Pse Zara zgjodhi Napolin për koleksionin e saj veror

4 Min Read

Ka qytete që shërbejnë si sfond dhe ka të tjerë që për shumë arsye marrin rol kryesor.

Për fushatën e saj më të re, Zara ka vendosur të mos tregojë thjesht për koleksionin e saj të fundit, por ta përcjellë përmes një atmosfere dhe për ta bërë këtë ka zgjedhur Napolin.

Në videon e titulluar ‘An Italian Summer Mood’, qyteti shfaqet ashtu siç e njohin ata që e duan vërtet Italinë: plot dritë, zhurmë, elegancë spontane dhe jetë. Deti, Vezuvi, rrugicat e ngushta, pallatet historike dhe ritmi i përditshëm i qytetit bëhen pjesë e së njëjtit rrëfim me fustanet e holla, siluetat verore dhe frymën e relaksuar të koleksionit. Ajo që e bën fushatën interesante është fakti se Napoli është kthyer në ‘personazh’.

Për dekada, moda ndërkombëtare e ka lidhur estetikën italiane me Milanon, kryeqytetin e industrisë, ose me romantizmin e Romës dhe Firences. Por vitet e fundit, vëmendja është zhvendosur gradualisht drejt jugut. Napoli nuk është qyteti perfekt dhe ndoshta është zgjedhur pikërisht për këtë. Qyteti ka një energji që nuk mund të kontrollohet apo të stilizohet plotësisht. Ka kontraste. Është një nga qytetet më të vjetra në Europë, ku historia greke romake, baroke dhe moderne bashkëjetojnë në të njëjtën hapësirë. Ka kaos dhe bukuri e pikërisht këto elemente e bëjnë kaq tërheqës për fotografinë, kinemanë dhe modën.

Markat duket se po kërkojnë vazhdimisht autenticitet dhe Napoli ofron diçka që nuk mund të prodhohet në studio. Kjo zgjedhje vjen edhe në një moment interesant për vetë Zara-n. Gjatë viteve të fundit, marka spanjolle ka investuar gjithnjë e më shumë në projekte me identitet duke bashkëpunuar me emra që kanë lënë gjurmë në botën e modës, nga fotografi Steven Meisel te stilistë si Stefano Pilati dhe së fundmi, John Galliano. Kjo ka ndihmuar në krijimin e një gjuhe vizuale që me sa duket kërkon të shkojë përtej produktit dhe ta vendosë modën brenda një rrëfimi më të gjerë kulturor. Mbase kjo është arsyeja pse fushata e Zara-s duket më shumë si një film i shkurtër sesa si një reklamë mode. Në videon promovuese të koleksionit të publikuar para pak ditësh shihet se kamera nuk fokuson vetëm veshjet. Ajo ndalet te mbi fasadat historike, te lëvizja e njerëzve në rrugë, te ndjesia e një vere tipike italiane që duket e paprekur nga koha.

Në modë, vendet zgjidhen me po aq kujdes sa edhe veshjet. Në videon e shoqëruar nga tingujt e ‘Funiculì Funiculà’, qyteti italian shfaqet larg imazhit të zakonshëm turistik. Kamera lëviz mes tregjeve, limonëve të vendosur nëpër tezga, tavolinave me pjata spageti, rrugicave të mbushura me njerëz dhe trafikut karakteristik napolitan. Mes tyre kalojnë modelet duke krijuar një dialog spontan mes modës dhe jetës së përditshme.

Është një zgjedhje interesante sepse në vend që të ndërtojë një estetikë të përsosur dhe të distancuar nga realiteti, Zara zgjedh një qytet që jeton përmes kontrasteve të tij. Mes arkitekturës historike, zhurmës së trafikut, dritës mesdhetare dhe energjisë së rrugës, Zara duket se ka gjetur atë që kërkon sot moda bashkëkohore: një histori që ndihet reale.

Prandaj zgjedhja e Napolit nuk duket si një vendim i zakonshëm marketingu, por si një zgjedhje për të përcjellë ndjesi për stinën që po troket dhe pak vende arrijnë ta mishërojnë verën me aq personalitet sa Napoli.

— THELB,

Share This Article