke u hequr zbukurimet. Në Longchamp, mes grave të shoqërisë së lartë pariziene me fustane të drapuara, nënfunde dhe korse, pamja e saj binte në sy. Shumë shpejt, të njëjtat gra nisën të kërkonin kapelet dhe veshjet që shihnin tek ajo.

Por historia e Chanel kishte nisur shumë larg atij rrethi.

Lindi më 19 gusht 1883 në Francë. Në moshën 12-vjeçare humbi të ëmën dhe, pasi i ati braktisi pesë fëmijët, ajo dhe dy motrat e saj u rritën mes murgeshave në abacinë Aubazine. Mjedisi i rreptë i abacisë, thjeshtësia e formave dhe prania e së bardhës dhe së zezës do të riktheheshin vite më vonë në estetikën e Chanel.

Kur largohet nga abacia Aubazine, Gabrielle punon ditën si rrobaqepëse, ndërsa mbrëmjeve këndon në një café-concert  Në repertorin e saj janë dy këngë që publiku ia kërkon vazhdimisht: Ko Ko Ri Ko dhe Qui qu’a vu Coco? Nga këto mbrëmje do t’i mbetet emri me të cilin më vonë do ta njohë e gjithë bota: Coco.

Gjatë asaj periudhe njihet me Étienne Balsan, një oficer të pasur të kalorësisë i cili e njohu me rrethet e shoqërisë së lartë pariziene dhe krijimet e saj nisin të tërhiqnin vëmendje. Balsan i vuri në dispozicion apartamentin e tij në Paris dhe aty, në Boulevard Malesherbes, Gabrielle filloi të realizonte dhe shiste krijimet e saj të para. Ishte fillimi i aktivitetit të saj si modiste.

Më vonë u njoh me Arthur ‘Boy’ Capel, biznesmenin dhe lojtarin anglez të polo-s që do të bëhej dashuria e madhe e jetës së saj dhe një figurë vendimtare në fillimet e Chanel siç e njohim sot. Capel besoi në talentin e saj, e mbështeti në hapjen e butikëve të parë. Përmes stilit të tij sportiv britanik, ai la gjurmë edhe në mënyrën se si Coco mendonte garderobën e re për gratë. Me mbështetjen e Arthur, në vitin 1910, Chanel hapi në Paris dyqanin e saj të kapelave, ‘Chanel Modes’. Më pas erdhën edhe dyqanet e Deauville dhe Biarritz, në veri të Francës.

Channel solli prerjen à la garçonne, cardiganët, bluzat e buta dhe një elegancë më të çlirët. Në vend që trupi i gruas t’i nënshtrohej veshjes, veshja duhej t’i përshtatej jetës së saj.

Chanel e shpjegonte vetë këtë ide me një fjali: ‘Pjesa më e vështirë e punës sime është t’i lejoj gruas të ndihet e lirë.’ I referohej grave aktive, që punonin, të cilave u duhej të ndiheshin rehat në veshjet e tyre dhe të mund të ngrinin vetë mëngët. Funksioni nuk ishte armiku i elegancës. Për Chanel, ai ishte një nga kushtet e saj.

Nga kjo mënyrë të menduari lindën, njëra pas tjetrës, disa prej kodeve që sot duken të pandashme nga emri Chanel. Në mes të viteve 1920 u shfaq për herë të parë la petite robe noire (fustani i vogël i zi). E zeza, deri atëherë e lidhur fort me zinë dhe uniformat e shërbimit, u kthye në një prej ngjyrave më elegante të garderobës. Chanel e kombinoi shpesh me perla, zinxhirë, kristale, kamelia dhe bizhuteri të ndryshme e plot fantazi, duke luajtur vazhdimisht me kufirin mes të çmuarës dhe të zakonshmes.

Garderoba mashkullore vijoi të ishte burim frymëzimi për modisten. Nga Duka i Westminsterit dhe jeta britanike erdhën tweed-i, xhaketat, pulovrat dhe elemente të veshjes që Chanel i përktheu në gjuhën e saj.

Ndërkohë, në vitin 1921, përmes njohu njohu parfumerin Ernest Beaux. Prej këtij takimi lindi në Grasse, qytetin jugor francez, Chanel N°5, parfumi që do të bëhej një nga krijimet më të njohura të Maison dhe do ta zgjeronte më tej dimesionin e Chanel shumë përtej veshjes.

Më 5 shkurt 1954, Chanel u rikthye në pasarelë. Ishte në të shtatëdhjetat dhe Parisi i modës kishte ndryshuar. Koleksioni u prit ashpër nga shtypi francez, por përtej Atlantikut, reagimi ishte krejt tjetër. Amerika pa tek Chanel një grua që ndërtonte një mënyrë veshjeje që kishte më kuptim.

Nga ky rikthim u konsolidua tailleur-i Chanel: xhaketa me rënie të kontrolluar nga zinxhiri i qepur brenda astarit, xhepat e sheshtë dhe kopsat-bizhuteri. Erdhën këpucët slingback dyngjyrëshe, bezhë me majë të zezë, dhe çanta matelassé me rrip zinxhiri që nuk mbahej vetëm në dorë por hidhej në krah. Edhe çanta mbante brenda të njëjtën ide që kishte udhëhequr shumë prej krijimeve të saj: t’i linte gruas duart të lira.

Chanel vazhdoi të punonte deri në vitet e fundit të jetës. Jetonte në Hôtel Ritz dhe çdo mëngjes kalonte drejt atelier-it në Rue Cambon. Vdiq më 10 janar 1971, në moshën 87-vjeçare. Një prej frazave të saj më të njohura mbeti: ‘Moda kalon, stili mbetet.’  Por ndoshta gjurma e saj më e madhe shkon përtej stilit.

Sot gratë veshin pantallona, lëvizin lirshëm dhe kërkojnë rehati pa hequr dorë nga eleganca. E bëjmë pa menduar se, një shekull më parë, një grua duhej të sfidonte shoqërinë që kjo mënyrë e të veshurit të bëhej e mundur. Coco Chanel ishte ajo grua.

– THELB,

Share This Article