Gruaja si perëndeshë moderne, Dolce & Gabbana rikthehen në Siçili

2 Min Read

Për koleksionin Alta Moda 2026, Domenico Dolce dhe Stefano Gabbana u rikthyen në vendin që ka frymëzuar prej dekadash krijimtarinë e tyre: Siçilinë. Pasarela u zhvillua në parkun botanik Radicepura, pranë Taorminës, mes kopshteve me agrume, lule dhe gjelbërim mesdhetar, një skenografi që dukej sikur i përkiste një bote mes realitetit dhe mitologjisë.

Koleksioni, i titulluar ‘Le Devote delle Dee dell’Olimpo’ (Perëndeshat e përkushtuara të Olimpit), ishte pjesa e dytë e projektit The Sicilian Dream, përmes të cilit marka rikthehet te rrënjët e saj dhe te identiteti që e ka bërë të njohur në botë.

Në pasarelë u panë fustane të mbushur me qëndisje të realizuara me dorë, korse, dantella, mëndafsh, kadife, organza dhe aplikime tredimensionale që kujtonin lule, kopshte dhe natyrën e Siçilisë. Ari me frymë baroke, shallet prej dantelle, fundet me volume dhe detajet teatrale krijonin një estetikë që ishte njëkohësisht madhështore dhe thellësisht mesdhetare.

Por përtej bukurisë së veshjeve, në qendër të koleksionit ishte figura e gruas. Dolce & Gabbana nuk e paraqesin atë si një perëndeshë të paarritshme, por si një grua të fortë, elegante dhe krenare për identitetin e saj. Frymëzimi vjen nga gratë siçiliane, nga historia, traditat dhe karakteri i tyre, të interpretuara përmes gjuhës së Haute Couture.

Nuk është rastësi që marka u rikthye pikërisht në Taormina, pikërisht aty, në vitin 2012, Dolce & Gabbana prezantuan koleksionin e tyre të parë Alta Moda. Mbi një dekadë më vonë, rikthimi në Siçili nuk ishte vetëm një zgjedhje estetike, por një mënyrë për të kujtuar se rrënjët vazhdojnë të mbeten burimi më i rëndësishëm i frymëzimit të shtëpisë italiane.

Në një kohë kur shumë koleksione kërkojnë të flasin për të ardhmen, Dolce & Gabbana zgjedhin të kthehet tek ‘radicepura’ (rrënjët puro), një filozofi që e ka bërë gjithmonë modën e tyre të dallueshme, mjeshtërinë artizanale, teatrin, kulturën mesdhetare dhe një ide të bukurisë që nuk ndahet kurrë nga historia.

– THELB,

Share This Article